Kryefaqja Lajm kryesor Sëmundjet reumatizmale, trajtimi për lehtësimin e dhimbjeve

Sëmundjet reumatizmale, trajtimi për lehtësimin e dhimbjeve

0
Shpërndaje

Çdo dhimbje kyçesh apo kockash qytetarët e (vetë)diagnostikojnë menjëherë si reumatizëm dhe në shumë raste presin vetëm dhimbjet e padurueshme për t’iu drejtuar mjekut. Ekziston gjithashtu mentaliteti se sëmundjet reumatizmale janë të pakurueshme, dhe kjo përbën një prej arsyeve pse zbulohen vonë. Ndodh që, shenjat e sëmundjeve reumatizmale imitojnë shumë sëmundje të tjera, duke u drejtuar për kontrolle mjekësore në specialitete të tjera dhe jo te mjeku reumatolog.

Duhet të dimë se sëmundjet reumatizmale prekin të gjitha organet dhe jo vetëm kyçet. Blerina Dhamo, mjeke reumatologe shpjegon se pse qytetarët nuk duhet të presin të kenë dhimbje kyçesh, për të bërë vizitë mjekësore te mjeku reumatolog.

Shumë shqetësime të tjera si: dëmtimi i veshkave, dhimbja muskulore, anemia apo edhe abortet e pashpjegueshme mund të kenë si shkak sëmundjet reumatizmale.

Doktoresha, cilat janë simptomat e sëmundjeve reumatizmale?
Kur themi sëmundje reumatizmale, kemi parasysh një numër shumë të madh sëmundjesh të cilat mund t’i ndajmë në katër grupe kryesore:
Sëmundjet inflamatore të kyçeve, si: Artriti Reumatoid, Spondiliti Ankilozant, Artriti nga kristalet etj.

  • Sëmundjet autoimune të indit lidhor, si: Lupusi, Vaskuliti, Sklerodermia, Sindromi Sjogren etj.
    Sëmundjet e metabolizmit të kockës dhe kërcit, si: Osteoartriti dhe Osteoporoza.
  • Sindromat e dhimbjeve të lokalizuara apo të gjeneralizuara, p.sh.
  • Dhimbjet e mesit, supit, Fibromialgjia etj.
Në të shumtën e rasteve, këto sëmundje zbulohen me vonesë, për arsye që lidhen kryesisht me mentalitetin e njerëzve se sëmundjet reumatizmale fillojnë gjithmonë
me dhimbje kyçesh dhe së dyti sëmundjet reumatizmale janë të pakurueshme.
Sëmundjet reumatizmale prekin të gjitha organet dhe jo vetëm kyçet.
Për shkak se shenjat e tyre mund të imitojnë shumë sëmundje të tjera, pacientët drejtohen në mjekë të specialiteteve të tjera.
Për shembull, sëmundjet reumatizmale imitojnë pothuajse të gjitha sëmundjet e lëkurës, si: ekzema, psoriaza, infeksionet herpetike etj., dhe pacienti shkon te mjeku dermatolog.

Disa pacientë kanë probleme me gjakun si anemi apo ulje të rruazave të bardha. Abortet pa shkak mund të jenë një tjetër shenjë e këtyre sëmundjeve duke i drejtuar pacientët
te gjinekologu.

Në këtë mënyrë duke shkuar sa në një specialist te tjetri, pacienti me sëmundje reumatizmale vonohet në diagnozë. Diagnostikimi i hershëm i tyre është çelësi i suksesit të trajtimit të sëmundjeve reumatizmale.
Është e vërtetë që këto sëmundje janë kronike dhe nuk zhduken, por me diagnostikimin e hershëm dhe me fillimin e mjekimit pacienti bashkëjeton me sëmundjen duke bërë jetë normale pa dhimbje dhe pa dëmtime të parikthyeshme në organe.

Disa nga shenjat e sëmundjeve reumatizmale janë:

  • Dhimbje dhe ënjtje të kyçeve;
  • Mpirje të këmbëve dhe të duarve nga dëmtimi i nervave periferike.
  • Tharje të syve dhe të gojës;
  • Rënie në peshë e pashpjegueshme nga dieta;
  • Tromboza në enët e gjakut;
  • Dëmtim të veshkave;
  • Skuqje jonormale e lëkurës së fytyrës pas ekspozimit në diell;
  • Zbehje deri në nxirje të gishtave të duarve dhe këmbëve pas ekspozimit në të ftohtë;
  • Dhimbje të muskujve ose ulje të forcës muskulore;
  • Plagë të përsëritura në gojë;
  • Skuqje të syve deri në ulje të shikimit;
  • Aborte të pashpjegueshme;

Duke parë këtë larmi shenjash klinike është e pritshme që të kemi një vonesë ne diagnozë. T’i diagnostikosh këta të sëmurë është si të plotësosh një “puzzle”. Pjesët e këtij “puzzle” fillojnë të formohen që në momentin kur pacienti vjen te mjeku dhe i tregon shenjat e sëmundjes.

Nëse merret me kujdes historia e sëmundjes, bëhet një vizitë e kujdesshme e të gjitha organeve dhe kërkohen analizat e duhura, diagnoza nuk është e vështirë.

