Kryefaqja Shendeti a-z H Vuani nga hipertensioni? Ndaloni kripën!

Vuani nga hipertensioni? Ndaloni kripën!

0
Shpërndaje

hipertensioniMjeku kardiolog Muhamed Kondi flet lidhur me rëndësinë që ka mënyra e jetesës në mbajtjen nën kontroll të tensionit të lartë

Aishe Thartori

Mbi 1.5 miliardë njerëz vuajnë nga presioni i lartë arterial (ose hipertensioni) në të gjithë botën dhe rreth 7 milionë prej tyre vdesin çdo vit për shkak të presionit të lartë arterial. Ky është bilanci i bërë publik nga OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë). Hipertensioni është një ndër faktorët kryesor që lidhet më sëmundjet e zemrës, infarktin, sëmundjet e veshkave dhe diabetin.

Rreth 50% të sëmurëve me hipertension nuk kanë ankesa ose simptoma paralajmëruese dhe e kuptojnë sëmundjen kur ajo ndodh, për shembull kur pësojnë infarkt në zemër. Në moshat 60-vjeçare, 2 në 3 persona vuajnë nga hipertensioni.

Po çfarë është hipertensioni? Nga se shkaktohet dhe cila është mënyra për ta mbajtur nën kontroll? Mjeku kardiolog Muhamed Kondi, i kontaktuar nga gazeta “Shëndet Plus”, pohon se hipertensioni është një sëmundje “dhelpërake”, pra, një sëmundje që shfaqet papritur dhe komplikacionet që sjell në organizëm janë të mëdha. Sipas mjekut kardiolog, “shenja e kësaj sëmundje është që nuk shfaq asnjë shenjë”, ndaj ai u bën apel moshave mbi 40 vjeç që të kryejnë rregullisht kontrolle të paktën 1 herë në 6 muaj.

Çfarë është hipertensioni?

Hipertensioni  njihet gjerësisht si presioni i lartë i gjakut. Hipertensioni nuk është gjë tjetër veçse humbja e aftësive që kanë enët e gjakut për t’u tkurrur dhe relaksuar atëherë kur duhet. Hipertensioni quhet ndryshë edhe “vrasës i fshehtë”, sepse mekanizmi i sipërpërmendur prishet për shkaqe të paditura. Ena e gjakut bëhet shumë “kokëfortë” dhe në momentin kur duhet të lirohet, nuk e bën këtë gjë duke mbetur gjatë gjithë kohës  e takuar.

Sëmundja përkeqësohet gradualisht dhe kjo shtrihet në një hark të gjatë kohor, ndaj shpeshherë individët e kanë të vështirë të kuptojnë dhe më pas t’i drejtohen mjekut.

Hipertensioni mund ta kategorizojmë në dy lloje: në hipertension kryesor dhe dytësor.

Hipertensioni kryesor. Ky lloj hipertensioni përfshin rreth 90% të rasteve që vuajnë apo preken nga hipertensioni. Shkaktarët e tij nuk dihen, por mendohen të jenë një sërë faktorësh, si: trashëgimia, mbipesha, kequshqyerja, mungesa e aktivitetit sportiv etj.

Hipertensioni dytësor. Quhet hipertension dytësor sepse në të tilla raste hipertensioni vjen si rezultat i një problemi tjetër që individi ka në organizëm, siç mund të jenë problemet në veshka,  ngushtim i aortës etj.

zemra mat tensioninzemra mat tensioninzemra mat tensioninPse prishet ekuilibri i enëve të gjakut?

Mendohet që janë një sërë faktorësh që çojnë në prishjen e ekuilibrit të enëve të gjakut. Një ndër faktorët që ka një peshë të madhe, është pa dyshim stresi. Niveli i lartë i hormoneve të stresit në organizëm i mban gjithmonë të tërhequra enët i gjakut dhe për pasojë ky mekanizëm, kur vjen momenti që duhet të lirohet, s’e bën këtë gjë sepse është faktori stres në mes.

Një tjetër faktor që ndikon në hipertension është edhe karakteri ose tipi i njeriut. Personat që e përjetojnë më së shumti stresin, janë shumë herë më të riskuar ndaj hipertensionit.

Një faktor shumë i rëndësishëm është abuzimi me kripën. Madje, do të theksoja që është një ndër shkaktarët kryesor të hipertensionit. Popuj që janë të mësuar të mos e përdorin kripën, siç mund të jenë për shembull disa zona në Japoni, nuk vuajnë fare nga hipertensioni, pothuajse nuk e njohin fare si sëmundje. Kripa është një nga elementet bazë jo vetëm për trupin e njeriut, po për çdo gjallesë, por nuk duhet të abuzohet me të. Nuk është thjesht kripa që është e dëmshme, por është abuzimi me të.

Pse dhe si ndikon kripa në rritjen e tensionit?

Kripa thith ujin në organizëm. Duke thithur ujin, nëpër enët e gjakut qarkullon më tepër seç duhet ujë. Po të shikosh njerëzit që abuzojnë me kripën, janë si të fryrë dhe indirekt del problemi i ujit të tepërt, gjë që sjell rritje të  presionit në gjak. Gjithashtu, edhe sëmundjet e veshkave janë një ndër shkaktarët e rritjes së tensionit.

Cilat grupmosha janë më të riskuara ndaj hipertensionit?

Mbi moshën 40-vjeçare fillojnë dhe shfaqen problemet me hipertensionit. Burrat janë ata që janë më të ekspozuar ndaj hipertensionit dhe kjo lidhet kryesisht me mosmbajtjen e një regjimi të mirë gjatë ushqyerjes. Ajo çka i ekspozon me tepër meshkujt, është abuzimi në tërësi me mënyrën e jetesës. Ndërsa përsa i përket femrave, duhet thënë se hipertensioni fillon e ndihet mbi 50 vjeç edhe për arsye të çrregullimeve hormonale në organizëm. (Intervistën e plotë do ta lexoni në gazetën Shendet+)

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here