Kryefaqja Lajm kryesor Zemra dhe tensioni në stinën e verës, çfarë të kemi kujdes

Zemra dhe tensioni në stinën e verës, çfarë të kemi kujdes

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

Temperaturat ekstreme, qoftë të larta apo edhe shumë të ftohta, sjellin një sërë problematikash për të sëmurët kronikë, veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, hipertensioni apo ata me sëmundje kronike të mushkërive.

Anila Rexha, mjeke kardiologe në Qendrën Shëndetësore Nr.3 tregon se për pacientë të tillë këshillohet bërja e një kontrolli përpara se të vijë stina e nxehtë. Shpeshherë tek këta pacientë gjatë stinës së verës bëhet e nevojshme edhe rishikimi i dozës së preparateve për shkak të dehidrimit dhe humbjes së theksuar të lëngjëve.

Si ndikojnë temperaturat e larta në sëmundjet kardiovaskulare?

Stina e verës si për një sërë patologjish, edhe për të sëmurët kronikë, padyshim që sjell një sërë problematikash. Normalisht kategoria e të sëmurëve kronikë, ku një pjesë të rëndësishme e zënë sëmundjet kardivaskulare, meriton një vlerësim të veçantë. Për të gjithë ata pacientë që kanë kaluar një infarkt, janë me diabet, kanë probleme me hipertensionin dhe sëmundje shoqëruese, ne rekomandojmë bërjen e një kontrolli përpara se të vijë stina e nxehtë.

Pavarësisht faktit që ne i grupojmë në kategori (grupe) brenda grupit ka individë që janë më të riskuar, ka individë që kanë nevojë për këshilla më të detajuara, dhe normalisht ne gjithnjë themi se vlen një vizitë përpara sezonit të verës.

Cilat janë sëmundjet që përkeqësohen me të nxehtin?

Temperaturat ekstreme qoftë të larta apo edhe të ftohta, janë problematike pa diskutim për të gjithë të sëmurët, e veçanërisht për ata me sëmundje kronike. Ne kemi këshilla për të gjithë popullatën, por pacientët me probleme kronike janë më të riskuar për arsye se janë nën mjekim. Duke qenë nën mjekim, stina e nxehtë bëhet shpeshherë arsye për të rishikuar dozën e preparateve me të cilën këta pacientë mjekohen për shkak të dehidrimit dhe humbjes së theksuar të lëngjëve.

Na ndodh shpeshherë që vijnë pacientë e na thonë më është ulur tensioni dhe duhet të ul dozat e ilaçeve! Pa diskutim që ndodh dhe kjo, për shkak se temperaturat e nxehta favorizojnë enëzgjerimin apo vazodelitacionin në gjuhën mjekësore. Ne shikojmë që herë pas herë është e nevojshme që të ulen dozat apo numri i preparateve tek pacientët që mjekohen për hipertension, por kjo nuk është gjithmonë e nevojshme, pasi tek shumë pacientë gjendja qëndron e stabilizuar pavarësisht temperaturave të larta. Pra, këshillat që i thamë në krye të herës, janë vërtet për grupe, por brenda grupit çdo individ shfaq specifikat e veta, e rëndësishme është që ne t’i këshillojmë.

Pacientët që janë me  hipertension veçanërisht, duhet të jenë mjaft të kujdesshëm nga ekspozimi në orët  e pikut, pasi këto lloj rrezesh përveçse janë të dëmshme për lëkurën, bëhen shkak për të provokuar tensione shumë të larta, gjendje të fikti, deri në humbje të vetëdijes sipasojë e dehidrimit.

Cilat janë shenjat/simptomat që paralajmërojnë probleme me hipertensionin apo një arrest kardiak?

Ngjarjet e papritura të zemrës apo arrestet kardiake ndonjëherë nuk japin as edhe një shenjë dhe kjo është ajo pjesa problematike që hasim ne, sepse një individ i shëndetshëm në dukje mund të ketë probleme edhe më të rëndësishme dhe për këtë arsye ne këshillojmë vlerësimin e rriskut kardiovaskular individual, pa ardhur radha tek ataku. Mund të ndodhë në pacientë të këshilluar, apo vlerësuar më parë, pra nëse një paciente e ka mjaft të qartë që sa i rrezikuar është për të bërë ngjarje të papritura kardiovaskulare, propabilitetet ulen padyshim. Në qoftë se individi nuk ka asnjë ide sa i shëndetshëm është, atëherë padiskutim as ne si mjekë nuk mund të parashikojmë, prandaj themi vlerësim i riskut kardiovaskular individual. Individualizohet risku dhe ne informojmë pacientin se sa mundësi ka të bëjë ngjarje të pakëndshme.

A ka një ndryshim në dozën e medikamenteve që duhet të përdorin këta pacientë gjatë periudhës së nxehtë?

Përgjithësisht ka një opinion, duke qenë se stina e ngrohtë favorizon enëzgjerimin apo vazodelitacionin, herë pas herë shihet e nevojshme/ ndodh që të ulen dozat e preparateve veçanarisht të mjekimit të hipertensionit, por në mënyrë absolute nuk mund të themi që kjo është e njëjtë për të gjithë. Mjaft njerëz vazhdojnë të marrin të njëjtat doza preparatesh, sepse sidomos për hipertensionin apo tensionin e lartë të gjakut, individi edhe vetinformohet duke e matur. Ndonjëherë ne këshillojmë matje më të shpeshta, që të jemi më korrekt edhe në këshilla.

