Takim dypalësh me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH)

 

Eneida Mjeshtri

Në zbatim të projektit “Përmirësimi i jetës së punës përmes monitorimit të respektimit të së drejtave të punës në 10 kompani call center në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër”, mbështetur financiarisht nga Olof Palme Center, me fonde të qeverisë suedeze, përfaqësues të shoqatës “Together for Life” organizuan një takim me Inspektoratin Shtetëror të Punës.

Në këtë takim ishte i pranishëm drejtori i këtij institucioni, z. Dritan Ylli dhe një përfaqësi teknike e specialistëve të Sektorit të Inspektimit të Marrëdhënieve të Punës. Qëllimi i këtij takimi ishte dakordësimi i marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit për zbatimin e këtij projekti dhe përcaktimi i termave specifikë të angazhimit të secilës palë.

Call center është një sektor i ri i ekonomisë shqiptare, i cili renditet i dyti në vend për sa i përket nivelit të punësimit, me afro 25.000 punonjës dhe me një mesatare prej përafërsisht 80 punonjësish në një kompani të vetme. Besimi se punësimi në sektorin e telekomunikacionit është i përkohshëm, është i përhapur në shoqërinë shqiptare, por provat zyrtare tregojnë se të rinjtë punojnë në këtë sektor për një periudhë minimale prej 3-4 vjetësh para se të kenë sukses të punësohen në profesionin për të cilin janë diplomuar. Për këtë arsye, është e rëndësishme që këta punonjës të fitojnë njohuri në lidhje me të drejtat e tyre në punë dhe të drejtën për t’u organizuar lirisht në sindikata për të mbrojtur pozitat e tyre  dhe për të reduktuar diskriminimin dhe shfrytëzimin në vendin e punës.

Gjithashtu, administratorët dhe menaxherët e këtyre kompanive duhet të inkurajohen për të nxitur dialogun social me punonjësit e tyre si  një mekanizëm për rritjen e  produktivitetit dhe  performancës në punë.  Pjesa më e madhe e kompanive call center që operojnë në Shqipëri janë punëdhënës të huaj, të cilët kanë një tendencë të qartë për të lëvizur nga zonat me kosto të larta të punës, në shtete ku nivelet e pagave janë më të ulëta dhe ku kushtet e punësimit dhe të drejtat e punësimit mund të jenë më të  varfra. Kjo është arsyeja pse monitorimi i zbatimit të të drejtave të punës në këto kompani mbetet i rëndësishëm.

Z. Ylli shprehu gatishmërinë e institucionit që ai drejton për lehtësimin e këtij projekti, i cili synon monitorimin e respektimit të të drejtave të punës në sektorin e telekomunikacionit në Shqipëri.  Në bashkëpunim me shoqatën “Together for Life” , Inspektorati  Shtetëror i Punës  u angazhua të kryejë monitorimin e 10 kompanive call center në katër nga rajonet më të  mëdha të vendit, 4 prej të cilave në Tiranë dhe nga dy për rajonet e Durrësit, Vlorës dhe Shkodrës. Gjithashtu, një grup teknik i këtij institucioni do të ndihmojë në hartimin e modelit të pyetësorit të anketimit të punonjësve të kompanive call center dhe në organizimin e takimeve informuese me punonjësit, lidhur me legjislacionin shqiptar të punës dhe të drejtën e organizimit sindikal.

Inspektorati Shtetëror i Punës dëshmoi profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të lartë institucionale, si dhe një frymë pranimi të pazakontë për institucionet publike shqiptare, të cilat janë përgjithësisht të mbyllura ndaj nismave që vijnë nga shoqëria civile.

Në përfundim të projektit, do të dilet më një studim të detajuar i cili do të publikohet dhe ndahet publikisht me gjithë institucionet dhe aktorët e interesuar./ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

Zë dhe Impakt: Fuqizimi i Këshillave Rinorë për ndryshim në Komunitet
Dokument politik: Forcimi i Strukturave Rinore Lokale në Shqipëri
Shenjat paralajmëruese të kancerit kolorektal tek të rinjtë
Sëmundjet e zemrës tek të rinjtë, mjeku: Shkak mungesa e aktivitetit fizik dhe lëndët narkotike
“Sindroma e vdekjes së papritur” mjekja kardiologe apel të rinjve: Mos neglizhoni kontrollet, kujdes me pijet dhe lëndët narkotike
Intoksikimi nga alkooli, mjekja: Nuk duhen miksuar pijet
Projekti “In touch”, një platformë mundësuese për të rinjtë me aftësi të kufizuara!
Nga ideja në biznes: Projekti "YEeS" ndihmon 1000 të rinj të ndërtojnë karrierat e tyre sipërmarrëse