Një vogëlushe në Kinë është futur në historinë e mjekësisë duke qenë personi i parë në botë që e ka të gjithë kafkën të ndërtuar
nga printerët 3D. E njohur si bebja me kokë të madhe, Han Han, 3 vjeçe, ka një gjendje të rrallë që e bën kokën e saj të rritet 4 herë mbi masën normale. Kjo çon në rrezik verbimi. Gjithsesi, dje ajo iu nënshtrua një operacioni prej 17 orësh dhe tani pritet të rikuperohet.
Fëmija lindi me hidrocefali (mbledhje e lëngjeve në tru, zakonisht tek të vegjlit, duke shkaktuar rritje të kokës). Por gjendja e saj u bë më keq, pasi lëngu i mbushi 85% të trurit, duke e zmadhuar kafkën e saj me 3-4 herë.
Para se t’i nënshtrohej operacionit, Han Han pati probleme mjekësore si një kafkë të dobët dhe furnizim të ulët me gjak. Duke qenë se koka e saj peshonte sa gjysma e peshës trupore, ajo bënte përpjekje të mëdha për ta ngritur kokën nga jastëku, kështu që për një vit qëndroi në krevat.
Doktorët përllogaritën fillimisht se operacioni do të kushtonte rreth 400 000 – 500 000 jen kinez (rreth 80 000 dollarë). Falë donatorëve nga familja dhe miqve u mblodhën rreth 100 000 jen. Pasi nëna e Han Hanit u largua kur ajo ishte vetëm një vjeçe, babait të saj i ra barra që të siguronte të paktën 100 jen në ditë që t’i blinte ilaçet e duhura.
Në fakt, ishte bujaria e njerëzve të huaj që dhuruan në internet për të arritur realizimin e operacionit. Dje 3-vjeçarja iu nënshtrua një operacioni rrezikues për jetën. Kirurgët përdorën teknologjinë 3D për të krijuar një kafkë titaniumi, që u vu suksesshëm gjatë operacionit. Ajo hapi sytë pak pas operacionit dhe më pas u dërgua në reanimacion. Tashmë pritet rikuperimi i plotë./ Përgatiti: Arlinda Gjypi


