Kryefaqja Estetike Si të kujdesemi për lëkurën dhe flokët pas pushimeve

Si të kujdesemi për lëkurën dhe flokët pas pushimeve

0
Shpërndaje

Ditëve të gjata në plazh, shumë shpejt u vjen fundi dhe sapo i rikthehemi rutinës sonë të përditshme, vëmë re se pamja jonë ka nevojë për një shndërrim total. Flokët janë gjëja e parë për të cilën duhet të shqetësohemi kur kthehemi nga pushimet. Sado që përpiqemi t’i rregullojmë apo stilojmë si duhet, ka diçka që nuk shkon dhe nuk dimë se çfarë të bëjmë. Gjatë kësaj kohe, mund të vini re një ndryshim në ngjyrën e flokëve, që mund të jenë bërë një tonalitet më të çelura, ose janë tharë shumë ose u është prishur forma. Nëse ngjyra e re që flokët tuaj kanë marrë pas plazhit, ju pëlqen, mbajeni, përndryshe, vraponi për te parukierja/parukieri.

Hapi i 1: Eksfoljoni

Hapi i parë i kujdesit të lëkurës post-pushimeve është pastrimi i thellë i lëkurës, me qëllim largimin e qelizave të vdekura. Eksfoljoni lëkurën e fytyrës me një eksfoliues jo shumë agresiv, për të larguar qelizat e vdekura dhe për t’i rikthyer asaj shkëlqimin dhe butësinë. Edhe lëkura e trupit ka po aq nevojë për rigjenerim, sa dhe fytyra. Përdorni një krem ose maskë eksfoljuese, një herë në javë, në lëkurën e trupit.

Hapi i 2: Hidratoni lëkurën sipas llojit

Edhe nëse nuk kuptohet menjëherë, lëkura e humbet në mënyrë të vazhdueshme lagështinë gjatë muajve të ngrohtë dhe me diell. Sidoqoftë, mos ndiqni parimin “më shumë është më mirë”, duke përdorur produkte të papërshtatshme për lëkurën tuaj (më shumë yndyrore ose përtharëse). Përkundrazi përdorni produkte që mbajnë ujin në lëkurë dhe ndihmojnë në hidratimin e saj.

Hapi i 3: Anti-oksidantët

Në formë kremi apo serumi, ampulash apo maskash, anti-oksidantët nuk duhet të mungojnë në përkujdesjen pas plazhit. Thjesht konsumimi i ushqimeve të pasura me antioksidantë, mund të mos jetë i mjaftueshëm, që lëkura të ketë rezultate të dukshme menjëherë. Kështu që, aplikimi i ankti-oksidantëve në mënyrë natyrale në lëkurë dhe flokë, mund të ndihmojë që qelizat tona të rikuperohen më shpejt nga dëmtimet e diellit. Disa nga anti-oksidantët më të këshilluar në këtë periudhë : Vitamina C, Vitamina A(Retinol), Vitamina E, etj.

Hapi i 4: Zbusni dhe ushqeni buzët

Buzët mund të dëmtohen lehtësisht nga dielli, kështu që shpresojmë të keni aplikuar një balsam buzësh me SPF gjatë verës. Megjithatë buzët sërish mund të thahen. Fillimisht ju sugjerojmë një eksfolim të lehtë të buzëve dhe më pas, përdorim të rregullt të një balsami hidratues ose ushqyes, për të rikuperuar ujin e humbur gjatë verës, por edhe për të parandaluar dëmtimin e buzëve gjatë dimrit.

Hapi i 5: Kujdesi ndaj flokëve

Fundi i verës është koha ideale për t’u drejtuar në parukeri për trajtimet mbrojtëse të flokëve. Shtresat e jashtme të flokëve mund të dëmtohen gjatë verës, duke i lënë flokët të thatë dhe pa jetë. Për t’u kujdesur sa më mirë për to, sugjerojmë të përdorni produkte hidratuese apo dhe mbrojtëse si, maska, locione, dhe spray të cilat e mbrojnë dhe ushqejnë flokun.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here