Në rastet e problemeve me shtyllën kurrizore, kur njerëzit duhet t’i drejtohen neurologut dhe kur ortopedit?
Nga kirurgu ortoped Artan Bano
Trajtimin kirurgjikal të hernies diskale e kryen një kirurg ortoped ose neurokirurg i specializuar në kirurgjinë e kolonës vertebrale. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes se cili specialitet është më i përshtatshëm, duhet theksuar se të dy specialitetet mund të merren në konsideratë.
Kirurgjia ortopedike është e fokusuar në trajtimin e traumës dhe të patologjive muskuloskeletale, si p.sh.: të kolonës vertebrale, artrozat, traumat atletike, tumoret kockore, probleme të dorës apo të artikulacioneve të mëdha te të rriturit dhe fëmijët. Disa ortopedë specializohen ekskluzivisht në trajtimin e problemeve të kolonës ose në fushat e tjera të lartpërmendura. Neurokirurgët janë të fokusuar në diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të trurit, të kolonës vertebrale. Disa neurokirurgë specializohen ekskluzivisht në trajtimin e patologjive të kolonës vertebrale. Kirurgët e të dy specialiteteve të trajnuar në trajtimin e traumës dhe të patologjive të kolonës vertebrale quhen kirurgë spinalë (spine surgeons – në gjuhën anglo-saksone).
Problemet e kolonës vertebrale janë shumë specifike dhe kërkojnë një shkallë të lartë trajnimi bashkëkohor dhe përvoje nga ana e kirurgëve me qëllim që të arrihet maksimumi i pritshmërive. Ky fakt përbën faktorin e parë dhe të vetëm, të kontrollueshëm nga pacienti i cili do t’i nënshtrohet një procedure kirurgjikale në shtyllën kurrizore. Ekzistojnë dhe dy fkatorë të tjerë, të dy të kontrollueshëm nga kirurgu, nga trajnimi dhe përvoja e tij: pacienti i duhur dhe niveli i duhur. Pacienti i duhur në kirurgjinë e kolonës vertebrale nënkupton zgjedhjen e procedurës së saktë për çdo pacient. Nuk mund të funksionojnë të gjitha procedurat njësoj për të gjithë pacientët. Niveli i duhur nënkuptohet realizimi i procedurës kirurgjikale me saktësi. Nëse një prej tre faktorëve: kirurgu i duhur, pacienti i duhur, niveli i duhur nuk vlerësohet nga ana e pacientit apo kirurgut, procedura mund të shkaktojë probleme më të mëdha sesa problemi primar.


