Kryefaqja Gjeni mjekun tuaj Gastrohepatologji Valdete Malaj: Ç’duhet të dini për hepatitin B, shenjat, si transmetohet dhe...

Valdete Malaj: Ç’duhet të dini për hepatitin B, shenjat, si transmetohet dhe trajtimi

0
Shpërndaje

 

Bisedoi: Desara Çela

Hepatiti viral është inflamacion i mëlçisë, i njohur si verdhëza, i shkaktuar nga viruse të ndryshme. Ka disa lloje hepatitesh virale A, B, C, D dhe E, në varësi të llojit të virusit që i shkakton. Hepatiti viral është një problem i shëndetit publik mbarëbotëror, për shkak të barrës së sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë që ai shkakton. Hepatiti viral prek qindra miliona njerëz në mbarë botën duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë, si dhe është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në nivel global.

Në një intervistë për gazetën “Shëndeti online” mjekja gastro-hepatologe Dr. Valdete Malaj tregon më shumë rreth Hepatitit B.

Doktoresha, çfarë është hepatiti B?

Hepatiti B është një sëmundje akute dhe kronike e mëlçisë. Është një problem madhor për shëndetin e popullatës botërore për shkak të ndërlikimeve të shumta që ai jep nëse nuk kapet në kohën e duhur, nuk diagnostikohet dhe nuk trajtohet ashtu siç duhet.

Çfarë shenjash ka?

Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës të fshehur të infeksionit. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përzjera, të vjella dhe dhimbje barku. Virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë apo kancer të mëlçisë. Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha në të cilën një person infektohet. F

Si diagnostikohet?

Nëse një person është i infektuar, kjo mund të konstatohet vetëm nëpërmjet bërjes së testit të gjakut. Një numër testesh janë në dispozicion për të diagnostikuar personat me hepatit B. Por, për fat të keq, një pjesë e njerëzve nuk e dinë që janë të infektuar sepse nuk kanë shenja të dukshme. Kur ata fillojnë të kenë shenja, dëmtimet kanë përparuar.

Janë kryesisht 4 lloj analizash veç ekzaminimit rutinë ku ndiqet dhe vlerësohet situata e hepatitit nëse duhet ose jo të fillohet mjekim.

1- Provat hepatike, kjo është një analizë e mëlçisë që tregon  nëse virusi po e dëmton apo jo mëlçinë.

2-Ngarkesa virale.

3-Antigeni sasior

4- Elastografia e mëlcisë, që tregon nëse është e dëmtuar struktura hepatike dhe në çfarë grade është e dëmtuar.

Në varësi të këtyre treguesve pastaj vlerësohet nëse ky pacient është ose jo për trajtim apo për ndjekje dhe mbajtje në vëzhgim.

Me hepatit B lind apo infektohesh gjatë jetës?

Hepatiti B nuk është sëmundje e trashëguar, sigurisht që transmetohet nga nëna tek fëmija gjatë procesit të lindjes.

Me hepatit B infektohesh në disa rrugë të cilat janë:

1-Injeksionet

2-Përdorimi i shiringave të përbashkëta, krysisht tek ato individë të cilët janë përdorues të drogës.

3-Tek dentisti

4-Gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale

5-Marrëdhënieve seksuale, etj

Tek marrëdhëniet sekuale transmetimi ndodh kur kemi dëmtime të organeve gjenitale dhe zona ku ka gjakderdhje, zona të plasaritura. Këto që përmenda janë rrugët kryesore të marrjes së Hepatitit, kuptohet të gjitha nepërmjet gjakut.

Si trajtohet?

Përqindja më e madhe e Hepatitit B është hepatit siç i themi dhe ndryshe “i fjetur” nuk e dëmton pacientin.

Por një pacient i cili diagnostikohet me Hepatit B duhet të jetë gjatë gjithë jetës së tij në kontrollin mjekësor nga mjeku përkatës. Hepatiti B gjatë trajtimeve edhe mund të mos i përgjigjet mjekimit të marrë, mund të krijojë mutacione virusi  dhe kështu që ka vështirësi në trajtimin e këtij hepatiti.

Cilat janë pasojat tek një pacient i cili nuk trajtohet?

Pasojat janë që nga hepatit kronik shkon ne cirrozë dhe më pas në hepatokarcinomë e cila është kanceri i mëlçisë. Prandaj është shumë e rëndësishme që pacientët duhet të bëjnë të paktën një herë në vit një bilanc total për të parë se si është gjendja.

Pacientët të cilët janë me hepatit B patjetër çdo 6 muaj duhet të paraqiten tek mjeku specialist për të bërë kontrollin rutinë.

A kemi shtim të rasteve me hepatit B?

Në këto vitet e fundit ka shtim të hepatiteve. Mund të jetë edhe ndërgjegjësimi i njerëzve për t’u marrë më tepër me veten, pë të bërë chekup-et, kjo bën që të zbulohen rastet të reja.

Hepatitet B dhe C janë një problem mbarë botëror, sepse është problem edhe në dignostikim dhe në trajtim. Trajtimi me anti-viral ka dhe kostot e veta dhe jo të gjithë arrijnë të trajtohen.

 Pak më lart përmendët që mund ta marrë edhe fëmija gjatë lindjes nga nëna por a është problem tek këta fëmijë kjo?

Fëmijës i bëhet vaksina sapo lind dhe nuk është problem.

Tashmë është një gjë shumë pozitive pasi me sa kemi parë të gjitha gratë shtatzanë testohen për Hepatitin B dhe C, kjo gjë është shunë e rëndësishme, qoftë për diagnostikimin e tyre por edhe për fëmijën që do vijë në jetë.

Po në momentin që Hepatiti B është i “fjetur” a është ngjitës?

Po! Hepatiti është në gjak. Është shumë e rëndësishme imuniteti i personit, kjo sepse kur personi ka imunitet të mirë në përgjithësi edhe virusi rri si i “fjetur” në momnetin që bie imuniteti ateherë agravohet. Edhe kur një person e ka të fjetur mund ta kalojë tek një person tjetër i cili e ka imunitetin me të dobët.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here