Silvana Braçe rrëfen për “Shëndet Plus” marrëdhënien që ka me mjekun, palestrën dhe estetikën. Sekretet e ish-prezantueses së njohur, sidomos para viteve ’90.
Ajo është një prezantuese tipike, e lindur për ekran. Prej gati një dekade ajo ka qëndruar në ekran duke rrezatuar sharm, elegancë dhe një buzëqeshje të këndshme. Një bjonde tipike, e cila kurrë nuk ka njohur konkurrencë. Silvana Braçe, edhe pse kanë kaluar vite nëse ngjitet në skenë e trukuar dhe e veshur, rrezaton për çudi të njëjtin sharm prej prezantueseje. Gjë të cilën e pohon dhe ajo vetë gjatë kësaj interviste ku vjen në një rrëfim interesant, si prezantuese tipike interesante, si nënë dhe si një bashkëshorte e denjë. Ajo rrëfen për “Shëndet Plus” gjithçka që ka të bëjë me shëndetin dhe bukurinë, e cila edhe pse ka vite mbi kurriz vazhdon ta reflektojë.
Silva, sa dhe si kujdeseni ju për shëndetin tuaj?
Deri tani kam pasur një shëndet, mjaft të mirë. Nuk kam vuajtur nga asnjë patologji dhe në këtë mënyrë ndoshta nuk ua di dhe shumë vlerën. Ndaj kujdesi në mënyrën si thoni ju, përmes kontrollit dhe analizave, thuajse ka munguar. Veçoj kohën e shtatzënisë që ka qenë komunikim intensiv me mjeken.
Shqiptarët mbahen për moskujdesje të shëndetit të tyre duke u paraqitur tek mjeku vetëm në raste kritike. Po ju?
Dhe unë aty bëj pjesë. Përveç analizave specifike femërore, si gjiri apo pap-test për të cilat respektoj afatet kohore.
I besoni më shumë shërbimit publik, atij privat apo varet nga mjeku profesionist?
Unë nuk kam përvojë në këto shërbime. Nga rastësi tepër të rralla që kontaktoj, nuk mund të ngre opinione.
Ju për të qenë në formë të shkëlqyer si veproni?
Falë shëndetit të mirë së pari, e më pas punës, fatit, dashamirësve.
Jeni një prezantuese e cila prej një dekade keni prezantuar dhe rrezatuar sharm dhe ende e keni…
Uaau, sa mirë më vjen nga këto fjalë. Po qe bukuri dhe sharm, ato mbeten për gjithë jetën. Po qe freski, ajo është vetëm e rinisë.
Është mirë të jesh e bukur dhe e shëndetshme, por për t’i pasur të dyja, si veproni?
Zakonisht njerëzit e bukur janë të shëndetshëm, sepse shëndet është bukuria.
A merreni me ndonjë sport për të qenë në formë?
Jo, nuk merrem me asgjë. Përveçse gjimnastikës dhe gatishmëria për të bërë çdo akrobaci që të përmbush kërkesat e djalit. Ai të do në shërbim orë e pa orë, ditën dhe natën, gati në këmbë, me ushqimin, lodrat, mësimet. Eci shumë dhe në këmbë, më pëlqen për trupin, por dhe komunikimi me njerëzit e natyrën.
Ç’mendoni për ndërhyrjet plastike?
Jam kundër deri më sot. Mendoj se ndodh si me çdo ndërhyrje, diku dhe dikur jep pasojat e padëshirueshme.
Vetë a keni realizuar ndonjë ndërhyrje deri tashmë?
Jo, asnjë.
Nëse do të vendosni cila do të ishte ajo ndërhyrje për të cilën ju mendoni se keni nevojë?
Të tjerët edhe mund të mendojnë për ndonjë ndërhyrje tek unë, por unë ndihem shumë mirë siç jam. Nuk mund të luaj asnjë vijë në pamjen time, se ndryshe s’jam më unë.
Thonë se bukuria e një femre është mirëmbajtja, por dhe shumë gjenetike. Ju për kë jeni më shumë?
