Mjeku Tritan Kalo zbulon dy parazitët që “fshihen” në zorrë gjatë verës: Ja si dallohen dhe çfarë pasojash shkaktojnë

Mjeku infeksionist Tritan Kalo ka ndarë në rrjetet sociale një rikujtesë profesionale mbi dy parazitë njëqelizorë të traktit tretës, Giardia intestinalis dhe Blastocystis hominis.

Në një postim të tij, Kalo shpjegon karakteristikat e këtyre dy parazitëve, mënyrën e diagnostikimit, shfaqjet klinike dhe rëndësinë e higjienës në parandalimin e infeksioneve.

Sipas mjekut, Giardia intestinalis është një nga parazitët më të shpeshtë në Pellgun e Mesdheut dhe ndër shkaktarët e rëndësishëm të diarresë, përfshirë diarrenë e udhëtarëve dhe pushuesve.

Kalo thekson se format kistike të Giardia dhe Blastocystis mund të kenë ngjashmëri, ndaj identifikimi i saktë kërkon ekspertizë laboratorike dhe përvojë në fushën e parazitologjisë.

Mjeku ndalet edhe te ndryshimet në shfaqjen klinike. Sipas tij, infeksioni nga Giardia mund të ketë një ecuri më të zgjatur dhe të shoqërohet me probleme të përthithjes së hekurit, duke favorizuar në disa raste shfaqjen e anemisë nga mungesa e hekurit.

Në rastin e Blastocystis hominis, prania e tij në analizën e feçeve, sipas Kalos, mund të konstatohet edhe te persona që nuk kanë simptoma klinike.

Në postimin e tij, mjeku vë theksin edhe te higjiena personale dhe siguria ushqimore, duke i cilësuar si elementë të rëndësishëm në parandalimin e infeksioneve dhe riinfektimit.

Kalo trajton gjithashtu çështjen e trajtimit të lambliasis dhe faktorët që mund të ndikojnë në dështimin e tij, duke përmendur skemat jo të përshtatshme të mjekimit, bashkëekzistencën e sëmundjeve të tjera dhe format rezistente ndaj metronidazolit.

Në fund të postimit, mjeku paralajmëron kundër përdorimit të skemave të zgjatura apo të ndryshme antiparazitare pa një indikacion të qartë, duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit të përcaktuar në mënyrë të përshtatshme për pacientin.

Postime të ngjashme

Pse qumështi i gjirit është kaq i rëndësishëm për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës
Si fotoja e një personi mund të ndihmojë në parashikimin nëse një pacient me kancer mund ta përballojë trajtimin apo jo
Sa shpesh duhet të bëjnë kontrolle personat me obezitet dhe kur duhet të nisin ato?
Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit
Si të zgjidhni pastën e duhur të dhëmbëve?
Çfarë do të thotë të jesh i pashëndetshëm? Mjekja shpjegon faktorët që ndikojnë në shëndet
hipertensioni
Nga hipertensioni te diabeti, sëmundjet që mund të shkaktojë obeziteti
Rama për protestuesit: Kanë nevojë për psikolog dhe trajtim