Pranvera Kola
Më shumë se një e treta e vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet tumorale janë të parandalueshme, e nëse zbulohen mjaft herët, shumë prej ndërlikimeve të shkaktuara prej tyre janë lehtësisht të shërueshme. Përkundrejt rasteve në rritje të sëmundjeve kanceroze, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kërkon
nga drejtuesit e dikastereve shëndetësore të çdo vendi, që të orientojë politikat e ndërhyrjes drejt frenimit të këtyre sëmundjeve, shtimi i të cilave ka mbërritur në përmasa alarmuese.
Në prag të Ditës Botërore të Kancerit (4 shkurt), theksi vihet tek ndërgjegjësimi në lidhje me depistimet e hershme, si dhe shtimin e programeve kombëtare që synojnë zbulimin e këtyre sëmundjeve, veçanërisht në grupet e popullatës që klasifikohen si më të rrezikuarat.
Sipas OBSH-së, mbi 30 për qind e vdekjeve nga kanceri ndodhin për shkak të 5 faktorëve që dominohen nga rreziku i sjelljes dhe ushqyerjes, si :“Mbipesha dhe obeziteti, konsumi i pakët i frutave dhe perimeve, mungesa e aktivitetit fizik, si dhe përdorimi i duhanit dhe i alkoolit”.
Ndërgjegjësimi
Monitorimi i këtyre faktorëve duhet të marrë vëmendjen kryesore, e për këtë dikasteret përgjegjëse duhet të shtojnë programet e sensibilizimit të popullatës. OBSH thekson se individët dhe komunitetet duhet të bëhen të vetëdijshëm, pasi të paktën një e treta e tyre mund të parandalohen përmes reduktimit të konsumit të alkoolit, ushqyerjes së shëndetshme dhe përmirësimit të niveleve të aktivitetit fizik.
Nëse përfshihet edhe pirja e duhanit atëherë shifra është rreth 50 për qind e shanseve në parandalimin e ndërlikimeve dhe pasojave të rënda për shëndetin. Gjithashtu një nga rekomandimet e lëshuara prej OBSH-së, është edhe mbrojtja nga rrezatimi ultraviolet (UV), e cila është kritike për parandalimin e kancerit të lëkurës, teksa duhet bërë kujdes edhe nga ekspozimet profesionale dhe mjedisore, të cilat kontribuojnë ndjeshëm në barrën e kancerit.
“Programet e parandalimit të kancerit duhet të shkojnë më tej sesa adresimi i ndryshimit në sjellje. Në shumë vende, të cilat përballen me një “barrë të dyfishtë” të shtimit të rasteve të reja, më të zakonshme janë infeksionet që shkaktojnë kancer.
Konkretisht disa prej llojeve më të shpeshta në këtë rast janë kanceri i mëlçisë dhe i qafës së mitrës, të cilat janë të lidhura respektivisht me infeksionet nga virusi i hepatit B, si dhe virusi i papilomës njerëzore(HPV)”, theksohet nga OBSH. Ndaj parandalimi dhe ndërgjegjësimi duhet të shkojë përtej sektorit të shëndetësisë duke përfshirë zbatimin e platformave të detajuara në fushën e arsimit, sportit, planifikimit urban dhe bujqësisë.
Mungesa e specialistëve dhe vështirësia e njohjes së simptomave
Përfaqësuesit e OBSH-së theksojnë se mjaft problematike mbetet vlera e zbulimit të hershëm dhe rëndësia e kërkimit të kujdesit, kur simptomat janë të pranishme. Në pjesën dërrmuese të rasteve këto simptoma jo vetëm që nuk janë kuptuar nga pacienti, por edhe në mesin e profesionistëve të shëndetit. Sikundër ndodh në shumë vende të tjera, edhe Shqipëria vuan mungesën kritike të profesionistëve të trajnuar të shëndetësisë, e cila është një pengesë kyç në ofrimin e një zbulimi të hershëm, të sukseshëm e cilësor.
“Nuk ka investime të mjaftueshme të personelit shëndetësor veçanërisht në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, ku arsimimi i stafit shëndetësor është kushti kryesor për një strategji të suksesshme të zbulimit të hershëm”, sqarohet nga OBSH. Nga të dhënat e raportuara, rezulton se shërbimet onkologjike në rrethe mungojnë, dhe se pacientëve u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës për të marrë shërbimet e nevojshme mjekësore. Kjo mungesë e mjekëve specialistë ka çuar në zbulimin e sëmundjes në stadet më të rënduara, ku dhe trajtimi jo vetëm bëhet më i kushtueshëm, por nuk shoqërohet me efektet e duhura trajtuese.
Problemet e ngritura mbi financimin
Nga monitorimet e bëra prej OBSH-së, financimi jo i mjaftueshëm i sistemeve shëndetësore dhe mungesa e mbrojtjes sociale në shumë vende, po zgjerojnë boshllëqet në aksesin ndaj shërbime të kancerit. Popullatat vulnerable, duke përfshirë gratë, shpesh përballen me pengesa për të pasur akses për diagnozë të hershme apo trajtime, si dhe fëmijët e adoleshentët të cilëve shpesh u është mohuar marrja e rregullt e barnave kuruese të kancerit. Terapi trajtuese, të cilat janë tepër të shtrenjta dhe të papërballueshme nga pacientët. Ndërkohë që nga skema e rimbursimit përfitojnë vetëm një numër i kufizuar pacientësh. Boshllëqe të mëdha ekzistojnë edhe në marrjen e shërbimit në radioterapi për të lehtësuar trajtimet kurative ose të dhimbjeve. “Reduktimi i faktorëve të rrezikut social dhe mjedisor për kancerin, si dhe fuqizimi i njerëzve për të bërë zgjedhje të shëndetshme, janë çelësi për arritjen e qëllimit global gjithëpërfshirës të reduktimit të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme deri në 25 për qind në vitin 2025, duke arritur kështu objektivat e Deklaratës Botërore të Kancerit”, theksohet nga OBSH.


