Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Blertina Koka
Studime të ndryshme kanë treguar se konsumimi i verës, sidomos asaj të kuqe, sjell përfitime në shëndet, sidomos nëse e pini në sasi të moderuar. Nga ana tjetër, një studim, i publikuar këtë javë, doli me një përfundim shqetësues: vera e bardhë mund të rrisë rrezikun për zhvillim të melanomës.
Sipas ekspertëve nga Universiteti Brown, konsumimi i vetëm një gote verë të bardhë çdo ditë rrit rrezikun me 13% të zhvillimit të formës më vdekjeprurëse të kancerit të lëkurës. Ndërsa vera e kuqe nuk përmban të njëjtin rrezik.
Ekspertët thonë se format e tjera të alkoolit – birra, vera e kuqe dhe pijet e distiluara – nuk përbëjnë rrezik për zhvillimin e melanomës.
A duhet ta limitoni konsumimin e verës së bardhë, bazuar nga ky studim? Lexoni shpjegimin që jep Forbes.
Studimi i ri, i drejtuar nga shkencëtari Eunyoung Cho nga Universiteti Brown, është publikuar edhe nga Shoqata Amerikane për Hulumtimin ndaj Kancerit. Është një analizë e gjerë që iu është bërë të dhënave shëndetësore të më shumë se 210 mijë profesionistëve të shëndetit, 2/3 e të cilëve ishin infermierë, për 18 vite.
Pjesëmarrësit vinin nga 3 studime: dy studime të infermierëve dhe një të profesionistëve meshkuj të shëndetit.
Rreth ¾ e pjesëmarrësve ishin femra dhe pjesa më e madhe ishin të bardhë.
Autorët zbuluan se njerëzit që kishin pirë më shumë alkool ishin më të rrezikuar të prekeshin nga kanceri. Ata kontrolluan edhe faktorë të tjerë, si historia familjare me kancerin apo duhanpirja.
Tek disa nëngrupe, ato që kishin pirë më shumë verë të bardhë, ishin 50% më të rrezikuar nga kanceri i lëkurës.
Pasi analizuan edhe të dhënat në lidhje me pjesët e trupit ku ishte zhvilluar më shumë kanceri i lëkurës, shkencëtarët zbuluan se më të rrezikuara ishin pjesët të cilat nuk ekspozohen rregullisht nga dielli, si barku apo shpina, krahasuar me krahët apo qafën. Kjo tregon se efekti i verës së bardhë nuk lidhet me ekspozimin ndaj diellit.
Ka shumë pikëpyetje në lidhje me këtë studim. Pyetja më e rëndësishme është: si e shkakton vera e bardhë melanomën? Autorët thonë se kjo ndodh për shkak të përbërësit kancerogjen “acetaldehyde” që gjendet tek vera e bardhë. Por, si vera e bardhë ashtu edhe ajo e kuqja e përmbajnë këtë përbërës, prandaj nuk është akoma e qartë përse vera e bardhë e përmban këtë rrezik. Është gjithashtu e paqartë përse përbërësi acetaldehyde shkakton kancer të lëkurës dhe jo lloje të tjera kanceri, duke qenë se është përbërës kancerogjen. Një tjetër pikëpyetje është, përse shkaktohet vetëm tek pjesët që nuk janë të ekspozuara nga dielli.
Para se t’ju kapë paniku, shohim edhe njëherë përqindjen e rrezikut. Rritja me 13% e rrezikut nuk do të thotë se ju keni 13% gjasa që të prekeni nga melanoma nëse pini verë të bardhë.
Rreziku nga vera e bardhë është më e ulët, gjithsesi nuk është për t’u nënvlerësuar.
Instituti Kombëtar i Kancerit paralajmëron se alkooli mund të shkaktojë lloje të ndryshme kanceri (jo melanomën) nëse teprohet me të. Studimi i ri e përforcon këtë paralajmërim, por shton se ato që pinë verë të kuqe kanë më pak rrezik se ato që preferojnë verën e bardhë.
Siç edhe mund ta kuptoni, nuk ka një shpjegim bindës përse vera e bardhë – dhe jo ajo e kuqja, birra apo pije të tjera alkoolike – mund të shkaktojë kancer të lëkurës. Megjithatë, tani që po afrojnë edhe festat e fundvitit, ndoshta do të ishte më mirë që të zgjidhni verën e kuqe në vend të verës së bardhë.
Burimi: Forbes / https://shendeti.com.al/


