Si të parandaloni infeksionin e syrit

Sy të skuqur, të rëndë, të ndjeshëm ndaj dritës: janë këto disa nga simptomat e konjunktivitit (infeksionit të syrit). Por nga se shkaktohen dhe si mund të trajtohen këto probleme? Ja se çfarë thotë mjekja okuliste Suzana Zhuka:

Çfarë është konjunktiviti apo siç njihet infeksioni i syrit?

Konjuktivitet janë infeksione të cipës së bardhë që mbështjellë kokërdhokun e syrit, që quhet konjuktiv.

syCilët janë faktorët shpërthyes?

Shkaqet janë të shumtë dhe për këtë arsye dhe konjuktivitet janë disa llojesh: viralë, bakterial, të përzier, alergjikë, sezonalë, shkaktohen nga lentet e kontaktit, pishinat, agjentët fizik dhe ata kimikë, etj.

Sa e përhapur është kjo sëmundje?

Bëhet fjalë për një patologji të shpeshtë, sepse konjuktiva e syrit është shumë e ndjeshme ndaj agjentëve të jashtëm.

Cilat konjunktivite janë më problematike në këtë periudhë?

Në këtë periudhë më të shpeshtë dhe më problematikë janë ata me natyrë alergjike, kjo për shkak të pranisë së poleneve të luleve në ajër. Këto janë kronike dhe në këtë periudhë kanë fazën e riakutizimit të tyre. Shqetësimet nisin në fund të marsit dhe vazhdojnë deri në qershor. Natyrisht janë të pranishëm dhe konjunktivitet e tjera, por alergjikët janë më të shpeshtë.

Si shfaqet konjunktiviti me natyrë alergjike?

Konjunktiviti me natyrë alergjike shfaqet zakonisht në të dy sytë dhe shenjat karakteristike të tij janë e kruara e syve dhe shtimi i sklepave.

Po konjunktiviti me natyrë bakteriale si shfaqet?

Konjunktiviti me origjinë bakteriale zakonisht shfaqet me sekrecione, sklepa me ngjyrë të verdhë, me enjtje të lehtë dhe skuqje të kokërdhokut të syrit. Pacienti ankon për praninë e një trupi të huaj në sy, të shoqërura me të kruara, skuqje, lotim, djegie, mos durim drite.

Po konjuktivitet me natyrë virale?

Kjo është forma më e vështirë për t’u trajtuar dhe që nëse nuk trajtohet në kohë, mund të përhapet dhe në korne. Forma virale kërkon më shumë kohë trajtimi. Simptomat janë skuqje, bezdi ndaj dritës, lotim, shtim të sekrecione.

Mjekja Suzana Zhuka

Mjekja Suzana Zhuka

Çfarë rreziqesh shfaqin konjuktivitet?

Së pari dua të sqaroj se konjunktiviti është një sëmundje që nuk dëmton shikimin dhe nëse trajtohet në kohë, në fazën fillestare, kalon shumë lehtë. Por kjo është një sëmundje ngjitëse dhe si e tillë duhet diagnostikuar dhe trajtuar menjëherë, në mënyrë që të shmanget kronicizimi i saj, apo kalimi i infeksionit në korne (xhamin e syrit), që do të kërkonte një trajtim më të gjatë.

Ç’mund të bëhet për të parandaluar komplikacionet?

Së pari rekomandohet ndjekja në mënyrë skrupuloze e higjenës personale, dhe më pas për çdo shqetësim sado të vogël duhet konsultuar mjeku specialsit.

Si bëhet trajtimi i konjunktiviteve?

Duke qenë se kanë origjinë të ndryshme dhe mjekimi i konjunktiviteve është i ndryshëm dhe i shumtë. Kështu në rastin e infeksioneve me origjinë bakteriale këshillohet përdorimi i një koliri antibiotikë me spektër të gjerë, me një trajtim prej 7 ditësh. Në rastin e konjunktiviteve alergjikë mund të përdoren kolire antialergjikë dhe rekomandohet konsulta me mjekun alergolog, në mënyrë që të zbulohet origjina e alergjisë dhe mjekimi për të nëse është e nevojshme. Nëse konjuktiviti shkaktohet nga një substancë irrituese, mjafton të eliminohet shkaku shpërthyes dhe më pas të bëhet trajtimi për qetësimin e syrit. Gjithsesi, mjekimi bëhet në varësi të shkakut dhe stadit të sëmundjes, gjë të cilën e përcakton vetëm mjeku specialist.

Postime të ngjashme

Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Si mund të humbasë peshë në mënyrë të shëndetshmë një person obez?
Çfarë ndodh me foshnjën nëse diabeti i shtatzënisë nuk mbahet nën kontroll
Obeziteti gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të ndikojë në shëndetin e fëmijës
Sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të mbahet nën kontroll
Mjekja tregon keqkuptimin më të madh në lidhje me obezitetin
Pse qumështi i gjirit është kaq i rëndësishëm për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës