Elena Beta
“Mos i thyeni ëndrrat e saj” ishte tematika e minidramës të vënë në skenë nga rrjeti Y-PEER, me mbështetjen e UNFPA Albania, koordinuar nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, në kuadër të 10 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave. Personalitete të ndryshme, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë të interesuar, u bashkuan pasditen e së martës jo thjesht si spektatorë. Përmes mesazheve dhe postimeve në rrjete sociale, të gjithë u bënë një zë për t’i thënë Jo martesave të hershme në Shqipëri e për të kontribuar sado pak në sensibilizimin e individëve lidhur me këtë fenomen të përhapur në Shoqëri.
“Nuk është askush kundër martesës, ne si Agjenci e Kombeve të Bashkuara jemi për martesën në kohën e duhur, në mënyrë që çdo njeri të mund të kalojë eksperiencat pozitive, që e bëjnë atë të fortë e njëkohësisht të aftë të përballojë me dinjitet martesën e të ketë një familje të shëndoshë” tha Elsona Agolli, përfaqësuese e UNFPA, duke lidhur fenomenin e martesave të hershme edhe me ngjarjet e fundit të dhunës, të cilat mund të ishin parandaluar nëse do të ishim një shoqëri e ndërgjegjësuar në këto çështje.
“Është një lloj paradoksi fakti që në kohën kur lançohet fushata “Jo dhunës ndaj vajzave dhe grave” në bashkëpunim dhe me institucionet si një mënyrë për të ndërgjegjësuar njerëzit për dëmet që sjell dhuna në familje dhe shoqëri, përballemi me katër raste dhune me bazë gjinore brenda një kohe kaq të shkurtër, prandaj unë do të doja shumë që secili prej nesh të reflektojë dhe të reagojë ndaj këtyre fenomeneve pasi nesër mund të jemi ne viktimat, vijoi Agolli.
Elma Tërshana, Drejtore e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, mori fjalën duke iu bërë thirrje të gjithë të pranishmëve të mos jenë indiferentë dhe secili të reflektojë dhe të fillojë nga vetja për të sjellë ndryshim sado të vogël, pasi mund të shpëtojë jetë.
“Duke u nisur nga studime të shumta dhe raste të cilat i kemi prekur vetë në punën tonë si zyrë, mjerisht mund të them sot se, një martesë në moshë të hershme mund të sjellë papunësi, vrasje ëndrrash apo dhe humbje të dinjitetit, pavarësisht çdo përpjekje për të plotësuar çdo nevojë të familjes brenda mjediseve të shtëpisë. Kjo është një panoramë që asnjëra nga ne nuk do ta dëshironte për vete apo për dikë të afërt”, vijoi Tershana, duke inkurajuar të pranishmit të bëhen ata agjentët e ndryshimit,
“Në një sekondë nuk dihet çfarë ndryshimi mund të sillni në jetën e dikujt”.
Regjisorët e rinj Xhuliano Brisku dhe Kriks Dumo, të cilët u frymëzuan për këtë shfaqje nga fenomeni aq i prekshëm në shoqërinë tonë, ai i Martesave të Hershme, thanë për gazetën “Shëndet+” se kjo nuk është hera e parë që vënë në skenë drama me të tilla tematika dhe se do të vazhdojnë të punojnë në këtë fokus, për të kontribuar në eliminimin e fenomeneve të tilla nga përditshmëria.
Ideja e shfaqjes së sotme ishte të vinim paralel dy histori të ngjashme, një familje e cila e rrit fëmijën e saj duke nisur nga kukullat, libri e me radhë, dhe familja tjetër që në vend të kukullës i lidh vellon dhe në fund fare siç ndodh në shfaqje, ajo kukullën e kërkon një ditë, ditën kur është bërë me fëmijë, duke dalë kështu nga roli i saj që tashmë është të kujdeset për fëmijët.
“Ne zgjodhëm që këtë mesazh ta jepnim pa fjalë, vetëm me veprime, fjalët janë shumë të vogla në krahasim me vuajtjen që shkakton ky fenomen tek fëmijët, e më pas tek fëmijët tashmë të rritur”, vijoi Xhuliano. Ndërsa Kriks ndau një mesazh të fortë për të gjithë: Mendoni dhe mos nxitoni në atë që bëni!
Në përfundim të aktivitetit, përfaqësuesi i rrjetit Y-Peer, Andi Rabija falënderoi të pranishmit, aktorët, regjisorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në mbarëvajtjen dhe realizimin e aktivitetit, si dhe i ftoi të gjithë të vazhdojnë të mbështesin të tilla kauza të rëndësishme për një shoqëri më të mirë!