A këshillohen vizita më të shpeshta tek mjeku kardiolog në këtë periudhë?

Vit pas viti po e shohim që stina e verës sjell më shumë pacientë, kjo ndoshta edhe për faktin që njerëzit janë më të sensibilizuar në drejtim të kujdesit për shëndetin e tyre, por edhe për faktin që stina e nxehtë i detyron njerëzit qoftë dhe për shqetësime fare të vogla që mund të mos jenë dhe të lidhura me zemrën, të paraqiten te mjeku. Jo për ta mbivleresuar, por problemet e zemrës duke qenë të shpejta dhe që nuk presin, meritojnë një vlerësim paraprak pikërisht për atë që ndërhyrja apo këshilla të jepet në kohë.

Ne u  themi: ndiqni këshillat rutinë dhe a ka mundësi të mos dilni dhe për vizitë në temperatura të larta apo dhe vizita tek mjeku të planifikohet dhe të bëhet në orë sa më të përshtatshme.

Cilët persona janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta?

Grupet më të ndjeshme janë padyshim fëmijët dhe të moshuarit. Meqenëse unë jam mjeke e zemrës dhe ne kryesisht kemi punë me moshën e tretë apo të moshuarit, ku dhe sëmundjet kronike janë më të shpeshta dhe këta individë këshillohen absolutisht më vete, sepse secili prej këtyrë ka specifikat e veta.

Pastaj si grupe të mëdha janë padiskutim pacientët me diabet, pacientët me hipertension, pacientët me sëmundje kronike të mushkërive, pacientët e njohur për probleme të zemrës si çrregullime ritmi apo sëmundje iskemike.

Ka ndonjë dallim mes meshkujve dhe femrave, kush preken më shumë nga sëmundjet kardiovaskulare?

Gjithnjë janë meshkujt më të rriskuar. Kjo është provuar edhe shkencërisht për shumë arsye, ku ndër të mund të përmendim faktin që sëmunjdet kardiovaskulare janë multifaktoriale (shumë faktorëshe).

Ndërkoh që referuar moshës, tek meshkujt sëmundjet kardiovaskulare shfaqen gati një 10 vjeçar më herët se sa tek femrat. Megjithatë sot ky raport duket se po ndryshon, përshkak se femrat po bëhen gjithnjë e më shumë konsumatore të cigares.  Ndaj mund të themi që shumë shpejt këto raporte do të barazvlersohen.

Çfarë  vendi zë vdekshmëria për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare?

Sëmundshmëria kardiovaskulare vijon të jetë shkaktare numër 1 e vdekshmërisë në botë, dhe  për këtë arsye ne gjithnjë këmbëngulim tek parandalimi. Sa më herët të informohemi, sa më herët të marrim masa, aq më shumë kemi në dorë për jetën tonë, qoftë për jetëgjatësin, qoftë për cilësin e jetës.

Ndodh shpesh gjatë verës të dëgjojmë ‘pësoi atak kardiak në plazh’. Pse ndodh kjo?

Humbjet e jetës në mënyrë të mënjëhershme janë kryesisht për shkaqe zemre. Duke qenë kështu, është shumë e rëndësishme që secili të njohë shëndetin e tij, që do të thotë: nëse ne notin e këshillojmë si sport shumë të shëndetshëm, pacienti duhet të dijë dhe si të ndërveprojë me ujin. Temperatura e ujit duhet të jetë sa më e afërt me temperaturën e ambjentit, ose pacienti duhet të familjarizohet gradualisht pa filluar të notojë. Këtu kam një porosi të veçantë për pacientët që kanë kaluar një infarkt miokardi, pacientët me rrezik të lartë për të shfaqur sëmundje të enëve të gjakut, pacientët diabetikë dhe ata me një hipertension të pakontrolluar, të këshillohen patjetër me mjekun përpara se të fillojë sezoni i pushimeve apo ndryshe të notuarit, pasi vërtet noti është një sport shumë i shëndetshëm, por aq është edhe i rrezikshëm. Pra, këta janë pacientë që duhen këshilluar, mundësisht individ për individ.

Këshilla?

Në vend të parë padiskutim qëndron marrja korrekte e medikamenteve për të sëmurët kronikë dhe konsumi i ujit siç këshillohet për çdo grupmoshë, në mënyrë që veshkat të punojnë në kushte sa më optimale. Por për të sëmurët kronikë ne e theksojmë veçanërisht këtë porosi, përjashtuar të sëmurët të cilët janë me insuficencë kardike apo pamjaftueshmëri të funksionit të zemrës, ku mjeku është pak më i detajuar në këshilla apo në konsumin e ujit. Personat e tjerë me sëmundje kronike është shumë e rëndësishme që rehidrimin apo konsumin e shëndetshëm të ujit 2-3 litra veçanërisht në stinën e verës ta kenë porosi të veçantë, krahas të gjitha këshillave të tjera për një jetese të shëndetshme./ Shendeti.com.al

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here