Gjergji Bizhga, kirurg- otorinolaringolog
Në praktikën e komunikimit të përditshëm mjekësor e quajmë “shtrembërimi i kockës së hundës”. Në fakt është një formacion kartilago- kockor, që ndan hundën në dy pjesë, teorikisht të barabarta. Vetëm në shumë pak raste realizohet një ndarje e tillë e kavitetit nazal, dhe kjo ndodh për disa arsye:
Së pari: kjo strukturë formohet si pasojë e kontributit të disa kockave dhe kartilagove
Së dyti: gjatë rritjes, struktura osteo-kartilaginoze e përfundon procesin e rritjes në kohë relativisht të ndryshme dhe si pasojë kemi zhvendosje të kockave apo kartilagove nga plani linear, pasi kjo duhet të formohet si një formacion i drejtë kartilago-kockore që ndan kavitetetin nasal në dy pjesë të barabarta.
Së treti: një rol të rëndësishëm luan trashëgimia në krijimin e këtij deformimi strukturor në hundë.
Së katërti: duhet të merren në konsideratë dhe traumat fizike që mund të shkaktojnë deformim të septumit qysh në jetën intrauterine, gjatë lindjes dhe traumat e tjera, që mund të shkaktohen përgjatë gjithë jetës.
Deviacionin mund ta konstatojmë në një numër të madh pacientësh, por jo në të gjitha rastet është objekt për ndërhyrje kirurgjikale. Një rol të madh këtu luan eksperienca e mjekut për përzgjedhjen e pacientëve për ndërhyrje kirurgjikale që quhet “Septoplastikë”, pasi mund të vërejmë deformime të mëdha dhe paraqiten dëmtime apo ankesa të vogla lokale dhe të përgjithshme, sikurse mund të kemi deformime të vogla por paraqesin ankesa të mëdha lokale dhe të përgjithshme.
Dua të veçoj se hunda kryen dy funksione kryesore:
E para është organi kryesor i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, dhe si e tillë bën pastrimin e ajrit që thithim nga grimcat e pluhurave të natyrave t ë ndryshme, mikrobet, viruset, myku. Bën ngrohjen dhe lagështimin e tij, pra, në formë më të përgjithësuar, bën përgatitjen e tij për në rrugët e poshtme të frymëmarrjes.
Funksioni i dytë i rëndësishëm është nuhatja e cila është e lidhur me receptorët e shijes që gjenden në kavitetin oral, kryesisht në gjuhë. Hunda është një organ shumë i specializuar që do t’ia kalojë çdolloj teknologjie elektronike të shpikur deri tani nga mënyra se si funksionon. Hunda kryen dhe shumë funksione të tjera si pjesë integrale e organizmit në përgjithësi.
Në lidhje me funksionin frymëmarrës, hunda është porta kryesore e komunikimit me ambientin e jashtëm dhe si e tillë, ajo luan rol kryesor në pastrimin,neutralizimin e mikroorganizmave, organizmin e imunitetit lokal dhe të përgjithshëm, lagështimin dhe ngrohjen e ajrit që thithim së bashku me sinuset paranazale, dhe rrugët e sipërme të frymëmarrjes përgatisin ajrin dhe e thithin për rrugët e poshtme të frymëmarrjes, ku ndodh procesi i oksigjenimit të gjakut arterial në nivelin e alveolave pulmonare.
Në rastet e deviacioneve, ndodh prishje e funksioneve të hundës në mënyrë graduale. Pacienti këtë ndryshim shpesh nuk e vëren sepse frymëmarrjen e kompenson me gojë dhe krijon një mënyrë të re funksionimi, që në disa raste nuk i shkakton pasoja të dukshme apo mësohet me atë mënyrë funksionimi, dhe vazhdon të mos e vlerësojë fare problemin për një kohë të gjatë.
Në shumë raste, pacienti paraqitet tek mjeku në lidhje me problemet që i janë shfaqur si pasojë e deviacionit, por ai ato i paraqit si problem që i janë shfaqur dhe nuk e di shkakun e vërtetë.
