Kryefaqja Estetike Trombozat e venave të thella, si mund të parandalohen dhe trajtohen

Trombozat e venave të thella, si mund të parandalohen dhe trajtohen

0
Shpërndaje

Për gazeta ‘Shëndet+’, dr. Albana Kenga, kirurge vaskulare pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’

Trombozat e venave të thella janë mbyllje të plota apo të pjesshme të lumenit të një vene të thellë nga koagulimi i gjakut. Këto lloj trombozash mund të shfaqen në çdo venë të thellë të trupit, por më të shpeshta janë ato të gjymtyrëve të poshtme. Ato paraqesin një urgjencë mjekësore. Kërkojnë eksplorime paraklinike dhe trajtim korrekt sa më të hershëm. Rëndësia e tyre qëndron edhe në faktin se janë ndër shkaqet më të shpeshta të vdekjes spitalore që mund të parandalohen dhe përbëjnë sëmundshmëri dhe invalidizim afatgjatë.

Diagnostikimi

Plotësimi i simptomave dhe shenjave që ka pacienti me ekzaminimin imazherik të zgjedhur, siç është eko doppler e venave të thella të anesise së interesuar, e cila rezulton me mbyllje të venës apo venave përkatëse,  vendos diagnozën.

Trajtimi

Trajtimi konsiston në shkrirjen e mpiksjes me ilaçe të caktuara (trombolizë). Është një ndër trajtimet më efektive në trombozat e hershme të venave të thella, por edhe ai që mbart rrezikun më të madh për hemorragji.

Trajtimi me heparinoterapi (me peshë molekulare të lartë ose ato me peshë molekulare të ulët) kufizon shtrirjen e trombit dhe parandalon tromboza të tjera. Pas trajtimit disaditor me heparinë, kalohet në trajtim të zgjatur me tableta që hollojnë gjakun. Koha e trajtimit me këto ilaçe varion në bazë të shkakut dhe shtrirjes së trombozës. Një element tjetër shumë i rëndësishëm në trajtim është edhe komprimimi me çorape elastike me një presion të caktuar, të cilat ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të dhimbjes dhe ënjtjes.

Si mund të parandalohen?

Të gjithë gjendjet e riskut siç janë: operacionet, qëndrimet shtrirë për kohë të gjatë, pacientët obezë, ato me varice etj, duhet të lëvizin sa më shumë dhe të mbajnë veshur çorape elastikë me presion të caktuar nga mjeku. Përdorimi i antikoagulantëve në doza parandaluese sipas indikacioneve mjekësore. I rëndësishëm është gjithashtu ndërgjegjësimi i popullatës ndaj kësaj sëmundje, diagnostikimin dhe trajtimin e duhur.

Këshilla

Nëse keni sëmundje, simptoma dhe shenja të ngjashme me ato që përmendëm më lart, duhet t’iu drejtoheni qendrave të specializuara për një diagnostikim dhe trajtim të duhur. Vonesat në trajtim mund të rrezikojnë jetën ose të çojnë drejt një invalidizimi, nga ënjtja dhe dhimbja e theksuar e anesise së prekur nga sëmundja. Gjithashtu, të ndiqen me përpikmëri këshillat e mjekut dhe marrja e trajtimit nga pacienti./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here