Kryefaqja Box 1 Vdes fëmija se nuk pranojnë ta vaksinojnë, prindërit nën akuzë

Vdes fëmija se nuk pranojnë ta vaksinojnë, prindërit nën akuzë

0
Shpërndaje

Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka

Një çift kanadez u përpoq të shëronte djalin e mitur me shurup panje dhe kura të tjera alternative në vend të ilaçeve, duke e lënë atë të vuajë për disa javë rresht derisa vdiq nga meningjiti.

David dhe Collet Stephan, nga Alberta, po gjykohen tani për vdekjen e djalit të tyre Ezekiel, i cili kishte qenë vetëm 18 muajsh. Prindërit akuzohen se nuk e kanë vizituar djalin tek një mjek, por kanë eksperimentuar me kurat alternative, duke i shkaktuar vdekjen foshnjës së tyre.Ezekiel

Sipas të përditshmes Global News, djali kishte pasur temperaturë dhe probleme me frymëmarrjen para se të vdiste. Në vend që ta vizitonte tek mjeku, nëna e tij kishte kërkuar për simptomat në internet dhe ishte përpjekur që ta shëronte në shtëpi. Ajo kishte përdorur trajtime të ndryshme, si shurup panje, lëng me boronica, një përzierje të rrënjëve të xhenxhefilit, uthullës së mollës, perime të ndryshme dhe erëza me shpresën se mos rrisnin sistemin imunitar të djalit. Në fillim Ezekiel shfaqi përmirësime, por më vonë gjendja e tij u përkeqësua.

Çifti më vonë e kishte çuar djalin tek një mjek popullor, i cili i kishte dhënë djalit ilaçe për meningjitin pa e ekzaminuar fare. Djali përsëri filloi të përmirësohej për disa ditë, por vazhdonte të ishte i sëmurë, derisa një ditë u bë shumë keq. Prindërit telefonuan 911 dhe e dërguan djalin në spital, por ishte shumë vonë. Djali ndërroi jetë pas pesë ditësh që ishte shtruar në spital.

Çështja nëse duhet të vaksinohen fëmijët apo jo është bërë diskutuar shumë këto kohët e fundit. Kujtojmë këtu debatin që nxiti postimi i një fotoje nga themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, me të bijën e tij Max në një qendër shëndetësore në Palo Alto, ku shkruante: “Vizitë tek doktori – koha për vaksina!

Postimi i fotos ka rindezur një debat në Shtetet e Bashkuara në lidhje me çështjen nëse vaksinat e fëmijërisë janë të rrezikshme. Disa e mbështetën Markun, ndërsa të tjerë e kundërshtuan.

“Vaksina është helm për njerëzit. Ajo vret më shumë njerëz se sa shpëton. Shpresoj që njerëzit të mos e marrin këtë si shembull,” komentoi një përdoruese e “Facebook”.

Një tjetër përdorues komentoi: “Faleminderit që mbështesni vaksinimin, një nga arritjet më të rëndësishme të kujdesit mjekësor në historinë e njerëzimit, që ka shpëtuar qindra miliona jetë njerëzish.

Burimi: Daily News / https://shendeti.com.al/

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here