Ankesat që lidhen me deviacionet më të shpeshta janë:
- bllokimi i frymëmarrjes me hundë, që mund të jetë i lehtë i moderuar, apo i plotë nga njëra anë ose nga të dyja
- dhimbje koke
- sekrecione nazale, ku në shumicën e rasteve kalojnë nga hunda në gojë, sidomos në mëngjes, pasi grumbullohen gjatë natës në sinuse dhe zbrazen në mëngjes
- ulja e nuhatjes
- erë e keqe nga goja
- sëmuren vazhdimisht nga sinusitet
- bajamet
- fyti
- laringiti
- sëmundjet pulmonare
Një ankesë shumë e rëndësishme është gërhitja gjatë gjumit, që shpeshherë shoqërohet dhe me pauza apneje gjatë gjumit. Ky është kontigjenti që zë vendin e parë në rastet e vdekjeve të papritura gjatë natës, si pasojë e çrregullimeve elektrike që shfaqen në zemër si pasojë e atakëve të zgjatura të apnesë.
Shpesh pacientët nuk ankojnë për vështirësi në frymëmarrje, pasi, ose janë mësuar me të, ose realisht marrin frymë me hundë. Frymëmarrja me hundë nuk ka rëndësi vetëm ne anën sasiore por dhe në anën cilësore, pasi, një person mund të marrë frymë me hundë nga ana sasiore, por, kur në hundë gjendet një problem, atëherë nuk kemi shpërndarje pak a shumë të barabartë të sasisë së ajrit në të dyja kavitetet nazale, kështu që pjesa që merr më shumë ajër nuk është në gjendje ta përpunojë plotësisht, ndërsa pjesa tjetër, duke kryer më pak funksion se kapaciteti i saj, pëson dhe kjo ndryshime që të dyja në thelb cenojnë cilësinë e funksionimit të hundës në përgjithësi.
Ajri që thithim në mushkëri, pa u përpunuar nga rrugët e sipërme të frymëmarrjes, patjetër që do ta mbingarkonte sistemin alveolar të mushkërisë me pluhura, mikrobe dhe ajër të thatë, që pasqyrohet fillimisht me moszhvillim sa duhet të mushkërisë dhe kraharorit, dhe patjetër do të ndikonte në zhvillimin e organizmit në përgjithësi, pasi mushkëria oksigjenon gjakun që vete në çdo qelizë të trupit.
Me kalimin e viteve, kjo do të pasohet me pasoja edhe më të rënda, pasi një mushkëri e sëmurë do të sëmurë zemrën dhe gjithë sistemet preken në mënyra të ndryshme. Duhet të kemi parasysh që çdo individ ka veçoritë e tij individuale në drejtim të rritjes dhe të imunitetit në përgjithësi, sikundër ndikojnë dhe kushtet e jetesës, zakonet e të jetuarit apo kushtet e punës, megjithatë veçoritë individuale gjithmonë duhen të merren parasysh, pasi kjo përbën dhe diferencën pse dy persona me të njëjtin problem nuk mund të kenë të njëjtat ankesa. Ajo që nuk ndryshon është se hunda është një organ i rëndësishëm dhe problemet korrigjohen relativisht lehtë me procedura të thjeshta kirurgjikale.
Nëse natyra të ka bërë të fortë dhe i zgjidh në kohë problemet që lidhen me funksionin e hundës, sigurisht që do bëhesh dhe më i fortë dhe do të jetosh më gjatë dhe më mirë. Dhe ai që natyra e ka bërë më të dobët, nëse gjërat i korrigjon në kohë dhe siç duhet, duke i njohur dobësitë e tij në lidhje me shëndetin, mund të jetojë më gjatë dhe më mirë se ai që natyra e ka bërë të fortë por nuk i merr në konsideratë disa gjëra, që në dukje realisht janë të vogla, por sjellin dëme të mëdha, duke cenuar cilësinë e jetës dhe duke e shkurtuar atë./ https://shendeti.com.al/


