Sa shpesh duhet të bëjnë kontrolle personat me obezitet dhe kur duhet të nisin ato?

Personat që jetojnë me obezitet duhet të kryejnë kontrolle të rregullta shëndetësore për të vlerësuar rrezikun e komplikacioneve dhe për të ndërhyrë në kohë, përpara se të shfaqen probleme më serioze. Vlerësimi i peshës, indeksit të masës trupore, perimetrit të belit, sheqerit dhe yndyrnave në gjak, si dhe tensionit arterial, janë disa prej kontrolleve të rëndësishme.

Endokrinologia Dr. Sara Zavalani, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, shpjegoi se kontrollet duhet të nisin që në momentin kur diagnostikohet obeziteti, ndërsa shpeshtësia e tyre përcaktohet në varësi të gjendjes shëndetësore dhe komplikacioneve të mundshme.

Sipas mjekes, hapi i parë është matja e peshës dhe gjatësisë për të llogaritur indeksin e masës trupore (BMI), si dhe matja e perimetrit të belit. Këto të dhëna ndihmojnë në vlerësimin e shpërndarjes së masës dhjamore dhe të rrezikut shëndetësor.

Një tjetër kontroll i rëndësishëm është matja e hemoglobinës së glukozuar (HbA1c), e cila ndihmon në vlerësimin e nivelit mesatar të sheqerit në gjak gjatë muajve të fundit. Dr. Zavalani shpjegoi se, te pacientët me diabet, ky test mund të kryhet çdo tre muaj, ndërsa te personat pa diabet, sipas saj, mund të vlerësohet një herë në vit, në varësi të rrezikut individual dhe rekomandimit të mjekut.

Kontrollet përfshijnë gjithashtu lipidogramën, për të vlerësuar yndyrnat në gjak. Nëse evidentohen çrregullime, analizat mund të përsëriten pas tre muajsh, ndërsa në rastet pa probleme, monitorimi mund të bëhet çdo vit, sipas vlerësimit mjekësor.

Kontrolli i tensionit arterial është gjithashtu thelbësor. Dr. Zavalani rekomandoi vlerësim të rregullt kardiologjik, të paktën një herë në vit, ndërsa personat që kanë tension të lartë ose probleme të tjera shëndetësore mund të kenë nevojë për kontrolle më të shpeshta, për shembull çdo gjashtë muaj, ose sipas udhëzimeve të mjekut.

Për personat me obezitet që nuk kanë ende komplikacione, kontrollet vjetore shërbejnë për të monitoruar gjendjen shëndetësore dhe për të parandaluar shfaqjen e problemeve të tjera. Nëse diagnostikohen komplikacione, nevojitet trajtim dhe ndjekje më e shpeshtë, në varësi të rastit.

Sipas endokrinologes, qëllimi kryesor është identifikimi dhe trajtimi i obezitetit përpara se masa e tepërt dhjamore të shkaktojë dëmtime në organe të ndryshme të trupit. Për këtë arsye, kontrollet nuk duhen shtyrë deri në momentin kur shfaqen simptoma apo sëmundje shoqëruese.

Shpeshtësia e analizave dhe konsultave duhet të përshtatet me gjendjen e secilit pacient, faktorët e rrezikut dhe udhëzimet e mjekut, pasi jo të gjithë personat me obezitet kanë të njëjtat nevoja për monitorim.

Postime të ngjashme

Pse qumështi i gjirit është kaq i rëndësishëm për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës
Si fotoja e një personi mund të ndihmojë në parashikimin nëse një pacient me kancer mund ta përballojë trajtimin apo jo
Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit
Si të zgjidhni pastën e duhur të dhëmbëve?
Çfarë do të thotë të jesh i pashëndetshëm? Mjekja shpjegon faktorët që ndikojnë në shëndet
hipertensioni
Nga hipertensioni te diabeti, sëmundjet që mund të shkaktojë obeziteti
Rama për protestuesit: Kanë nevojë për psikolog dhe trajtim
"Vijnë me plagë që kërkojnë qepje"- Klinikat private në ndihmë të protestuesve të lënduar, mjeku: Kemi ambulancë në terren