Bisedoi: Elena Beta
Me zë shpërthyes dhe natyrë paksa rebele, ai ka arritur të fitojë një publik të gjerë që e pëlqen për atë që transmeton. Endri Prifti, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shëndet+”, rrëfen më shumë për veten e tij, jetën në skenë dhe atë pas ekrani, marrëdhënien me vëllanë e tij Stefin dhe fëmijët. Ai gjithashtu flet lidhur mbi projektin e ri, i cili do t’i japë mundësi të gjithë atyre që pëlqejnë këngët e vëllezërve korçarë të shijojnë përformancat e tyre live. Sa romantik është Endri në jetë dhe cila është pika e tij e dobët mund t’ lexoni në intervistën më poshtë…
Të gjithë ju njohin si “Endri dhe Stefi”, pra ju shohin të pandarë nga njëri tjetri. E ke të vështirë kur të duhet të interpretosh vetëm?
Ne kështu e kemi ndërthurur jetën tonë, si vëllezër dhe si bashkëpunëtorë. Gjatë performancave që bëjmë gjithë vitin pa ndalesë, patjetër që këndoj edhe vetë, sikurse edhe Stefi.
“Jemi 2” dhe ‘Bëj qejfin tamam”, 2 projektet tuaja më të fundit. Si janë pritur nga publiku?
Si gjithmonë publiku jonë adhuron çdo këngë që nxjerrim ne. Ne shkruajmë origjinal dhe prekim tema të ndryshme në tekstet tona. Për këto të fundit, edhe para disa muajsh, kënga ‘Jeta Ime’, në bashkëpunim me Aleksandër Gjoka, tekstet i ka shkruar miku jonë shumë i dashur, Pandi Lako. Ai di gjithçka rreth nesh dhe shkruan tekste të mrekullueshme.
Mjafton një vështrim në llogarinë tënde në Facebook dhe kuptohet fare lehtë se je një shpirt rebel, natyrë pa komplekse, mendon se ka ndikuar kjo gjë që publiku të të dojë më shumë?
Unë nuk bëj asgjë, siç bëjnë dhe shoh shumë po shumë që nxjerrin apo shkruajmë diçka për të bërë për vete publikun. Ka shumë fallsitet…por shpirti im është i thjeshtë dhe rebelimin e ka nga e vërteta. Publiku më do kështu siç jam, origjinal.
Sa romantik je në jetë? Ke kënduar ndonjëherë serenatë poshtë ballkonit? (Nga ato të vërtetat)
Jam shumë romantik, më pëlqejnë udhëtimet, intimet, mua më pëlqen çdo stinë, nuk ankohem asnjëherë për kohën, shi, dëborë vapë etj. Të gjithë janë të bukura për mua dhe i shijoj shumë. Serenatë nuk ka njeri të ketë bërë më shumë se unë, të vërtetë siç thoni dhe juve.
Të gjitha këngët që shkruaj, janë dedikuar diku, si për dashurinë, për nënat, si dhe për çdo temë që kapim ne me muzikën tonë.
Sa kujdesesh për shëndetin? Shkon shpesh për kontrolle tek mjeku? Unë kujdesem shumë për shëndetin, por jo duke shkuar tek doktori, duke zgjedhur çdo ditë se çfarë duhet të ha e çfarë duhet të pi, pa abuzuar.
I beson shprehjes “Muzika është ilaç për shpirtin”?
Pa muzikë nuk ka jetë! Unë kam kaluar shumë vështirësia në jetë, kështu është jeta, ka edhe siklete. E kaloj dhe harroj vetëm kur marr mikrofonin në dorë dhe filloj këndoj. Aty kam gjithçka të përmbushur me veten.
Sa e rëndësishme është të jesh mirë shpirtërisht para se të dalësh në skenë, në mënyrë që zëri mos të të tradhtojë?
Zëri nuk më tradhton asnjëherë, lodhje, ngarkesa të mëdha koncertale dhe festa familjare, po që ne i kemi pa pushim/ pa sezon. Gjithë viti për ne është njëlloj, aktiviteti nuk rresht asnjëherë. E thashë dhe pak më lart, unë kur marr mikrofonin në dorë, s’ka me as gjendje shpirtërore, as halle, as gëzime. Aty harrohen të gjitha dhe jam shumë i lumtur.
Serenata apo R& B?
Unë dëgjoj dhe shijoj çdo këngë që është e bukur. Sipas ambientit ku je, duhet të përshtatesh dhe me muzikën nëse është cilësore. Këtu më çudit shumë fakti se si akoma vazhdojnë këndojnë me disk! Unë nuk mund ta imagjinoj veten të gënjej popullin. Është e tmerrshme, e papranueshme! Totalisht vjedhje ndjenjash!
Endri, ti ke 2 djem. Është ndonjëri prej tyre i prirur për të ndjekur rrugën tënde dhe a do ta preferojë këtë?
Që të dy djemtë e mi kanë prirje për muzikë, por unë nuk dua t’i promovoj vetë. Le të bëhen çfarë t’ju pëlqejë. Për profesionin që do zgjedhin, patjetër që do të kenë mbështetjen time.
Cila është pika jote e dobët?
Djemtë e mi.
Së shpejti të gjithë ata që pëlqejnë muzikën e vëllezërve korçarë do të kenë mundësi t’ju dëgjojnë live. Më fol pak më shumë për biznesin e ri, si do funksionojë?
Me datë 12 starton në Tiranë një lokal totalisht i shndërruar për muzike live. Përbëhet nga 8 instrumentistë që do luajnë çdo tingull live dhe 5 këngëtarë të tjerë me emër dhe të rinj + edhe ne të dy. Do funksionojë 3 ditë në javë. Ditët e enjte të çdo jave do të luhet muzikë greke, italiane etj. Së bashku me ne do jetë edhe mikja, kolegia jonë e dashur Anxhela Peristeri. Të premte dhe të shtunë në krahët tona do kemi edhe mikeshën dhe kolegen tjetër të dashur Era Rusi, Sheila Haxhiraj etj, shumë këngëtare të talentuara. STATUS është emërtuar lokali që do performojmë për këtë sezon. Ish Mumja tek pedonalia. Ju ftojmë të gjithëve të shijojnë një program sa artistik, aq edhe argëtues, 100% live.
Një mesazh për lexuesit dhe ata që mezi po presin netët live?
I përshëndes të gjithë lexuesit. Fjalët e mia janë gjithmonë dhe kudo, shëndet e mbarësi për të gjithë dhe shumë dashuri.



