Denisa Canameti
Çdo vit, të shtunën e dytë të muajit gusht, në fshatin Lepushë të Kelmendit, në vendin e quajtur Qafa e Predelecit, vajzat e Kelmendit konkurrojnë për të qenë më e bukura e bjeshkëve.
“Miss Bjeshka” është një manifestim kulturor në nder të së bukurës. Në nder të bukurisë së vajzave të kësaj zonë, por edhe bukurisë së traditës, kulturës së pashoq, vlerave e trashëgimisë kulturore. Olimpia Smajlaj është vajza që u shpall më e bukura e Bjeshkëve Shqiptare për vitin 2016. Olimpia 21-vjeçare është nga Malësia e Madhe dhe ka mbaruar studimet e larta për biologji-kimi. Për gazetën “Shëndet+”, Olimpia tregon sesi e koncepton ajo këtë manifest dhe pse zgjodhi të konkurronte për të qenë më e bukura e Kelmendit.
Pse më e bukura e Kelmendit e jo më e bukura e Shqipërisë. Pra, pse zgjodhët këtë konkurs bukurie dhe jo konkursin kombëtar që mund t’ju bënte më të njohur përtej Shqipërisë
Ky është një festival që përfaqëson ruajtjen e vlerave kulturore dhe traditës së një vendi nga unë e kam origjinën. Pra do të thotë shumë për mua pikërisht për faktin që konkurrohet duke mbajtur një kostum tradicional si xhubleta, duke kërcyer vallet tradicionale të asaj zone e duke qëndruar si malësore. Nuk ka qenë prioritet për mua pjesëmarrja në konkurse bukurie më përpara, prandaj dhe nuk e kam konsideruar Miss Shqipërinë apo një format të ngjashëm. Duke qenë se këtu (mendoj unë të paktën) bukuria ishte bonus, ishte më e lehtë ta merrja iniciativën dikur dhe të merrja pjesë.
Cilat janë tiparet e një vajze malësie (veç pamjes së jashtme)?
Duke u nisur dhe nga ato vajza që njoh nga ajo zonë, që ja kanë dalë të sfidojnë zakonet e ngurta dhe shpesh shtypëse për gjininë femërore që ka zona, por edhe ato që ja dalin të qëndrojnë fort edhe përballë tyre, mendoj disa tipare janë inteligjenca, qëndrueshmëria, guximi, patundshmëria dhe besnikëria. Janë edhe shumë të forta.
Cili është koncepti i këtij konkursi?
Ideja është organizimi i përvitshëm i një festivali ku shpalosen elementet më karakteristike të traditave të Kelmendit të Malësisë, pra valle tipike, këngë me çifteli, lojëra popullore dhe njëkohësisht të shpaloset edhe hijeshia e vajzave malësore nën petkun e xhubletës, e cila është veshje shekullore, relike dhe krenari për këtë zonë.
Një vokaliste në një grup rroku që përpiqet ruajë traditën… dy tipare në dukje ekstreme. A ka ndonjë pikë takimi midis tyre?
Sigurisht që ka. Jam unë! (Qesh). Unë thjesht po jap kontributin tim në të dyja drejtimet duke bërë njëkohësisht gjëra që i ndjej. Mbase më shumë tek muzika, përderisa luaj në vazhdimësi dhe krijoj material të ri në vazhdimësi, por edhe tek pjesa e traditës, të lesh gjurmën tënde si një nga fitueset e këtij festivali/kompeticioni nuk është pak. Sa më shumë ta përhapim frymën e këtij organizimi, aq më mirë është për ruajtjen e vlerave duke i promovuar ato tek pjesa tjetër e shqiptarëve që nuk i njeh mirë dhe tek ndërkombëtarët. Theksoj këtu, çdo vit e më tepër rritet numri i të huajve që e vizitojnë Logun e Bjeshkëve.
E bukur, e zgjuar, këngëtare, biologe… Në cilën prej këtyre tipareve mendon të investosh për të ndërtuar të ardhmen tënde?
Aspiratat e mia janë kryesisht në dy drejtime. Në aspektin akademik, më intereson shkollimi jashtë, specializimi i mëtejshëm në drejtimin e neuroshkencave. Në aspektin e pasioneve të mia, jam një fanse e zjarrtë e muzikës (përveç faktit që këndoj) dhe arteve tjera. Nuk e di si do ja bëja pa muzikë në jetën time, prandaj kjo mbetet një pjesë tepër e rëndësishme të cilën nuk do ta lë pas dore ndonjëherë. Nëse rrugës del diçka e re ndërmjet tyre, për aq kohe sa është burim produktiviteti në një drejtim, i them mirë se të vish./Shendeti.com.al