Po, patjetër që mirëmbajtja është kualitet, kulturë, kënaqësi, hijeshi, personalitet, vlerësim për veten dhe mjedisin, gjë të cilën e ka të nevojshme edhe ajo bukuri gjenetike. Unë jam për të dyja, të mos them se ndoshta, një zonjë e mbajtur bukur, por jo me tipare perfekte më jep edhe më shumë kënaqësi se bukuria e lindur. Më imponohet, me përkujdesjen dhe respektin për veten, që zakonisht shoqërohet me zgjuarsi dhe klas.
I besoni shprehjes “ujë e sapun”?
Po, për moshën e adoleshencës dhe rinisë së hershme.
Cilin tipar pëlqeni tek vetja apo merrni më shumë komplimente?
Buzëqeshja është më e komplimentuara. Mua më pëlqen shumë trupi.
Produktet kozmetike këtu tek ne edhe i besojmë, edhe jo. A keni ju një dermatologe tuajën apo niseni thjesht nga emrat apo linja e produkteve?
Unë s’kam dermatolog dhe s’jam e fiksuar pas produkteve kozmetike, besoj më shumë tek ushqimi dhe qetësia shpirtërore. Sidomos kjo e dyta o të nxin fare ose të jep shkëlqimin e diellit.
Si e shpjegoni shprehjen që “vajzat e bukura nuk janë të zgjuara”. Përse ka mbetur kjo?
Mendoj të kundërtën fare. Një femër e bukur patjetër që e ka dhe mençurinë, që e ka kulmuar bukurinë e saj. Është dallim i madh midis djallëzisë dhe zgjuarsisë. Këto janë shprehje të njerëzve me probleme në karakter, ziliqarë edhe me zemër të vogël.
Mendoni se sa më të shtrenjta të jenë produktet, aq dhe më të mirë e kanë rezultatin?
Po, do të ketë ndonjë lidhje me siguri. Unë kam provuar për pak kohë “Este Louder” për fytyrën dhe pashë vërtet efekt. Nuk e zgjata për efekt të çmimit të lartë, por edhe se mendoj që mund të bëhem e varur nga trajtimet speciale, pra, preferoj sa më afër natyrales.
Ju ç’produkte përdorni të cilës firmë?
Në mënyrë spontane, kam përdorur, jo rregullisht disa linja. Duke e lënë fytyrën sidomos, në verë të zhveshur nga çdo lloj kremi, për frymëmarrjen e domosdoshme.
Për një lëkurë të shëndetshme dhe të shndritshme një ndikim të madh kanë dhe ushqimet. Sa rëndësi i kushtoni konsumimit të tyre?
Unë nuk konsumoj specifikisht ushqimet që mund të rekomandohen, për një fytyrë e trup të shëndetshëm, se nuk i ndjek dot rregullat, por mendoj se po të jesh përgjithësisht e ushqyer, ke një trup të fortë e padyshim edhe një fytyrë të shndritshme.
Cilët janë ato produkte që ju nuk i ndani nga tryeza juaj?
Djathi, qumështi dhe brumërat.
Po ato për të cilat ju duhet të hiqni dorë?
Pikërisht këto më thuhet se duhet të heq, po përderisa trupi i kërkon, do të thotë që ka nevojë për ato. Në periudha të ndryshme, dëshiroj më tepër zarzavate. Dikur më tepër frutat ose peshk, pra, vetë trupi thërret elementet që i mungojnë.
Flokët janë një pjesë e rëndësishme e bukurisë sonë fizike. Ç’kujdes tregoni për to?
Flokët kërkojnë shumë kohë, gjë të cilën unë e përdor për gjëra me më shumë vlerë, ndaj përpiqem të gjej format më praktike në jetën e përditshme.
Cili është ai model flokësh që kurrë nuk do ta bënit?
Janë disa modele që nuk më përshtaten fare. Bëhem tjetër njeri e përgjithësisht një fije floku e hedhur gabim ka një ndikim të fortë në fizionominë time.
Ju ka ndodhur ndonjëherë t’ju kenë bërë grimin dhe stilimin e flokëve e më pas t’i keni prishur?
Jo vetëm një herë. Ndoshta ka ardhur ngaqë kanë dashur të eksperimentojnë, të bëjnë diçka ndryshe, pasi unë s’pëlqej asnjë ide tjetër që i largohet tipareve të mia dhe idesë që unë kam për veten. Unë e njoh veten dhe vetëm unë mund ta paraqes atë në publik.
