Çfarë duhet të bëjë një pacient nëse diagnostikohet me prediabet

Prediabeti

Mjekja endokrinologe Bariola Duro, në kuadër të ciklit të podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka shpjeguar se cilat janë hapat që duhet të ndjekë një pacient pasi diagnostikohet me prediabet.

Sipas mjekes, prediabeti është një fazë në të cilën nivelet e sheqerit në gjak kanë filluar të rriten, por ende nuk kanë arritur vlerat që përcaktojnë diagnozën e diabetit të tipit 2. Në këtë pikë, Duro thekson rëndësinë e një vlerësimi të plotë mjekësor.

“Kur pacienti diagnostikohet me prediabet, pra sheqeri ka filluar të rritet në gjak, por ende nuk ka arritur ato vlera limit që ne mund ta quajmë si diabetik të tipit të dytë, gjëja e parë është që duhet të konsultohet me mjekun endokrinolog, sepse situata duhet parë në tërësi”, u shpreh ajo.

Mjekja theksoi se vlerësimi nuk duhet të kufizohet vetëm te niveli i sheqerit në gjak. Sipas saj, duhet të merren në konsideratë edhe pesha trupore, nivelet e yndyrnave në gjak, si dhe prania e sëmundjeve të tjera shoqëruese, veçanërisht tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Një tjetër element i rëndësishëm është edhe historia familjare. Mjekja shpjegoi se prania e diabetit te familjarët mund të jetë një nga faktorët që ndihmojnë në parashikimin nëse pacienti do të mbetet në fazën e prediabetit apo do të avancojë drejt diabetit të tipit 2.

“Duhet parë pak më gjerë nëse pacienti ka sëmundje shoqëruese të tjera, tension, sëmundje kardiovaskulare. Duhet parë edhe nëse ka në familje njerëz që kanë diabet, sepse janë faktorë të tjerë që do të parashikojnë nëse ky pacient do të qëndrojë në këtë stad apo do të avancohet drejt diabetit të tipit të dytë”, tha Duro.

Sipas saj, faza e prediabetit është një moment veçanërisht i rëndësishëm, pasi ofron mundësinë për të ndërhyrë përpara se gjendja të përparojë.

“Është një moment, një dritare shumë e rëndësishme kur ne mund të ndërhyjmë me modifikimin e stilit të jetesës”, përfundoi mjekja endokrinologe.

Postime të ngjashme

A ndikon obeziteti në fertilitetin e grave?
Betohet ministrja e Shëndetësisë/ Klodiana Spahiu merr zyrtarisht detyrën, zëvendëson Evis Salën
Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro për blerje kitesh dhe reagentësh
Mazhoranca voton Klodiana Spahiun si ministre të Shëndetësisë
Projektligji i ri për PAK: parashikohet rritja e aksesueshmërisë, por si do garantohet zbatimi?
U helmuan 139 persona në Fushë-Arrëz, ISHP konstaton ndotje në sistemin e ujit të pijshëm
Konsumi për shëndetësinë, vetëm 40% e BE-së; gjysmën e faturës e paguajnë familjet, rekord në Europë
Orë tmerri për Himarën, disa banesa të shkrumbuara gjatë natës