Gjashtë vite pas reformës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar, Shqipëria përgatit një tjetër reformë ligjore. Projektligji i ri “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”[1], i hedhur për konsultim publik më 28 gusht 2026, premton një qasje më të gjerë ndaj aksesueshmërisë, autonomisë dhe jetesës së pavarur. Por përvoja e zbatimit të modelit bio-psiko-social, ashtu si edhe e kuadrit ligjor të mëparshëm për personat me aftësi të kufizuara, ngre një pyetje thelbësore: përtej të drejtave të shkruara në ligj, kur do të mund t’i gëzojnë ato realisht personat me aftësi të kufizuara?
Ishte viti 2019 kur Shqipëria ndryshoi mënyrën e vlerësimit të aftësisë së kufizuar, duke kaluar nga një qasje kryesisht mjekësore drejt modelit bio-psiko-social. Sipas institucioneve përgjegjëse, reforma synonte ta vendoste personin në qendër të procesit, duke mos u ndalur vetëm te diagnoza apo dëmtimi shëndetësor, por duke marrë në konsideratë funksionalitetin e individit, pjesëmarrjen e tij në shoqëri dhe barrierat sociale e mjedisore me të cilat përballet.
Në parim, ndryshimi ishte thelbësor. Ai nënkuptonte një zhvendosje nga një sistem që fokusohej kryesisht te gjendja mjekësore e individit, drejt një qasjeje që kërkon të kuptojë çfarë mund të bëjë personi, cilat pengesa kufizojnë pjesëmarrjen e tij dhe çfarë mbështetjeje i nevojitet për të jetuar në mënyrë sa më të pavarur.
Por gjashtë vite më pas, pyetja është nëse kjo qasje ka arritur të ndryshojë realisht jetën e personave me aftësi të kufizuara. Gjetjet e raportit “Mbi efektet e zbatimit të skemës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazuar në modelin bio-psiko-social” tregojnë se, pavarësisht ndryshimit të modelit, në praktikë vazhdojnë të ekzistojnë barriera të rëndësishme në procesin e vlerësimit dhe në aksesin në mbështetje e shërbime. Mungesa e kapaciteteve të specializuara, problemet e infrastrukturës, vështirësitë e koordinimit ndërmjet profesionistëve dhe kërkesa për paraqitje fizike edhe në raste kur personi e ka të pamundur të udhëtojë, dëshmojnë hendekun mes parimit të reformës dhe zbatimit të saj në terren.
Dhe pikërisht në këtë realitet shfaqet projektligji i ri. Ai premton të shkojë një hap më tej: nga vlerësimi i aftësisë së kufizuar te vlerësimi i nevojave, nga mbështetja financiare te shërbimet dhe jetesa e pavarur, dhe nga koncepti i aksesit fizik te aksesueshmëria në informacion, shërbime, transport, teknologji dhe komunikim.
Por përvoja e reformës së vitit 2019 ngre një pikëpyetje që nuk mund të anashkalohet: a do të sjellë projektligji një ndryshim real në jetën e personave me aftësi të kufizuara, apo do të shtojë një tjetër shtresë të drejtash të garantuara në letër, por të vështira për t’u realizuar në praktikë?
Aksesueshmëria dhe testi i zbatimit
Një nga risitë më të rëndësishme të projektligjit është zhvendosja e fokusit nga statusi i aftësisë së kufizuar te nevojat konkrete të personit. Neni 37 parashikon që komisionet multidisiplinare të vlerësojnë jo vetëm aftësinë e kufizuar, por edhe nevojat për shërbime, mjete ndihmëse dhe përkujdesje, bazuar në Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësive të Kufizuara dhe Shëndetit (ICF) dhe duke marrë në konsideratë faktorët socialë. Nëse kjo qasje zbatohet realisht, ajo do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm: personi nuk do të trajtohej thjesht si përfitues i një statusi apo pagese, por si subjekt i të drejtave, me nevoja konkrete që sistemi duhet t’i identifikojë dhe t’u përgjigjet.
Por pikërisht këtu përvoja e gjashtë viteve të zbatimit të modelit bio-psiko-social ngre pikëpyetje serioze. Raporti i Together for Life evidenton mungesë të profesionistëve dhe kapaciteteve për një vlerësim realisht multidimensional: 50% e të anketuarve raportuan probleme me komponentin psikologjik, ndërsa 20% evidentuan mungesë koherence dhe koordinimi brenda komisioneve multidisiplinare. Kjo e zhvendos debatin nga ajo që premton ligji te ajo që mund të zbatojë sistemi: a është përgatitur stafi, a janë siguruar burimet dhe a ekzistojnë shërbimet që duhet t’u përgjigjen nevojave të identifikuara?
E njëjta sfidë shfaqet edhe te koncepti i aksesueshmërisë. Projektligji e zgjeron atë përtej barrierave fizike, duke përfshirë transportin, informacionin dhe komunikimin, shërbimet bankare, tregtinë elektronike, librat elektronikë dhe shërbimet e urgjencës. Por raporti evidenton se edhe në aksesin në informacion dhe shërbimet digjitale, përfshirë e-Albania, masa të planifikuara për përmirësimin e aksesueshmërisë nuk ishin realizuar ende.
Kjo e bën zbatimin pikën më kritike të reformës së re. Projektligji është më ambicioz në njohjen e të drejtave, por një pjesë e rëndësishme e mekanizmave të zbatimit do të përcaktohet më tej me akte nënligjore, përfshirë kriteret dhe procedurat e aksesueshmërisë së shërbimeve dhe organizimin e asistencës personale, të parashikuara të rregullohen brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Në këtë kuptim, miratimi i ligjit nuk është fundi i reformës, por fillimi i testit të saj real. Sepse suksesi nuk do të matet me numrin e të drejtave të shkruara në ligj, por me sa prej tyre do të mund të ushtrohen realisht nga personat me aftësi të kufizuara.
Testi i vërtetë është zbatimi
Në fund, suksesi i projektligjit të ri nuk do të matet me numrin e të drejtave të shkruara në ligj, fondet e parashikuara apo aktet nënligjore të miratuara. Ai do të matet me barrierat që arrin të heqë nga jeta e personave me aftësi të kufizuara.
Reforma e vitit 2019 synoi të ndryshonte mënyrën se si shteti e vlerëson aftësinë e kufizuar. Projektligji i ri synon të ndryshojë mënyrën se si garantohen aksesi, autonomia dhe përfshirja. Por të dyja kanë një pikë të përbashkët: vlera e një reforme përcaktohet jo nga ajo që premton në letër, por nga ajo që ndryshon në jetën e njerëzve.
Prandaj, sfida e vërtetë fillon me zbatimin. Një e drejtë që nuk mund të ushtrohet, një shërbim që nuk mund të aksesohet apo një mbështetje që nuk mbërrin te personi që ka nevojë për të, mbetet vetëm një e drejtë formale.
Pyetja që duhet të shoqërojë këtë reformë është, ndaj, e thjeshtë, por thelbësore: a do të mundet një person me aftësi të kufizuara, falë këtij ligji, të lëvizë më lirshëm, të marrë shërbimet për të cilat ka nevojë, të vendosë për jetën e vet dhe të marrë pjesë në shoqëri pa u përballur me të njëjtat barriera?
Nëse përgjigjja është po, atëherë Shqipëria do të ketë bërë kalimin nga statusi te e drejta, nga pagesa te mbështetja dhe nga letra te jeta reale.
Nëse jo, rreziku është që të kemi sërish një reformë progresive në letër, ndërsa barrierat vazhdojnë të mbeten aty ku kanë qenë: në jetën e përditshme të njerëzve.

