OBSH: Rreziku i virusit Nipah është i ulët në Indi, nuk ka shenja përhapjeje

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se rreziku i përhapjes së virusit vdekjeprurës Nipah nga India mbetet i ulët, duke shtuar se nuk rekomandon vendosjen e kufizimeve për udhëtimet apo tregtinë, pas konfirmimit të dy rasteve në këtë vend.

Ndërkohë, Hong Kongu, Malajzia, Singapori, Tajlanda dhe Vietnami janë ndër vendet aziatike që këtë javë kanë forcuar kontrollet shëndetësore në aeroporte, si masë parandaluese ndaj përhapjes së mundshme të virusit, pas rasteve të konfirmuara në Indi.

“OBSH vlerëson se rreziku i përhapjes së mëtejshme të infeksionit nga këto dy raste është i ulët”, thuhet në një përgjigje të agjencisë për Reuters, duke shtuar se India ka kapacitetet për të frenuar shpërthime të tilla.

Sipas OBSH-së, nuk ka ende prova për rritje të transmetimit nga njeriu te njeriu, ndërsa organizata ka koordinuar veprimet me autoritetet shëndetësore indiane.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e ekspozimit të mëtejshëm ndaj virusit, i cili qarkullon te popullata e lakuriqëve të natës në disa zona të Indisë dhe Bangladeshit fqinj.

Virusi Nipah transmetohet nga lakuriqët e natës frutëngrënës dhe nga kafshë të tjera si derrat, duke shkaktuar ethe dhe inflamacion të trurit. Shkalla e vdekshmërisë varion nga 40 deri në 75 për qind. Aktualisht nuk ka kurë, ndërsa vaksinat janë ende në fazë testimi.

Infektimi i njerëzve ndodh përmes kontaktit me lakuriqë të infektuar ose fruta të kontaminuara prej tyre. Transmetimi nga njeriu te njeriu është i vështirë dhe zakonisht kërkon kontakt të zgjatur dhe të afërt.

Sipas virologëve, shpërthimet e vogla nuk janë të pazakonta, ndërsa rreziku për popullatën e gjerë mbetet i ulët.

Postime të ngjashme

Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
6 shenja që tregojnë se nuk po pini ujë të mjaftueshëm
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Si ta lehtësoni menjëherë djegien nga dielli me aloe vera 
Cilat perime kanë përmbajtjen më të lartë të ujit dhe janë më hidratueset?
Paralajmërojnë ekspertët: Manaferrat dhe luleshtrydhet në krye të listës së produkteve me më shumë pesticide
Projekti i shëndetësisë, Banka Botërore bën bilancin: Nga “rrëzimi” i reformës së financimit te digjitalizimi