Këtë javë do të shpallen fituesit e Çmimeve Nobel 2025, që nderojnë arritjet më të mëdha në shkencë, paqe dhe letërsi.
Java e Çmimeve Nobel nis me Fiziologjinë ose Mjekësinë, e ndjekur nga Fizika dhe Kimia, kurse të enjten dhe të premten do të shpallen Çmimi Nobel për Paqen dhe ai për Letërsinë.
Fituesit shpallen nga komitete të ndryshme në Suedi dhe Norvegji dhe përzgjidhen për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në përmirësimin e njerëzimit.
Këtë vit, fokusi pritet të jetë te kërkimet shkencore që kanë transformuar kuptimin tonë për jetën, klimën dhe teknologjinë.
Nobel Assembly në Karolinska Institutet shpalli fituesit e Çmimit Nobel në Fiziologji ose Mjekësi për vitin 2025: Mary E. Brunkow nga Institute for Systems Biology në Seattle, Fred Ramsdell nga Sonoma Biotherapeutics në San Francisko dhe Shimon Sakaguchi nga Osaka University në Japoni.
Të tre u vlerësuan “për zbulimet e tyre mbi tolerancën imunitare periferike”, një mekanizëm jetik që parandalon sistemin imunitar të sulmojë trupin tonë.
Sistemi imunitar është mburoja që na mbron çdo ditë nga mijëra mikrobe. Por kur ky mekanizëm i fuqishëm humbet ekuilibrin, ai mund të kthehet kundër vetes dhe të shkaktojë sëmundje autoimune. Pikërisht mënyra se si trupi arrin ta shmangë këtë vetëshkatërrim ishte misteri që zgjidhën Brunkow, Ramsdell dhe Sakaguchi.
Në vitin 1995, Shimon Sakaguchi vuri në dyshim bindjen e kohës se toleranca imunitare zhvillohej vetëm në gjëndrën timus.
Ai identifikoi një klasë të re qelizash (qelizat T) që veprojnë si “roje sigurie”, duke penguar qelizat e tjera imunitare të dëmtojnë indet e trupit. Ky zbulim hapi një epokë të re në kuptimin e autoimunitetit.
Më vonë, në vitin 2001, Mary Brunkow dhe Fred Ramsdell zbuluan se një mutacion në gjenin Foxp3 ishte shkaku i sëmundjeve të rënda autoimune te një lloj minjsh dhe te njerëzit me sindromën IPEX.
Dy vjet më pas, Sakaguchi provoi se ky gjen kontrollon zhvillimin e pikërisht atyre qelizave që ai kishte identifikuar më parë – qelizave rregulluese T.
Këto zbulime themelore hodhën bazat e një fushe të re kërkimore, të quajtur tolerancë periferike, duke hapur rrugë për trajtime novatore kundër kancerit, sëmundjeve autoimune dhe për përmirësimin e suksesit të transplantimeve.
Siç tha kryetari i Komitetit Nobel, Olle Kämpe: “Falë tyre, sot kuptojmë pse sistemi ynë imunitar na mbron – pa na shkatërruar.” / Nobel Prize, Shqip.al