Për gazetën Shëndet + dhe Shëndeti Online: Tritan Kalo, mjek infeksionist pranë QSUT-së
Spektri i sëmundjeve infektive në vendin tonë ka pësuar vitet e fundit një ndryshim thelbësor, lidhur kjo me shumë faktorë në vartësi të ndryshimeve klimatike e sociale. Ne përballemi sot edhe me sëmundje që deri dje i mendonim të zhdukura si malarja, për shkak të lëvizjeve të shqiptarëve në zonat endemike për këtë sëmundje.
Megjithatë, struktura e vizitave apo e hospitalizimeve në Repartet e Sëmundjeve Infektive si në Spitalet Rajonale, po ashtu edhe në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUT-së, ka një tendencë të qëndrueshme këto vitet e fundit.
Në varësi të stinëve, në të dominojnë çrregullimet e tubit tretës, sëmundjet diarreike, sëmundjet e aparatit respirator të sipërm dhe të poshtëm, infeksionet e traktit urinar, infeksionet e lëkurës dhe të adnekseve të saj, infeksionet e Sistemit Nervor Central, si meningo-encefalitet, infeksionet kardiake (endokarditet bakteriale), infeksionet seksualisht të transmetueshme, hepatitet virale, bruceloza, infeksionet në të sëmurët e imonukompromentuar, përfshirë edhe HIV/AIDS, si dhe infeksionet e marra në mjediset spitalore.
Pse këto sëmundje janë më të shpeshta në vendin tonë, çfarë i favorizon ato?
Sëmundjet infektive të natyrës endemike, pra, ato që ndeshen më shpesh në vendin tonë lidhen me një sërë faktorësh:
- së pari me faktorët klimatikë, me pozicionin gjeografik të vendit,
- së dyti me vektorët transmetues të shumë sëmundjeve infektive të pranishme në vendin tonë,
- së treti me faktorët e strukturës së popullatës në raport me grupmoshat e saj,
- së katërti me situatën vaksinale të saj,
- së pesti në lidhje me vendbanimet e popullatës, qytet apo fshat,
- së gjashti në raport me kushtet higjenosanitare të përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimeve,
- së shtati në lidhje me zoonozat sikundër janë bruceloza, leishmanioza,
- së teti me sjelljet jo të kujdesshme në lidhje me marrëdhëniet intime, sikundër janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe
- së nënti, përsa i përket sëmundjeve ekzotike të cilat lidhen me udhëtimet jashtë vendit në zonat endemike për sëmundje të tilla si malarja etj.
Cilat prej këtyre sëmundjeve janë shkak më i shpeshtë për urgjenca?
Urgjencat e sëmundjet infektive dhe që përbëjnë shumicën e rasteve të paraqitura në spital, kanë të bëjnë me çrregullimet e rënda të tubit tretës.
Këto lidhen me ushqimet e kontaminuara ose me vetë infeksionet virale, bakteriale e parazitare të këtij trakti, me infeksionet respiratore të sipërme ose të poshtme me origjinë virale apo bakteriale, infeksionet e lëkurës e të adnekseve të saja, infeksionet herpetike, infeksionet urinare, infeksionet në organizmat e imunokompromentuar dhe më rrallë meningo-encefalitet etj.

