Shtohen vetëvrasjet me fostoksinë: Shkak, plaga sociale!

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Rastet e njerëzve që vendosin t’i japin fund jetës me fostoksinë janë të shpeshta. Mjekët e urgjencës së QSUT-së thonë për gazetën “Shëndet+” se çdo muaj paraqiten në urgjencë mosha kryesisht të reja që kanë tentuar vetëvrasjen. Numri fatkeqësisht është në rritje, teksa thuhet se për fostoksinën nuk ka antidot. Psikologët thonë se shkak kryesor për faktin që njerëzit tentojnë vetëvrasjet janë problemet ekonomike, ndërkohë që fostoksina mund të gjendet kudo, nga të gjithë, madje edhe përpara Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ilir Ohri

Doktor Ilir Ohri duke folur për gazetën “Shëndet+”

Ohri: Fostoksina ka hyrë masivisht. Rastet që shpëtojnë, të rralla.

Shefi i shërbimit të reanimacionit, Ilir Ohri, i kontaktuar nga gazeta “Shëndet+” thotë se po rritet numri i njerëzve që përdorin fostoksinën si mënyrë për t’i dhënë fund jetës.

“Ka plot raste me fostoksinë. Tani që flasim sapo ndërroi jetë njëri me fotoksinë. Nuk ka antidot dhe është vdekjeprurëse. Për numrin e saktë, mund të flisni me toksikologjinë. Çdo i sëmurë që vjen, regjistrohet prej tyre. Edhe pse pjesa më e madhe nuk kanë fatin të kalojnë në pavione, pasi ndërrojnë jetë këtu. Me fostoksinë janë shumë të rralla rastet që shpëtojnë.

“Krahasimisht me vitet e tjera ka një rritje të numrit. Përgjithësisht janë moshat 30-40 vjeç. Ata që kanë probleme familjare kryesisht. Në një periudhë na u duk se pati një përmirësim. Por, jo!”

Pampuri: Fostoksina e kudogjendur, e lehtëson ndërmarrjen e hapit fatal

orjola-pampuri

Psikologia Orjola Pampuri duke folur për gazetën “Shëndet+”

Lidhur me arsyet që i shtyjnë njerëzit që të ndërmarrin një hap të tillë fatal, gazeta “Shëndet+” kontaktoi me psikologen Orjola Pampuri, e cila thotë: “Individi, i shtyrë nga stresi apo ankthi i vazhdueshëm (kronik), mund të lodhet, mund të mos përballojë më realitetin me të cilin po përballet, problemet sociale si: dhunë në familje, në punë e në shkollë, papunësinë, bullizmi në shkollë, shoqëri e në punë, probleme ekonomike të mëdha e të vazhdueshme e shumë të tjera që mbizotërojnë më shumë se kurrë vitet e fundit”.

Pse zgjedhin fostoksinën? “Sepse është një helm që tregtohet kudo dhe mund ta blejë kushdo në mënyrë të pakontrolluar. Ndoshta problemi që njerëzit kanë, është më i madh se dhimbja apo pasojat  që ka fostoksina”.

Por cila do të ishte zgjidhja sipas psikologes Pampuri? “Të kurohej plaga social-ekonomike që ka cenuar shëndetin mendor të shoqërisë sonë dhe që po sjell pasoja fatale”.

fostoksine-rruges

Helme që shiten në rrugë, pranë QSUT-së

Zaka: Si vepron fotoksina në organizëm, pse shpëtimi është thuajse i pamundur?

Por a duhet të dimë diçka për fostoksinën? Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, farmakologia Aida Zaka tregon se si vepron fotoksina në organizëm.

aida-keci-zaka“Fosfidi i aluminit (fosfid alumini) ose si njihet në gjuhën e popullit fostoksina është një komponim shumë toksik inorganik. Është në formë pluhuri, si dhe në formë tabletash. Fosfidi i aluminit është përdorur si një rodenticide, insekticid dhe fumigant për ruajtjen e drithërave. Është përdorur për të vrarë gjitarët e vegjël, si molet dhe brejtësit.

“I njohur si “tabletë oriz” në Iran, për përdorimin e tij për ruajtjen e orizit, ka pasur incidente të shpeshta, vdekje aksidentale apo të qëllimshme. Ka një fushatë nga Organizata Iraniane e Mjekësisë Ligjore për të ndaluar përdorimin e tij si pesticid, madje vlen të theksohet që në shumë vende tashmë është hequr nga përdorimi për shkak të dëmeve dhe përdorimit jo korrekt.

“Rrugët kryesore të ekspozimit ndaj fostoksinës ose fosfidit aluminit janë nëpërmjet gëlltitjes dhe frymëmarrjes. Të dyja këto rrugë janë shumë të rrezikshme. Simptomat kryesore të një helmimi të lehtë nga fostoksina përfshijnë të përziera, dhimbje barku, ngushtësi në gjoks, eksitim, shqetësim, agjitacion dhe të dridhura.

“Simptomat e një helmimi më të rëndë përfshijnë: diarre, cianozë, vështirësi në frymëmarrje, edemë pulmonare, takikardi (impuls të shpejtë) dhe hipotension (presionit të ulët të gjakut), marramendje deri dhe në vdekje”.

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin