Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Denisa Canameti
Femrat janë më të prirura se meshkujt për zhvillimin e inkontinencës urinare për arsye të diferencave anatomike në zonën e legenit, si dhe ndryshimet që ndodhin nga shtatzënia dhe lindja. Mjekja obstetër- gjinekologe, Mimoza Keta, në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” shpjegon se si ndikon mosmbajtja e urinës në cilësinë e jetës së grave, cilët janë shkaktarët dhe mënyrat e trajtimit.
Doktoreshë, çfarë është inkontinenca urinare?
Inkontincenca urinare është mosmbajtja e urinës në mënyrë të vullnetshme. Pra, që një grua nuk arrin të mbajë dot urinën e saj. Kjo mund të ndodhë gjatë kollitjes, mund të ndodhë gjatë ngritjes së peshave, gjatë shtatzënisë etj.
Kur ndodh inkontinenca urinare, cilët janë shkaktarët?
Mosmbajtja e urinës apo inkontinenca urinare mund të ndodhë tek gratë për arsye të stresit. Nëse jeni para një provimi apo përpara një stresi që ka të bëjë me jetën, shumë femra ndiejnë nevojën për të shkuar në banjë dhe kanë urinim të pavullnetshëm. Stresi është një nga faktorët kryesorë.
Së dyti, një tjetër shkak i rëndësishëm është prishja e dyshemesë pelvike nga lindja.
Çfarë do të thotë? Në një lindje të sforcuar me një fëmijë të madh apo dhe fëmijë me peshë normale, kur gruaja shtërzon, muskujt që mbajnë fshikëzën e urinës në pozicionin e saj dhe sigurisht muskujt e dyshemesë pelvike, fillojnë të prishen në strukturën e tyre.
Atëherë, çfarë ndodh? Gradualisht fshikëza e urinës fillon të zbresë poshtë, në trajtën e një topthi të vogël. Nëse gruaja shtrëngohet në vizitën gjinekologjie, e shikon që fshikëza e urinës rrëshket, kjo quhet cistocel, së bashku me fshikëzën e urinës rrëshket edhe pjesa e zorrës së trashë dhe quhet cistorektocela, që është një nga shkaqet kryesore të inkontinencës, mosmbajtjes së urinës te gratë.
Gjithashtu, inkotinenca urinare mund të ndodhë edhe nga mbimbushja e vezikës urinare. Që do të thotë që gruaja ka merak dhe nuk do të urinojë në banja publike, konsumon lëngje, mundohet ta mbajë. Fshikëza urinare mbimbushet dhe atëherë ajo nuk ka mundësi më për ta mbajtur urinën. Këto janë disa nga shkaqet kryesore të mosmbajtjes së urinës.
Çfarë duhet bërë në këtë rast?
Kryesorja është që këto gra të drejtohen patjetër te mjeku. Si te mjeku gjinekolog, ashtu edhe te mjeku urolog për të gjetur shkakun. Inkontinenca urinare mund të vijë edhe nga një infeksion urinar. Ajo nëse urinon shpesh, duhet të drejtohet te mjeku, sepse i fillon i djeg urina, urinon pa vullnet etj. dhe një gjendje diskomforti e tillë patjetër që do ta detyrojë të drejtohet te mjeku. Një analizë e thjeshtë urine apo një mbjellje e urinës do të konstatojë një infeksion urinar i cili do të kalojë pas mjekimit.
Trajtimi i inkontinencës urinare
Është lehtësisht i trajtueshëm. Në rastet kur prishet dyshemeja pelvike nga lindjet e sforcuara, nga numri i shtuar i lindjeve apo nga lindja e fëmijëve me peshë të madhe, ndërhyrja operatore është ajo që bën rregullimin e këtij defekti. Sot ka ndërhyrje operatore shumë të lehta. Gruaja bën ndërhyrje të thjeshtë, shtrohet në maternitet apo spitalet ku realizohet ky lloj operacioni, qëndron jo më tepër se 2-3 ditë dhe del e shpëtuar nga kjo situatë. Nëse do të jetë e stresit, atëherë rekomandohet trajtimi me antistresantë apo edhe me medikamente të cilët forcojnë muskulaturën e fshikëzës së urinës. Por sigurisht që këto janë raste më të pakta.
Krahas një infeksioni që e përmendëm më lart, simptomë e cilës patologji mund të jetë tjetër mosmbajtja e urinës?
Infeksionet gjinekologjike mund të japin ndjenjën e inkontinencës urinare, ndjenjën e një parehatie te gratë.
Pse femrat janë më të prirura se meshkujt për të vuajtur nga mosmbajtja e urinës?
Femrat janë më të prirura për shkak të ndërtimit anatomik të aparatit gjenital. Edhe meshkujt kanë probleme të inkontinencës urinare, por në numër më të paktë sesa femrat. Femrat për arsye të ndërtimit anatomik janë të “dënuara” ta vuajnë më shumë.
Si mund të kujdesen femrat për veten?
Nëse ato do të kontaktojnë mjekun gjinekolog, ai/ajo do t’i këshillojë të bëjnë ushtrime për të forcuar muskulaturën e fshikëzës së urinës. Janë ushtrime të thjeshta. Nëse do të arrijnë t’i bëjnë disa herë në ditë, jam e bindur që çdo gjë do të shkojë normal.
Inkontinenca a hyn te patologjitë problematike?
Inkontinenca urinare është problematike, por në momentin që gruaja e shikon që fshikëza e urinës ka rrëshqitur, nga lindja për shembull, atëherë ajo sigurisht që ka mungesë rehatie. Nuk e ndjen veten të qetë, nuk arrin të kollitet një herë, sepse të mbathurat e saj do të lagen me pika urine, nuk arrin të ngrejë dot një peshë, sepse do t’i ndodhë e njëjta gjë. Kështu që problematika është jo vetëm personale, por them e përgjithshme e çiftit. Shpesh këto gra drejtohen me gjitha bashkëshortin, sepse edhe ata kanë problemet e tyre në këto raste, duke kërkuar që gruaja të trajtohet padiskutim. Në rastet kur kemi një rrëshkitje të fshikëzës urinare, ne rekomandojmë ushtrimet, por në rastet kur kemi gradën e dytë ose të tretë, rekomandohet ndërhyrja kiurgjikale.
Cilat janë komplikacionet në rast mosparaqitje te mjeku?
Në rast mosparaqitjeje te mjeku do të kemi një rrëshqitje totale të fshikëzës së urinës. Nëse do të ketë një infeksion urinar, infeksioni urinar do të kapë edhe pjesën e sipërme të traktit urinar duke përfshirë uretrën dhe veshkat, duke na dhënë nefritin, pielonefritin, që do të jenë më pas problematike për shëndetin.
