Shoqata Together For Life, edukim ligjor për shoqatat e pacientëve

Elona Tereziu, Enkel Xhangoli

Shoqata “Together for life” ka zhvilluar sot seancën e dytë trajnuese për rrjetin e shoqatave të pacienteve lidhur mbi njohjen e të drejtave ligjore të pacientëve.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga Shoqata e pacientëve më Diabet, Europa Donna Albania, Sue Ryder Albania, Shoqata e pacientëve të Hemiodilalizës , përfaqësues nga Shoqata e pacientëve me Hepatite, si dhe persona të tjerë të interesuar.

Ledia Muraku, eksperte ligjore, shpjegoi për të pranishmit të gjitha hapat dhe procedurat ligjore që duhen ndjekur në rast konstatimi të shkeljes së të drejtave të tyre, duke iu drejtuar tri institucioneve  përkatëse, si ai i Avokatit të Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Institucionet Gjyqësore, ndërkohë që solli shembuj suksesi të ndjekjes së këtyre rasteve.

“Avokatit të Popullit, mund t’i drejtohemi me anë të një kërkese në çdo rast  shkelje të të drejtave tona, neglizhencë ose keqveprim të institucioneve shtetërore, ose nëse jeni viktimë e një padrejtësie. Mund t’i drejtohemi si individ ose si grup individësh, ajo që duhet marrë parasysh është kërkesa e cila duhet të jetë e mirëpërcaktuar dhe jo anonime’’, informoi Ledia Muraku.

Avokati i Popullit ka vetëm target rekomandues dhe vetëm mbi institucionet shtetërore.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mund t’i drejtoheni vetëm për çështje të tilla si: diskriminimi ose trajtimi i pabarabartë në shërbim spitalor. Mund t’i drejtoheni si individ i vetëm, si grup individësh, ose si organizata me interes legjitim. Ndryshe nga Avokati i Popullit, përveç institucioneve publike mund t’i drejtoheni edhe për institucionet private.

Gjykata është hallka  tjetër në të cilën çdo qytetar mund të drejtohet në rast se ndaj tij është  bërë mjekim i pa kujdesshëm apo nuk u është dhënë ndihma e  nevojshme. Me shqyrtimin e rastit nga Gjykata, dhe në rast se qytetari fiton gjyqin penal, ka të drejtën e dëmshpërblimit”, shtoi ajo.

Alma Sheme, përfaqësuese nga Shoqata e Pacienteve me Hemodializë ngriti problemin e çështjes së transportit  për pacientët me hemodializë, ku theksoi se aktualisht janë 70 persona që nuk marrin rimbursimin e transportit.

‘’Ne kemi ngritur dhe një komision brenda drejtorisë së QSUT-të për këtë çështje, por nuk gjetëm zgjidhje. Ja kemi çuar ministrit të asaj kohe, Ilir Beqaj, nuk morëm përgjigje. Aktualisht janë 70 pacientë që nuk marrin rimbursim, çfarë duhet të bëj unë në këtë rast?!”

Nga ana e saj, përfaqësuesja ligjore Ledia Muraku theksoi se nuk duhet të dorëzohemi përballë këtyre rasteve. Kemi institucionin e Avokatit të Popullit, kemi Gjykatën, të cilëve mund t’i drejtohemi dhe t’i nxisim vazhdimisht për kërkesat tona”.

Ndërkohë që përfaqësuesja e Shoqatës së Pacientëve me Diabet, Suela Kapedani, duke kërkuar zgjidhje, ngriti çështjen e rimbursimit të fishave për pacientët e rinj me diabet, ku theksoi  se pavarësisht se për këtë është miratuar një fond i posaçëm, ende nuk është vënë në zbatim.

Një tjetër çështje me interes gjatë diskutimit ishte dhe ligji për transplantin e veshkave, ku Ardiana Çapi, përfaqësuese e Shoqatës së Farmacisteve, theksoi se kjo është një çështje shumë e ndjeshme që duhet parë.

“Aktualisht në Shqipëri, sipas ligjit për transplantin e veshkave, një person mund të bëhet dhurues vetëm për rrethin e tij familjar. Po për ata persona që nuk kanë familjarë, janë jetim ose të braktisur, çfarë ndodh në këtë rast?! Prandaj unë e vë theksin tek Eurotransplanti, që një veshkë të dhurohet jo vetëm nga familjarë, por të vijë edhe nga jashtë.

Një pyetje me interes në fokusin e pjesëmarrësve ishte edhe roli i institucionit të ndërmjetësuesit, ku të pranishmit iu drejtuan ekspertes ligjore, znj. Muraku, nëse mund t’i çojnë këto çështje për zgjidhje në këtë institucion.

Znj. Muraku shpjegoi se, ndërmjetësuesi është një ent privat, që rrit kosto pasi duhet paguar. Ai thjesht arrin marrëveshje mes dy palëve, duke nënshkruar një kontratë përpiluese, dhe nuk zgjidh problemin mes tyre.

Në përfundim të këtij trajnimi, përfaqësuesit e shoqatës “Together for life” u shprehën të gatshëm në mbështetje të forcimit të zërit të pacientëve, ndërkohë që theksuan se trajnime të tilla do të kemi edhe në vijim./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit