Torta me mollë është një nga ato ëmbëlsira që nuk mund t’i rezistosh dot. Kjo është një recetë shumë e shpejtë dhe e thjeshtë dhe mund të përgatitet për shumë pak kohë.
- 3 kokrra mollë
- 5 vezë
- 400 gr miell
- 300 gr sheqer
- 150 ml vaj kikiriku
- 200 ml qumësht
- 1 pako maja për ëmbëlsira
- 1 lugë sheqeri ngjyrë kafeje
- Pak lëng limoni
- Pak sheqer pluhur
Përgatitja
- Si fillim qërojmë mollët dhe i ndajmë në feta të vogla.
- Marrim një enë qelqi ku si fillim hedhim vezët dhe sheqerin duke i rrahur mirë, me rrahës elektrik ose me rrahëse vezësh. Pasi janë përzier mirë, shtojmë miellin e situr mirë bashkë me majanë. Njëkohësisht me miellin shtojmë dhe vajin duke e alternuar. E trazojmë ngadalë dhe shtojmë pak nga pak qumështin.
- Nëse shohim se masa është shumë e thatë, shtojmë pak nga pak qumësht dhe anasjelltas, nëse shohim se masa është shumë e qullët, shtojmë pak më shumë miell. Përziejmë përbërësit mirë derisa të arrijmë një masë homogjene.
- Marrim formën dhe e lyejmë pak me gjalpë dhe miell që të mos ngjitë dhe e hedhim në masën e përgatitur. Sipër i shtojmë fetat e mollës të cilat i spërkasim me pak sheqer ngjyrë kafeje. Vendosim tavën në furrë dhe e lëmë të piqet përreth 30 – 40 minuta.
- Heqim tortën nga furra dhe e lemë të ftohet, më pas e vendosim në një pjatancë dhe e spërkasim me sheqer pluhur. Presim ëmbëlsirën në copa dhe e shërbejmë në pjata. Mund ta shoqërojmë dhe me pak pana të rrahur. Ju bëftë mirë!


