Bisedoi: Elena Beta
Ekrani e kërkon të bukurën. Shota Baraliu është një prej atyre që ka këmbëngulur fort për të realizuar dëshirat e saj, teksa tashmë ndodhet mes këngës dhe aktrimit, edhe pse këtë të fundit e ka përparësinë e saj. Gjithnjë në formë të mirë fizike, në një intervistë për gazetën “Shëndet+” ajo thotë se i është dashur të bëjë përpjekje për një trup të mirë dhe se është e kujdesshme duke u mundur të hajë shëndetëshëm dhe të stërvitet fizikisht.
Më poshtë lexoni gjithë mendimet e Shotës për familjen, bukurinë, ushqimin mjekët dhe gjërat e rëndësishme të jetës.
Çfarë është shëndeti për një këngëtare si ty, Shota?
Në fakt jo vetëm për mua, por për çdo njeri shëndeti është gjëja më e rëndësishme në jetë. Shëndeti është vetë jeta, ndaj dhe përpiqem ta ruaj atë sa më shumë.
Ç’mund të thuash për marrëdhënien me mjekun? Shkon shpesh apo vetëm kur ndjen ndonjë shqetësim dhe nuk ke zgjidhje tjetër?
Të them të drejtën, nuk është se jam frekuentuese e madhe e mjekëve. Shkoj për vizitë vetëm nëse shoh se e kam të nevojshme për shkak të ndonjë problemi shëndetësor. Megjithatë, ndryshe nga shumë njerëz, jam e prirur që të bëj analiza shpesh. Në këtë mënyrë e ruaj shëndetin tim.
Po me dentistin si i ke marrëdhëniet?
Kam marrëdhënie të mirë me të. Madje, nëse shumë e kanë fobi dentistin, unë e kam kënaqësi. Ndoshta kjo lidhet edhe me faktin se shkollën e mesme e kam mbaruar për stomatologji. Sigurisht duhet të jem e rregullt së paku te dentisti. Mendoj se bukuria e çdo njeriu janë dhëmbët (goja).
Ti prezantohesh gjithnjë në një formë të shkëlqyer fizike. Mund të na tregosh ndonjë sekret që të ndihmon (palestra, ushqimi që konsumon, aktivitetet fizike) apo forma jote është thjesht gjenetike?
(Qesh) Joo, nuk e kam absolutisht në gjen që të jem e dobët, madje mund të them se njerëzit e familjes nuk ikam aq të dobët sa mund të mendoni. Ama kujdesem shumë për veten time. Merrem rregullisht me palestër, bukën e bardhë e kam eliminuar nga regjimi im ushqimor, si dhe mundohem të konsumoj sa më shumë sallatë. Këto më ndihmojnë që të mbaj një formë të mirë fizike.
Mëngjesi konsiderohet vakti më i rëndësishëm për mirëqënien e trupit, ç’mund të na thuash për mëngjesin tënd të preferuar? Çfarë përfshin ai?
Nuk mund të them se jam një model i mirë kur flitet për vaktin e mëngjesit. Kjo për arsye se mëngjesin nuk e ha kurrë. Një gjë e tillë kushtëzohet edhe nga fakti se kur jam e lirë zgjohem shumë vonë, madje hera-herës zgjohem në mesditë. Por edhe nëse zgjohem herë, pi vetëm kafe deri në orën 1 të drekës. E di që nuk është e shëndetshme të mos hash mëngjes, por mendoj se varet edhe si e mëson organizmin dhe i imi tani është përshtatur me këtë regjim. Shpresoj që në të ardhmen mos të kem probleme.
Shota, veçse si këngëtare, ti je e njohur edhe në aktrim. Nëse do të të duhej të zgjidhje, do të preferoje këngën apo aktrimin?
Është e padiskutueshme që do të zgjidhja aktrimin, sepse megjithëse shumë mund të mos e dinë, aktrimi është profesioni im. Dhe e gjithë jeta ime është art. Muzika është më shumë pasion sesa profesion.
Femrat në përgjithësi paragjykohen. Mendon se një vajzë ka shumë sfida në botën e artit?
Femrat në përgjithësi hasin vështirësi pa fund që në fillimet e karrierës. Ka rëndësi se nga kush përkrahen dhe sigurisht që u duhet dikush që t’i përkrahë, minimalisht duke i këshilluar se si duhet të ecin. Unë si karakter jam e guximshme, energjike dhe këmbëngulëse e si rrjedhojë jam munduar të arrij aq sa kam mundur, totalisht me forcat e mia. Por sigurisht që jam përballur edhe me vështirësi gjatë rrugës.
Çfarë mendon për personat që përdorin dieta drastike për të rënë nga pesha?
Dietat drastike nuk i preferoj. Shumë kohë më parë kam qenë më e shëndoshë, kam provuar çdo lloj diete dhe nuk kam pasur asnjë ndryshim. Kështu që e kam humbur tërësisht besimin dhe nuk do t’ia rekomandoja askujt të mbajë dieta drastike. Tani mund t’i këshilloj të gjithë që nëse duan të bien nga pesha, mjaftojnë të eliminojnë yndyrnat dhe brumërat, pak aktivitet fizik dhe trupi juaj do t’ju jetë mirënjohës.
Po për operacionet plastike? Je pro tyre?
Nuk jam kundër operacioneve plastike. Mendoj se kur të jetë e nevojshme, edhe unë mund t’u nënshtrohem.
Të gjithë e kanë një pikë të dobët? Cila është e jotja?
Nuk di çfarë të them. Pika ime e dobët është familja që kam. Dhe mezi po pres të krijoj familjen time. Ata do të jenë gjëja më e rëndësishme dhe pika ime e dobët. S’do të lejoj askënd të m’i prekë. Sa për gjërat e tjera në jetë, mendoj se gjithçka shkon e vjen. Familja është ajo që mbetet gjithnjë.
Ke ndonjë projekt të afërt me të cilin do të vish më pranë publikut dhe fansave të tu?
Po. “Stand up comedy”. Madje kam filluar edhe punën. Nuk e di ende kur do ta nxjerr, gjithsesi, jam duke punuar. Ndërkohë, shumë më shpejt do t’i prezantohem publikut me një emision timin. Për më shumë detaje, po lë kohën si dëshmimtare
Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet+”
Të them të drejtën, ju lexoj gjithmonë me kënaqësi. Ju ndjek në këshillat që jepni për shëndetin dhe mundohem që t’i përmbahem. Ndaj ju kam rekomanduar tek të gjithë miqtë e mi.


