Vajza po më vdes, mjekët bëjnë pazare

Luan Hasa është emri i “viktimës” së radhës që i ka rënë fati të sorollatet nëpër dyert e institucioneve tona. Vajza e tij, vetëm 7 vjeçe, Kristina duhet të bëjë një operacion në sy, ndërkohë që të gjithë mjekët e spitalit francez pranë QSUT-së kanë hequr dorë duke nënshkruar dërgimin e pacientes për operacion jashtë vendit. Arsyeja se pse mjekët kanë hequr dorë është se spitali nuk i ka kushtet dhe pajisjet e duhura për ta kryer atë operacion.

Luan HasaUrdhri i dërgimit të Kristinës jashtë vendit është firmosur nga mjekë që kanë pasur Kristinën nën kontroll por edhe nga vetë drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastriliu. Megjithatë, ashtu siç është traditë nëpër spitalet tona mjekët të përcjellin për konsulta në spitalet private. Atje ku premtimet e “ëmbla” shoqërohen me çmime vërtet të kripura.

Hasa tregon që në spitalin privat i kishin ofruar mundësinë e operimit të vajzës. Por çmimi për atë operacion ishte vërtet i lartë. “Spitalet private, – thotë Hasa, – më ofruan mundësinë për të bërë pazare,  për të diskutuar për çmimin. Pazari i fundit, 1500 euro”.

Hasa jo vetëm që nuk i ka ato para për të kuruar vajzën, por as nuk ka besim në spitalet private.

“Këta të fundit mund ta vdesin pacientin dhe nuk mbajnë përgjegjësi, – thekson ai. – Po dëgjojmë çdo ditë si mjekët i marrin pacietët në spitalet private dhe nëse gjërat nuk shkojnë mirë, i sjellin ata pranë spitalit shtetëror për të mos prishur imazhin e klinikës së tyre”.

Kjo gjë e ka trembur. I shqetësuar dhe i irrituar për këtë situatrë të krijuar ai tregon të gjitha dokumentet dhe shprehet i vendosur që do të qëndrojë në dyert e ministrisë deri kur gjithçka të zgjidhet. Hasa i drejtohet gazetës “Shëndet+” si e vetmja gazetë shëndetësore që mund ta ndihmojë dhe ta përcjellë zërin e tij deri tek ministri. Pasi takimi me këtë të fundit po kthehet në një makth, siç shprehet ai vetë. “Të kesh mundësinë të kapësh ministrin, është si të kapësh Zotin. Nuk më lënë të kaloj as derën e recepsionit. Nuk e di çfarë të bëj, jam vërtet i shqetësuar. Vajza po më vdes atje në spital, por askush nuk do t’ia dijë”.

Si quheni dhe pse jeni kaq i irrituar?

Jam Luan Hasa. Jam nga qyteti i Skraparit. Jam i irrituar se po kërkoj të takoj ministrin dhe nuk më lënë që të hyj brenda. Madje, as nuk e lajmërojnë.

Denoncim Luan HasaPse do ta takosh ministrin?

Dua ta takoj për problemin e vajzës sime, Kristina. Ajo duhet të bëjë një operacion në sy jashtë vendit, urgjent. Jeta e saj është në rrezik. Unë kam të gjitha dokumentet e nënshkruara nga njerëzit kompetent që vajza të shkojë për kurim jashtë.

Pse nuk realizohet në QSUT operacioni?

Unë te Francezi e kam shtruar vajzën. Po mjekët atje nuk e morën në dorë. Nuk mund ta realizojmë, më thanë, sepse nuk kemi mjetet e duhura, prandaj më nënshkruan urdhrin që vajza të operohet jashtë. Siç mund ta shikosh edhe nga dokumentet (shiko fotot) urdhri është nënshkruar nga mjekët edhe nga drejtoresha e QSUT-së . Mjekët e QSUT –së më thanë të shkoja njëherë tek privati, po atje më dhanë një çmim 3500 euro. Pastaj ma ulën çmimin, më thanë 1500 euro.

Nëse ke të gjitha dokumentet dhe gjithçka është në rregull, ku qëndron problemi?

Nuk e nisin vajzën jashtë me pretendimin se nuk ka helikopter për ta transportuar. Duhet të presim helikopterin. Vajza është shumë keq, nuk ka më kohë.

Pse nuk e bën në privat operacionin?

Po ku t’i gjej unë gjithë ato para?! Jam pa punë, pa lekë. Nuk kam as besim tek spitalet private. Këta ta vdesin vajzën dhe nuk mbajnë përgjegjësi. Çfarë të bëj unë pastaj. Vajza vetëm 7 vjeçe. Po vuan atje. Këta bëjnë pazare.

Çfarë do t’i kërkoni ministrit?

Të ma nisë vajzën urgjent. Do t’ia tregoj të gjitha dokumentet. Nuk ka kush më ndihmon tjetër. Mjekët kanë hequr dorë, privati do lekë. Këtu ishte një mjek Aliu, që më tha hajde ta bëj unë vajzën operim. Po unë nuk e njoh. Nuk kam besim që nuk do ma vdesi vajzën.

Postime të ngjashme

Keni fëmijën me gji dhe jeni me grip? Mjekja pediatre: Kujdesi që duhet të tregoni që të mos ia transmetoni
Tejkalimet buxhetore 2021–2024 zbulojnë nevojat e larta në sektorin e shëndetësisë
“Është rritur në mënyrë eksponenciale”- Kardiologu Edvin Prifti shpjegon arsyet e atakut në moshat e reja
Pësoi atak kardiak, ndahet nga jeta këngëtari Shpat Kasapi
Bebet para kohe/ Rritet numri i fëmijëve që lindin premature, mjekët: Ndikojnë alkooli dhe mosha e madhe e nënës
Studimi: Vetëm 2 cigare në ditë rrisin me 50% rrezikun e sëmundjeve të zemrës
Me këto këshilla do të shpëtoni nga buzët e çara
Shtrëngata dhe stuhi, ja zonat më të rrezikuara nga moti i keq (HARTA)