Testimi i mjekëve, ligji dhe siguria juridike

Nga Spartak Braho

Kohët e fundit është bërë publike nga ana e ministrit të Shëndetësisë ideja e testimit të mjekëve dhe infermierëve në të gjithë sistemin shëndetësor në Shqipëri. Kjo nismë ka gjetur një jehonë të gjerë në median e shkruar dhe vizive për shkak të impaktit dhe reagimit që krijoi në bluzat e bardha. Edhe publiku ka shprehur reagimin e tij në rrjete të ndryshme sociale për mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të këtij testimi të gjerë në sistemin shëndetësor shqiptar.

Spartak BrahoPor çështja është se kjo nismë është ende tejet e paqartë. Çfarë synon ky testim, cilat janë modalitetet e zhvillimit të tij, në cilat akte ligjore mbështetet dhe a preket nga ky testim një parim i rëndësishëm kushtetues, siç është siguria juridike?

Së pari, duke përkufizuar disa akte ligjore për rregullimin e marrëdhënieve të punës dhe profesionit të mjekëve, kujtoj se ekziston ligji Nr.123/2014 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, ku në nenin 3 të këtij ligji thuhet se: “Urdhri i Mjekëve është Ent Publik jobuxhetor, i pavarur, i cili përfaqëson dhe mbron interesat e përbashkëta të anëtarëve të Urdhrit, dhe rregullon veprimtaritë dhe marrëdhëniet midis tyre në funksion të publikut”. Në nenin 4 të këtij ligji përcaktohet qartë se: “Misioni i Urdhrit të Mjekëve është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesioneve në fushën e mjekësisë dhe mbrojtja e pacientëve dhe publikut nga kequshtrimi i profesionit të mjekut”. Në vijim të dispozitave ligjore të mësipërme, pika (d) e këtij neni ngarkon “Urdhrin e Mjekëve” se ai: “Bashkëpunon me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, institucione të tjera shkencore dhe arsimore për të siguruar standarde të larta në Edukimin e Vazhdueshëm Mjekësor, kualifikimet dhe specializimet pasuniversitare të Urdhrit”.

Metodikat e ushtrimit të profesionit të një mjeku para vitit 2010 dhe pas tij, janë të rregulluara me akte ligjore, siç mund të veçojmë: pajisjen me licencën si dokument i vetëm ligjor mbarëbotëror për ushtrimin individual të profesionit, kryerjen e praktikës profesionale, provimin e shtetit dhe pajisjen me licencën e ushtrimit individual të profesionit për mjekët e rinj që sapo diplomohen, si dhe institucionalizimin e Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor të bazuar në kredite të detyrueshme për t’u realizuar si kusht për certifikimin dhe rilicencimin me cikle 5-vjeçare për të gjithë mjekët në profesion.

Por vërejmë se nga shumë opinione dhe grupe interesi ky testim po etiketohet si denigrues, joprofesional dhe abuziv pasi nuk ka transparencën e duhur, bashkëpunimin me grupet e interesit dhe institucionit, e përcaktuar me ligj, siç është “Urdhri i Mjekëve” në Shqipëri.

Mendoj se nuk është testimi mënyra e vetme për fotografimin dhe identifikimin e nevojave dhe problematikave që ka sot sistemi shëndetësor. Të gjithë drejtuesit e qendrave shëndetësore dhe spitalore kanë për detyrë pikërisht menaxhimin e burimeve njerëzore, identifikimin e problematikave dhe referimin e tyre në instancat përkatëse, të cilat më pas duhet të kundërveprojnë me trajnime apo edukime në vazhdim, si mënyra e vetme e ngritjes profesionale të mjekëve apo infermierëve, por edhe e kontrollit të nivelit profesional të tyre.

Edhe paralajmërimi për përjashtimin nga testimi vetëm të pedagogëve të Mjekësisë është arbitrar e joligjor, pasi ligji Nr. 10107/2009 “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, nuk përcakton përjashtime për edukimin e vazhdueshëm profesional për asnjë kategori mjekësh.

Neni 13/2 i këtij ligji përcakton se: “Profesionistët e kujdesit shëndetësor janë të detyruar t’i nënshtrohen edukimit të vazhdueshëm profesional të përditësuar, për të përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale, në mënyrë që të rrisin cilësinë e kujdesit shëndetësor”.

