Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al“: Marsela Aliaj
Jeta në zyrë nuk është gjithmonë e lumtur, duke qenë se ekzistojnë shumë gjëra që mund të të prishin humorin. Duke filluar nga një shef i rreptë, tek kolegë të mërzitshëm, afatet e punëve që janë akoma pa u nisur, kurrë nuk dihet se kur efekti i stresit do të godasë. Nëse jeni një nga ata persona jeta e të cilëve në zyrë po shkon gjithnjë e më keq, atëherë duhet të shikoni për mënyra se si të largoni stresin e tepërt, përpara se ai të bëhet një problem shumë i madh për shëndetin.
Jini të rregullt
Sipas disa kërkimeve, një tryezë e parregullt ose një ambient jo i pastër mund të nxisë hormonin e stresit. Kjo nuk do të thotë të filloni të pastroni të gjithë zyrën, por të paktën të siguroheni se tavolina ku ju punoni ose edhe ambienti rrotull jush të jetë i pastër, ose të paktën të mos jetë shumë rrëmujë.
Fokusohuni vetëm tek një punë
Shumë persona përpiqen t’i bëjnë të gjitha punët njëkohësisht në mënyrë që të kursejnë kohë. Edhe pse shefi juaj mund të mbetet i kënaqur nga dëshira dhe zelli për të punuar, në fakt jeni duke i bërë vetes një dëm të madh. Në një kohë afatgjate po i shkaktoni vetes shumë stres. Mbi të gjitha, ekziston mundësia të bëhen gabime në një punë nëse përqendrimi për të nuk është maksimal. Në qoftë se nuk doni që stresi t’ju shkatërrojë jetën, atëherë mirë do të ishte të fokusoheni në një punë dhe pasi ta mbaroni kaloni tek tjetra.
Shmangni shpërqendrimet
Shpërqendrimet janë të pashmangshme kur jeni në një zyrë. Zilet e telefonit, njerëzit që flasin e shumë gjëra të tjera që normalisht tërheqin vëmendje. Kjo bën që të mos mundeni të përqendroheni në punën që keni në dorë, gjë e cila është shumë stresuese nëse bëhet fjalë për diçka të rëndësishme. Meqë nuk mund të hiqni të gjithë telefonat dhe as që mund t’ju kërkoni kolegëve të pushojnë, gjëja më e mirë që mund të bëni është të shkruani një memo. Kështu do të dini se çfarë është gjëja e fundit që keni qenë duke bërë dhe do t’i kurseni vetes shumë kohë.
Bëni një shëtitje të vogël
Nuk është surprizë që jeta në zyrë mund të bëhet ndonjëherë e padurueshme, por në vend që ta stresoni veten për çdo gjë të vogël, bëni mirë të shkëputeni. Do të thotë të largoheni qoftë edhe për disa minuta nga ambienti ku po punoni dhe shëtisni rreth zyrës ose në ambientet e jashtme. Kjo do t’ju lehtësojnë mendimet dhe do të reduktojë nivelin e stresit.
Jini të ndërgjegjshëm
Meditimi mund të ulë shumë nivelin e stresit, por meqë në një zyrë nuk mund t’i gjesh 30 minuta për të praktikuar meditimin , ndërgjegjësimi mund të ketë të njejtin efekt pozitiv në këtë rast.
Për 10 sekonda përpiquni të fokusoheni në trupin tuaj. Në mënyrën si merrni frymë, në rrahjet e zemrës dhe mendimet tuaja. Përcaktoni se si ndiheni dhe nëse ka ndonjë dhimbje apo shqetësim që po ju pengon të punoni. Në këtë mënyrë mund të përcaktoni shumë lehtë se cili është problemi që po ju shkakton stres.
Burimi: 1 Million Health Tips / https://shendeti.com.al/