Në cilat raste ndodhin frakturat e kockave?
Frakturat kockore në Reumatologji i hasim te pacientët me osteopo- rozë. Kjo është një sëmundje që prek kryesisht femrat gjatë dhe pas menopauzës. Vjen si rezultat i dobësimit të arkitekturës së kockës.

Në këtë mënyrë rritet shumë rreziku për thyerje ose fraktura spontane. Hormonet femërore janë mbrojtës shumë të mirë kundër osteoporozës.
Kur vjen menopauza niveli i tyre në gjak bie shumë dhe fillon sëmundja e osteoporozës. Kjo është sëmundje e fshehtë e cila shumicën e rasteve zbulohet pasi ka ndodhur fraktura.

Qëllimi është t’i zbulojmë këto pacientë përpara se të ndodhë fraktura. Për këtë u këshillohet grave në menopauzë të bëjnë një ekzaminim që quhet DEXA dhe mat fortësinë e kockës. Personat që kanë familjarë me osteoporozë, ata që mjekohen për sëmundje reumatizmale dhe femrat që kanë hequr vezoret janë më shumë të rrezikuar për osteoporozë. Pacientët me osteoporozë nuk kanë asnjë shenjë klinike deri në momentin që ndodh fraktura.
Arsyeja pse nuk duhet neglizhuar kjo sëmundje është shkalla e lartë e invaliditetit që shkakton fraktura dhe kostoja e lartë që ka për individin dhe familjen. Nëse osteoporoza zbulohet fillohet një terapi me tableta nga goja ose injeksione në varësi të gjendjes së pacientit.

Ftohje dhe zbehje e gishtave të dorës, çfarë tregon?
Personat me këto ankesa gjithmonë duhet të shkojnë mjeku reumatolog për ta vlerësuar situatën, nëse kemi të bëjmë me një sëmundje reumatizmale apo thjesht një reagim jonormal i trupit ndaj të ftohtit.

Nëse gishtat ndryshojnë dhe ngjyrën e lëkurës në të zbehta apo vjollcë patjetër që duhet vlerësuar nga mjeku. Në këto raste kemi të bëjmë me fenomenin Raynaud, zbehje e gishtave nga ngushtimi i enëve fundore të gjakut pas ekspozimit në të ftohtë.

Këshilla

Mos të neglizhoni asnjë nga shenjat e mësipërme. Sa më herët të shkoni të diagnostikoheni, aq më shumë mundësi keni të bëni një jetë normale. Mos ju nënshtroni dhimbjes dhe sëmundjes pasi sot ka preparate të cilat e kontrollojnë sëmundjen dhe ju bashkëjetoni me të pa vuajtur pasojat.
Ushqehuni shëndetshëm dhe bëni aktivitet të rregullt fizik pasi mbipesha dhe obeziteti janë tashmë faktor risku ose faktor agravues të sëmundjes për artritin reumatoid, artritin nga acidi urik, osteoartitin dhe lupusin eritematoz sistemik.

Dhe mbi të gjitha: Mos u vetëdiagnostikoni. Keni shumë mundësi të gaboheni dhe nuk është aspak në të mirë të shëndetit tuaj! Lëruani profesionistëve të shëndetit të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë.

Trajtimi

Pas diagnostikimit, mjekimi fillon sipas protokolleve të caktuara për çdo sëmundje reumatizmale. Këto protokolle janë standardizuar nga Shoqata Europiane dhe
Amerikane e Reumatologjisë. Medikamente të reja dalin çdo vit. Trajtimi i këtyre të sëmurëve vjen duke u përmirësuar.

Vite më parë shkalla e invaliditetit dhe vdekshmërisë ka qenë shumë e lartë pikërisht se nuk kishte preparate që kontrollonin sëmundjen.
Terapia individualizohet në varësi të moshës së pacientit, stadit të sëmundjes, në varësi të funksionit të zemrës, veshkave apo sistemit nervor. Është shumë e rëndësishme nëse kemi të bëjmë me një paciente në moshë riprodhuese apo me një femër shtatzënë.

Zgjidhen ato medikamente që kontrollojnë sëmundjen por pa dëmtuar shtatzëninë apo fertilitetin. Për mjekun e rëndësishme është të kontrollohet aktiviteti i sëmundjes, prandaj ne nuk këshillojmë shtatzëni te një paciente me sëmundje aktive. Preparatet që përdoren për këto sëmundje frenojnë sistemin imunitar për të shuar në një farë mënyre luftën që qelizat imunitare bëjnë ndaj qelizave të vetë organizmit.

Shpesh pacientët pyesin për efektet anësore. Sigurisht që kanë efekte anësore, por kur peshorja anon nga efektet pozitive në trup, këto preparate janë e vetmja zgjidhje për të kontrolluar sëmundjen. Janë e vetmja rrugë shpëtimi që u mundëson një jetë normale të sëmurëve. Efektet anësore shmangen duke bërë kontrolle të rregullta çdo 2-3 muaj te mjeku me disa analiza të thjeshta që na ndihmojnë të shohim funksionin e organeve kryesore. Pacientët që marrin këto medikamente u këshillohet vaksinimi çdo vit kundër gripit dhe një herë në 5 vjet ndaj pneumokokut për t’i mbrojtur nga këto infeksione./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here