Përshëndetje! Shpesh ndihem e tejngopur edhe pas vakteve jo të bollshme. Përjetoj diskomfort epigastrik ndonjëherë dhe dhimbje që zgjasin të stimuluara nga ngrënia. Më kanë thënë që është dispepsi. A mund të di, si trajtohet dispepsia funksionale?
Përgjigjet Nevila Lëngu, mjeke gastrohepatologe
Në rastet kur dispepsia ka shkak organik, mjekohet patologjia bazë, si trajtimi i ulcerës gastrike apo duodenale, trajtimi i litiazës biliare etj.
Për sa i përket dispepsisë funksionale, trajtimi medikamentoz dhe modifikimi i stilit të jetesës janë dy modalitetet e trajtimit.
Trajtimi medikamentoz
- Antiacide të cilët janë neutralizues të aci-ditetit si malox, gaviscon;
- Preparate të cilët frenojnë prodhimin e acidit në stomak si ranitidina, omeprazoli etj.;
- Medikamente të cilat përshpejtojnë zbrazjen e stomakut të quajtur prokinetike, si: metoklopramidi,domperidoni.
- Çrrënjosja e H .Pylori me antibiotikë;
- Antidepresantët;
Ndryshimi i stilit të jetesës
- Vakte të shpeshta (5 herë në ditë) dhe në sasi të vogël;
- Të hahet ngadalë dhe të përtypet mirë ushqimi;
- Të reduktohen ushqimet shkaktare si të skuqurat, pikantet, të yndyrshmet, çokollatat, kafja etj;
- Të mos konsumohet alkooli dhe duhani;
- Nuk rekomandohet fjetja apo aktiviteti fizik menjëherë pas ngrënies;
- Të korrigjohet mbipesha;
- Të sigurohet gjumë i mjaftueshëm;