Pra, procesi i nisur nuk mund të jetë selektiv për një kategori të caktuar (pedagogët), dhe denigrues për një tjetër kategori (mjekët). Gjithashtu, kjo shpallje publike e pashoqëruar me asnjë akt të shkruar normativ mbi mënyrën e organizimit, zhvillimit apo implementimit të këtij testimi nuk është serioz dhe transparent.

Së dyti, në gjykimin tim, një proces i tillë konkurrimi e testimi do të ishte i kundraligjshëm dhe në shkelje të të drejtave të njeriut që parashikon Kushtetuta. Veprimet e mosveprimet në kryerjen e një testimi të tillë bien ndesh edhe me një nga parimet kryesore kushtetuese sikundër është ai i “sigurisë juridike”. Kjo nënkupton besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara.

Besueshmëria jo vetëm si nocion psikologjik, por edhe juridik i shtetasit, ka të bëjë me bindjen e tij se nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht apo të jetojë me frikë për ndryshueshmërinë ose për pasojat negative të akteve juridike të cilat mund të cenojnë jetën profesionale dhe të përkeqësojnë gjendjen e vendosur me akte të mëparshme.

Nëse masat e marra shpien në përkeqësim në mënyrë të paarsyeshme të gjendjes ligjore të personave të tjerë që mohojnë të drejtat e fituara ose injorojnë interesat legjitime të tyre dhunohet parimi kushtetues i barazisë së të drejtave.

Kjo situatë juridike e nismës së Ministrit për testim është ende e pasqaruar, dhe nuk mund të sqarohet me deklarata se “ nuk do të ketë prerje kokash”. Nga parimi i sigurisë juridike mbrohen jo vetëm të drejtat dhe liritë themelore të njohura dhe të sanksionuara në Kushtetutë, por edhe të drejtat subjektive materiale të individëve të njohura nga ligje të zakonshme sipas të cilit askush nuk mund të ndjehet i shqetësuar e i kërcënuar nga ndryshimet në ligj.

Në arsyetimet e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht vendimi nr.10 datë 19.03.2008; nr.34 datë 20.12.2005; nr.26 datë 02.11.2005 dhe nr.9 datë 26.02.2007 etj , parimi i shtetit të së drejtës, i sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës, është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Jurisprudenca Gjykatës Kushtetuese referon tek këto vendimi konceptin e sigurisë juridike, të drejtat e fituara dhe të pritshmërive të ligjshme. Siguria juridike është një nga elementët më esencialë të parimit të shtetit të së drejtës dhe përfshin krahas qartësisë, kuptueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit normativ, edhe besimin tek sistemi juridik në fuqi.

Ligjvënësi ashtu siç interpretohen në këto vendime është i detyruar të rregullojë nëpërmjet akteve të veta me hollësi të drejtat e parashikuara në Kushtetutë, që janë të aplikueshme e kanë vlerë dhe për rastin e nismës së testimit.

Së fundmi dua të vë në dukje, se si rregull, nuk mund të mohohen interesat dhe pritshmëritë e ligjshme në rastin konkret të testimit të mjekëve dhe infermierëve nga ndryshimet në legjislacion. Ministria e Shëndetësisë duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më parë, vetëm nëse ato, pra ndryshimet sjellin pasoja pozitive dhe jo negativitete të pritshme e të pajustifikuara.

Mbështetja që shteti dhe strukturat e tij në rastin konkret, Ministria e Shëndetësisë duhet t’u japë punonjësve të sistemit të Shëndetësisë, nuk duhet të jetë presioni, mospërfillja dhe izolimi nga procesi. Ndryshimet, pra edhe ideja e testimit duhet të jenë profesionale, morale, njerëzore, duke i përkrahur dhe trajtuar me dinjitet në ushtrimin e profesionit të tyre të shenjtë të mjekut, apo infermierit, dhe e bazuar vetëm në ligj.

Si konkluzion, mënyra si është servirur deri tani ideja e testimit në shëndetësi, na çon në përfundimin se ajo është jashtë parametrave ligjorë dhe kushtetues.

Postime të ngjashme

Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale