Bisedoi: Denisa Canameti
Gastroskopia (apo sonda e stomakut, siç njihet rëndom) është një ekzaminim tepër i nevojshëm në rastet e problemeve me stomakun. Megjithatë, pak persona e kuptojnë rëndësinë e tij. Mjekja gastrohepatologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr.3 në Tiranë, Valdete Malaj, flet lidhur me nevojën e kryerjes së gastroskopisë, sëmundjet që ajo identifikon dhe gjithçka duhet ditur për të.
Doktoreshë, çfarë është gastroskopia?
Gastroskopia është një analizë mjekësore që realizohet përmes një minitelekamera me gjerësi 2mm, të udhëhequr nga një tub fleksibël. Gastroskopi është i hollë, fleksibël. Ai kalon përmes gojës, vazhdon në ezofag, hyn në stomak dhe në fillimin e zorrës së hollë. Imazhi i marrë nga telekamera bën të mundur ekzaminimin e gjendjes shëndetësore të pacientit.
Për të siguruar një pamje të qartë të stomakut, pacienti duhet të jetë i pangrënë. Pra, stomaku duhet të jetë krejtësisht bosh. Prandaj pacientit rekomandohet që të mos hajë asgjë disa orë para kryerjes së ekzaminimit.
Gastroskopia është ekzaminimi më i saktë dhe që duhet të kryhet te të gjithë pacientët që kanë këto shqetësime:
Dhimbje në stomak
Djegie prapa dërrasës së kraharorit;
Dhimbje të pjesës së sipërme të barkut;
Vështirësi në gëlltitje
Të vjella
Gjakderdhje
Gjendje urdhi e përsëritur (kthimi i lëngjeve të stomakut në ezofag)
Bëhet thuajse te të gjithë pacientët që kanë dhimbje, parehati, rënie peshe, feçe gjak okult pozitiv, dalin jashtë me ngjyrë të errët, kanë anamnezë familjare për sëmundje të këqija të stomakut dhe kanë shenja që na çojnë të mendojmë për probleme të tilla. Është ekzaminim definitv. Ka pacientë që thonë të bëjnë skaner ose rezonancë, por edhe në rastet kur është bërë skaner apo rezonancë rekomandohet gastroskopia.
Sigurisht që para se të bëhet gastroskopia, pacientët duhet të bëjnë vizitën, duhet të bëjnë dhe një eko. Kështu që është pjesë e protokollit, që paraprakisht bëhet ekoja dhe pastaj bëhet ekzaminimi me gastroskopi të stomakut.
Situatat e lartpërmendura mund të konfirmojnë:
– Refluksin gastro-ezofageal
– Ezofagitet
– Ulcerat duodenale dhe te stomakut
– Duodenitet (pezmatimet e duodenit)
– Gastritet (pezmatim i stomakut)
– Kancer të stomakut apo të ezofagut
Si përgatitet pacienti?
Një ditë para duhet të hajë ushqime të lehta, supra, dietë kryesisht të lëngshme, është më e rëndësishme për pacientët diabetik, sepse kanë stomak me peristaltik të dobësuar. Madje në moshat e mëdha te të tillë pacientë diabetikë rekomandohet që 4-5 ditët para ekzaminimit të kenë kujdes me mënyrën e të ushqyerit. Sepse ushqimi rri gjatë, sidomos mishrat, brumërat.
Definitivja është që pas orës 6 të darkës e mbrapa, të jenë esëll. Është një ekzaminim që pacientët fillimisht e marrin me frikë të madhe. Nuk ka arsye për të qenë kështu. Ndërlikimet gjatë bërjes janë të rralla. Është e rëndësishme përgatitja psikologjike e të sëmurit, gjë të cilën ne e bëjmë shumë mirë. I tregojmë mënyrën e bërjes, bëjmë një këshillimi paraprak dhe i tregojmë që ky aparat shkon në rrugët e ushqimit dhe jo në rrugët e frymëmarrjes.
Pacienti para se të hyjë në dhomë pritet nga infermierja e cila bën gati pacientin dhe u përgjigjet të gjitha pyetjeve që ka ai. Infermierja shpjegon qartësisht procedurën. Pacienti është pyetur paraprakisht nëse merr mjekim, pra nëse vuan nga ndonjë sëmundje kronike. Para fillimit të procedurës pacienti ka mundësi që të bisedojë edhe me mjekun që do të kryejë ekzaminimin.
A përsëritet si ekzaminim?
Po, në shumë raste përsëritet dhe ne e lëmë kontroll pas një muaji kryesisht në ulcera për të parë nëse ulcera është mbyllur ose jo.
Duhet të kemi kujdes me pacientët që kanë divertikul të ezofagut apo edhe stomakut. Divertikuli është një si xhep, ku tubi mund të hyjë aty dhe të krijojë çarje. Janë raste shumë të rralla. Do kujdes shumë të madh.
Metoda me mpirje, rekomandohet?
Ne këtu dhe bota në përgjithësi e bën me sprej lokal. Ka dhe me anestezi, përgjithësisht nuk bëhet rutinë, sepse ka kosto dhe pacienti atë ditë nuk është i aftë për punë.
Pas ekzaminimit, pacienti mbahet për disa minuta nën kontroll. Pacienti që ka kryer ekzaminimin nuk duhet të hajë apo të pijë përreth gjysmë ore më pas, pasi strukturat e kavitetit të gojës janë të mpira dhe pacienti mund të mbytet./ Shendeti.com.al


