Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Xhuljana Elmasllari është vetëm 18 vjeçe. Ajo kurohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, në pavionin e Onkologjikut, me tumor. E reja ka një sëmundje që mund të kurohet fare mirë në rast se i sigurohen ilaçet e kimioterapisë, megjithatë, për shkak të mungesave trajtimi që ajo merr është i cunguar, duke çuar kështu në dyshime për shërimin e saj.
Xhuliana fillimisht është kuruar në Pogradec për alergji pas problemeve që kishte. Pas gjashtë muajve trajtimi për alergjinë, ajo vendos që të vijë në Tiranë për të bërë analizat e alergjisë. Mjekët në kryeqytet e këshillojnë që të bëjë një grafi të mushkërive dhe e diagnostifikojnë me probleme të mushkërive. Si rrjedhojë ajo shtrohet në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku edhe i bëhet një ndërhyrje kirurgjikale.
Pas daljes nga spitali, i këshillohet regjim shtrati dhe “bazuar në përgjigjet e biopsisë” e drejtojnë në repartin e Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku fillon seancat e kimioterapisë.
Në dëshminë e saj për gazetën “Shëndet+”, Xhuljana rrëfen: “Jam 18 vjeçe nga Pogradeci. Mjekët më kanë thënë se kam gjendra turbekulare në mushkëri. Në fillim kisha kruarje në trup dhe më thonin që është alergji. Si rrjedhojë për gjashtë muaj rresht me këto shqetësime u kurova nga mjekët e Pogradecit për probleme të alergjisë. Si përfundim, bashkë me familjen vendosa që të bëja provat e alergjisë në Tiranë, meqë problemet nuk po i kalonin.
“Kur erdha në Tiranë për të bërë provat e alergjisë, mjekët këtu më thanë që të bëja paraprakisht një grafi të mushkërisë. E bëra grafinë dhe pasi e pa mjeku, më nisi menjëherë për senatorium. Jam kuruar 10 ditë në senatorium. Madje atje u operova dhe hoqa gjendrën që kisha. Jam kuruar jo vetëm për mushkëritë, por edhe për ujë në zemër. Mjekët më thanë se shkak për këtë problem kishin qenë medikamentet e shumta që kisha marrë dhe që më kishin dhënë efekte anësore.
Si rrjedhojë, pas 10 ditësh më thanë që duhet të shkoja tek Onkologjiku dhe t’i nënshtrohesha kimioterapisë. Sot që flasim, është kimio e gjashtë që bëj”.
Sipas dëshmisë së vetë pacientes, pas dy seancave të para të kimioterapisë ajo ka filluar të ndihet mirë, por seancën e parafundit e ka bërë të paplotë për shkak të mungesës së medikamenteve. Ndërkohë, seancën e fundit nuk ka arritur ta realizojë pasi mjekët i kanë thënë që mungojnë medikamentet dhe se duhet t’i blejë vetë në rast se do të trajtohet.
” Pasi bëra dy kimiot e para, ndjeva goxha përmirësim, – thotë Xhuljana. – Por kimion e parafundit nuk e bëra dot të plotë, pasi nuk kishte medikamente. Edhe kimion e sotme nuk e bëj dot pasi në onkologjik nuk ka ilaçe. Mjekët më dhanë një recetë dhe më thanë se, nëse dua ta bëj kimion, duhet t’i blej vetë këto medikamente, pasi spitali nuk ka. Recetën mund ta shikoni. Ilaçet janë: Doxorubicin 50mg h1, Vinblastine 10 mg h1, Bleomycin 15 mg h1″.
Paaftësia financiare për të blerë vetë ilaçet e kimios, ka bërë që ajo të mos e realizojë seancën përkatëse. Sipas pacientes, ilaçet që asaj i duhen për një seancë kimio kushtojnë 150 000 lekë (të rinj).
“Familja ime e ka të pamundur t’i blejë këto ilaçe. Një cikël kushton 1.5 milion lekë. Nuk kemi ku t’i gjejmë, kështu që sot do të kthehem në Pogradec pa e mbaruar kimion. Nuk e di se si do të vazhdojë sëmundja. Shpresoj që herë tjetër ilaçet të jenë” e mbyll rrëfimin e vet të hidhur 18-vjeçarja.
Mosbërja e kimioterapisë vë në rrezik jetën e saj, ndërkohë që sëmundja është plotësisht e trajtueshme nëse kimioterapia zhvillohet siç duhet.
“Ky investigim u krye në kuadër të projektit “Investigim mbi abuzimin e pacientëve me kancer”, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life” dhe mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”