Progres raporti i KE: Shqipëria me nivelin më të lartë në Europë të pagesave nga xhepi për shëndetin

Komisioni Europian ka publikuar të martën (4 nëntor) raportin e progresit të Shqipërisë, ku ndër të tjera përmendet edhe sektori i shëndetësisë.

Sipas raportit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave nga xhepi në Evropë, me qytetarët që mbulojnë 59.7% të kostove totale shëndetësore.

Gjithashtu dokumenti vë në dukje se shpenzimet publike për shëndetësinë nga ana e qeverisë kanë mbetur nën 10%.

“Në vitin 2024, shpenzimet publike për shëndetësinë përbënin rreth 2.8% të PBB-së, ndërsa shpenzimet totale qeveritare për shëndetësi mbetën nën 10%, pavarësisht rritjes nominale.

Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave nga xhepi në Evropë, qytetarët mbulojnë 59.7% të kostove totale shëndetësore.

Vendi po përballet me plakje të popullsisë, si pasojë e uljes së lindshmërisë, rritjes së jetëgjatësisë dhe emigracionit.

Në fushën e e-shëndetësisë, është ngritur një sistem elektronik për mbledhjen dhe raportimin e të dhënave mjekësore (HIS).

Legjislacioni për substancat me origjinë njerëzore është në proces përafrimi me acquis të BE-së, por nuk ka pasur përparim për produktet mjekësore humane dhe veterinare, pajisjet mjekësore, vlerësimin e teknologjive shëndetësore, të drejtat e pacientëve në kujdesin ndërkufitar, apo kozmetikën”, thuhet në raport.

Çështje të tjera shëndetësore

Po ashtu në raport thuhet se ekzison një plan kombëtar për kontrollin e kancerit dhe aktualisht janë aktive tre programe depistuese: për kancerin e zorrës së trashë, gjirit dhe qafës së mitrës, por vë në dukje se ende nuk është krijuar regjistri kombëtar i kancerit.

“Në fushën e shëndetit mendor, zbatohet Plani i Veprimit 2023–2026, por kërkohet zgjerim i shërbimeve komunitare. Kequshqyerja mbetet problem kritik, ndërsa obeziteti tek fëmijët dhe anemia tek gratë shtatzëna janë shqetësuese’ theksohet ndër të tjera në raportin e KE.

Barazia në shëndet dhe antikorrupsioni

Në raport thuhet se, plani kombëtar 2021–2025 për barazinë, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve synon përmirësimin e aksesit në shërbime cilësore shëndetësore, por zbatimi mbetet i dobët.

“Nuk ka zhvillime të reja për aksesin e grave në shëndet, përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues”, thekson raporti.

Në fushën e antikorrupsionit, sipas progres raportit të KE  institucionet e mbikëqyrjes së tregut kanë rregulla për transparencë, etikë dhe konflikt interesi, ndërsa sektori i shëndetësisë është identifikuar si sektor i cenueshëm në draftin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2024–2030, por ende mungon një vlerësim i plotë i rrezikut dhe masa specifike për ta adresuar.

Rekomandimet

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk u zbatuan dhe mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti:

→ të bëjë përparim në përafrimin e ligjit të konsumatorit me acquis më të fundit të BE-së për të adresuar zhvillimet në këtë fushë;

→ të përfundojë përafrimin me acquis të BE-së mbi produktet medicinale për përdorim njerëzor dhe veterinar, pajisjet mjekësore dhe kontrollin e duhanit;

→ të rrisë burimet financiare dhe njerëzore në sektorin e shëndetësisë, konkretisht në kujdesin shëndetësor parësor dhe përgatitjen për emergjenca shëndetësore ndaj të gjitha rreziqeve, dhe të garantojë akses të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore për popullatat vulnerabël, në veçanti gratë dhe vajzat që i përkasin këtyre grupeve.

Postime të ngjashme

Ndryshimet në Shëndetësi, ministrja Sala prezanton drejtuesit e rinj të QSUT dhe FSDKSH
Prezantimi i ministres së re të Shëndetësisë, Rama: Do të përdorim inteligjencën artificiale në sistemin shëndetësor
7 fruta të pasura me hekur
Raporti i UNICEF: Për herë të parë, më shumë fëmijë janë obezë sesa nënpeshë
VIDEO/ Përdornin medikamente të ndaluara dhe evazion fiskal 1 mln euro, bllokohet spitali privat në Tiranë
Rama publikon pamjet nga kantieri i Spitalit të Lezhës: Shumë shpejt aparatura moderne dhe kushte bashkëkohore shërbimi për qytetarët
Realizohet kranioplastika e parë në Spitalin Memorial të Fierit, Rama: Ndërhyrja i ktheu shpresën për jetë një pacienti 75-vjeçar
5 simptoma të çrregullimeve hormonale që nuk duhet t’i injoroni