A i besoni dietave? Cila është dieta më e vështirë që e mbani mend?
Nuk u besoj fare, sepse ato japin efekte për një kohë, por s’mund të rrijë njeriu në dietë gjithë jetën. Është e lodhshme dhe s’ka kuptim kjo lloj torture. Kur është fjala për dieta sëmundjesh, është gjë tjetër, se është për të shpëtuar jetën. Por duke qenë në rregull e të shtrëngohesh kaq shumë për të të pëlqyer të tjerët, kjo ishte marrëzi.
Po dhëmbëve sa rëndësi i kushtoni?
Ato kanë shumë vëmendje nga ana ime, se janë së pari shëndet e pastaj bukuri dhe domosdoshmëri për të mos bezdisur të tjerët. Është si një detyrim qytetar mbajtja e një goje të mirë.
Jeni për një makiazh të lehtë, sa më natyral apo…?
Varet sipas rastit. Ditën jam që të jetë i lehtë, natyral mundësisht. Në mbrëmje e më tepër në raste ceremoniale, më pëlqen theksimi i tipareve, veshja e zezë dhe sensualiteti i fortë.
Sa kohë harxhoni nga jeta juaj për shërbimet kozmetike apo qendra estetike?
Asnjë minutë, por do më pëlqente shumë, kur të kem kushtet dhe mundësitë me shumë kënaqësi do t’u dorëzohesha këtyre shërbimeve që besoj nuk ka grua të mos e dëshirojë, se aq të lodhura janë.
Po shpenzimet në muaj, si janë tek ju në raport me veshjen, ushqimin apo qendrat estetike dhe profesionale?
E kuptuat besoj raportin që kam me veten. Të gjitha për familjen, çfarë mbetet për veten.
E cilësoni veten si femër praktike, pra që diçka mund dhe ta bëni në ambientet e shtëpisë, p.sh thonjtë apo flokët?
Patjetër jam. Çdo gjë e bëj vetë: vetulla, thonjtë, flokët. Edhe fustanet tentoj t’i bëj vetë.
Çfarë mendimi keni për femrat të cilat orët dhe kohën më të madhe të tyre e harxhojnë për këto shërbime?
Ju lumtë! Kur kanë mundësinë, pse jo.
Sa e rëndësishme është pamja në jetën profesionale dhe a ndikon ajo?
Është shumë e rëndësishme, e si rrjedhojë mendoj se ndikon në sukses.
Nëse marrim një paralelizëm midis femrave shqiptare dhe atyre të huaja, si janë raportet e kujdesit për veten?
Kjo ka të bëjë vetëm me nivelin ekonomik, se për pjesën e traditës dhe kulturës ne nuk mbetemi aspak prapa atyre, se në shekuj kemi ditur të vishemi, krihemi e mbahemi bukur, si pakkush në botë. Këtë e tregon historia.
Higjiena personale lë shumë për të dëshiruar tek ne, a do të ishte më mirë një femër e veshur thjesht por pastër apo një e kundërt, e trukuar dhe firmato?
Edhe kjo ka të bëjë me ekonominë, por s’jam dakord me ju në këtë pikë. Gratë tona janë shumë pastërtore, ky është fenomeni. Të “veçanta” ka kudo e në çdo kohë.
Jeni femër shumë e rregullt, bëni rrëmujë apo një kombinim?
Nëse rrëmujë quhet të lësh e vesh gjërat ku të vjen për mbarë e t’i gjesh kollaj, unë jam një rrëmujaxhie.
Po meshkujt shqiptarë a kujdesen ato për veten, lëkurën apo veshjen?
Kohët e fundit ka filluar kjo modë, dhe është shumë mirë të mbahen meshkujt nga kjo mënyrë e re mbajtjeje ku dalë në pah edhe hijeshia e meshkujve tanë.
Çfarë nuk duroni dot tek një mashkull?
Poshtërsinë, paburrërinë.
Nëse do të niseshit tani për udhëtim në bagazhin tuaj çfarë nuk do të harroni?
Bukurinë, domethënë kutinë e tualetit!