Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Ndonjëherë duket sikur gjithçka mund të shkaktojë kancer. Fatmirësisht kjo nuk është e vërtetë, ashtu siç janë të pavërteta këto mite për sëmundjen vdekjeprurëse.
Mit: Kanceri është një “betejë”, duhet ta fitosh atë
Shumë njerëz e mendojnë kancerin si një betejë që mund të fitohet nga pacientët e vendosur dhe të përkushtuar. Fatkeqësisht nuk ndodh një gjë e tillë. Edhe një pacient që i ndjek të gjitha udhëzimet e onkologut mund të humbasë betejën me kancerin. Kjo varet nga faktorë të ndryshëm, ku më e rëndësishmja është faza në të cilën është diagnostifikuar sëmundja.
Mit: Jeni prekur tashmë nga kanceri, nuk mund të bëni asgjë për ta parandaluar atë
“Më shumë se 50% e të gjithë llojeve të ndryshme të kancerit mund të parandalohen nëpërmjet një mënyre jetese të shëndetshme, si ushtrimet, dietat dhe mënjanimi i toksinave. Unë ju rekomandoj të ushtroheni vazhdimisht, edhe pse për një kohë të shkurtër, por përpiquni të mbani një rutinë të të qenit aktiv. Është gjithashtu e rëndësishme të ndiqni një dietë të shëndetshme duke shmangur ushqimet me shumë sheqer dhe ato të përpunuara, por të përfshini më shumë fruta dhe perime” rekomandon dr. Ted James, pjesë e bordit drejtues të Shoqërisë Amerikane të Kancerit.
Mit: Kanceri është një sëmundje
“Në realitet janë qindra lloje të ndryshme të kancerit. Secili ka një nënshkrim molekula unik dhe pasqyrime të ndryshme klinike”, tregon dr. Ashley Sumrall.
Mit: Super ushqimet mund të parandalojnë ose kurojnë kancerin
“Njerëzit mendojnë se një ushqim i caktuar mund të zgjidhë të gjitha problemet me kancerin dhe të ulë rrezikun për zhvillimin e kësaj sëmundje, gjë që nuk është e vërtetë. E gjithë mënyra e ushqyerjes mund të bëjë diferencën, dhe jo vetëm një ushqim i vetëm. Ka ushqime të caktuara që i mendoj si “super”, të cilat janë vërtet të shëndetshme dhe të pasura me lëndë të ndryshme ushqyese, si frutat dhe perimet, drithërat dhe burimet e shëndetshme të proteinave, si peshku dhe fasulet. Duhet t’i konsumojmë të gjitha këto, por jo me idenë që njëri prej tyre do të parandalojë kancerin”, shpjegon dr. Colleen Doyle, drejtuese e jetesës aktive të Shoqërisë Amerikane të Kancerit.
Mit: Kanceri është i trashëgueshëm; ju mund të prekeni nga ai vetëm nëse ndonjë nga familja juaj është prekur më parë.
“Edhe pse kanceri është gjenetik, nuk do të thotë se patjetër se ju do të prekeni pikërisht nga ai kancer që është prekur edhe një familjar i juaji më parë. Mjekësia nuk ka arritur akoma ta kuptojë pse disa pacientë të caktuar preken nga kanceri, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes me të njëjtën gjenetikë dhe ekspozim mjedisor nuk sëmuren. Gjithsesi, mesazhi i vetëm është që: Të gjithë njerëzit duhet të jetojnë jetën e tyre në një mënyrë sa më të shëndetshme të jetë e mundur për të shmangur të gjitha sëmundjet”, shprehet dr. David Poulad, i specializuar për neuro-onkologji.
Mit: Kanceri është fjala e vdekjes
“Shumë njerëz e mendojnë kancerin si të pashërueshëm, pavarësisht të gjitha parave që janë investuar në dekada të tëra kërkimesh. Ky është një mit, pasi, edhe pse kanceri mund të jetë një diagnozë shkatërruese, nuk është i pashpresë. Studimi i fundit mbi “imunoterapinë, si kura e re për kancerin”, ka ngjallur edhe më shumë shpresa për menaxhimin e kësaj sëmundjeje dhe luftimin e saj”, shpjegon dr. David Poulad.
Mit: Sheqeri shkakton kancer
“Sheqeri nuk shkakton kancer, por e përkeqëson atë. Sheqeri nevojitet për të mbështetur sistemin imunitar të luftojë kancerin. Sheqeri në një sasi të moderuar është i rëndësishëm në një dietë të balancuar”, shpjegon dr. Anton Bilchik, drejtuesi i kërkimeve gastrointestinal tek Instituti i Kancerit John Wayne në Kaliforni.
Mit: Është faji yt që ke kancer
“Edhe pse ka disa faktorë të mënyrës së jetesës që rrisin rrezikun për t’u prekur nga kanceri, nuk e dimë saktësisht çfarë e shkakton atë. Kur nis të zhvillohet kanceri, nuk është më e rëndësishme të mësosh se si e more atë. Mos harxho kohë dhe energji duke fajësuar veten apo të tjerët”, shpjegon dr. Stephen Marcus, hulumtues i kancerit dhe autor i “Komplikacionet e kancerit”.
Mit: Doktori nuk i kupton shqetësimet tuaj në lidhje me kancerin
“Jam një ekspert i parandalimit që merrem me trajtimin e kancerit, dhe në fund të ditës, si ekspert, nuk kam asnjë ndryshim nga të tjerët. Edhe ne shqetësohemi se mos prekemi nga kanceri dhe përqpiemi ta parandalojmë atë; edhe ne nuk arrijmë të kontrollojmë peshën trupore, nuk flemë mjaftueshëm, nuk kemi një balancim të punë-shtëpi, dhe nuk i vëmë në plan të parë ushtrimet fizike. Mund të na thoni çdo gjë” shprehet dr. Peter Shields, hulumtues për parandalimin e kancerit tek Universiteti i Shtetit të Ohajos.
Mit: Operacioni mund të shkaktojë rritje ose përhapje të kancerit
“Kanceri përhapet nëpërmjet gjakut dhe sistemit limfatik Operacioni nuk e rrit rrezikun për përhapje, por në shumicën e rasteve e ul atë”, shpjegon Carla Fisher, asistente e operacioneve tek Spitali i Universitetit të Pensilvanisë.
Burimi: MSN / https://shendeti.com.al/


