Gëzim Xhepa, pedagog i Fakultetit të Mjekësisë
Si pedagog i vjetër i Fakultetit të Mjekësisë, has disa probleme në konceptim ministerial të testimit. Së pari, në paralelizimin që ministria heq ndërmjet vetes dhe Qendrës së Kreditimit dhe Edukimit në Vazhdim, koncepton në mënyrë të gabuar rifreskimin e njohurive që ka QKEV me peshimin e njohurive në testim.
Nëse aplikon një testim, në radhë të parë për çdo profesionist (dhe ky nuk është politikan) duhet të dijë se sa duhet të dijë personi që merret në provim. Që të dish se sa duhet të dijë një person, duhet të dish programin edukativ dhe shkencor ku është mbështetur formimi i tij dhe kohën e përvetësimit të këtij programi.
Atëherë, zoti ministër dhe gjithë stafi i tij, që nuk rrjedh nga aurat e dijes dhe të shkencës, ku e mbështet testimin e tij? Nëse programi ku mbështetet është i huaj për ne pedagogët që kemi ngritur dhe përgatitur breza të tëra mjekësh, sa familjar do të jetë për produktin tonë, që janë mjekët në terren? Me të drejtë, ju zoti ministër mund të pretendoni se njohuritë që duhet të zotërojë një profesionist, janë të kalibruar në rrethet akademike dhe shkencore perëndimore.
Zoti ministër, a është familjar për ju koncepti i probabilitetit dhe frekuencës në përputhje me numrin e popullsisë? Në këtë këndvështrim gama e njohurive apo aftësive praktike në mjekësi, në popullsinë shqiptare është diçka me superficiale dhe me polivalente se në një popullsi më të madhe.
Që këtu specifiteti i të ashtuquajturit testim i përket rretheve akademike, dhe jo politike. Ju them sinqerisht se unë nuk e kam të qartë, si pedagog çfarë duhet të dijë dhe sa duhet të dijë një mjek 10 vjet pas diplomimit, në kushtet e lënies në harresë nga politika shqiptare për mbështetje ekonomike dhe edukative në gjithë periudhën e sakrificës së tij në skajet më të largëta të këtij kombi.
Së dyti: Problemi i dytë që më shqetëson, është çështja e kreditimit. Ju deklaroni provim për mjekë pa kredite, kur nuk dini se kreditet janë një mall në blerje në konferenca, dhe jo një realitet apo dëshmi e rifreskimit të njohurive. Ka ndonjë pasqyrë QKEV sa përqind e krediteve të mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve përputhen me rifreskimin e njohurive dhe ngritjen profesionale të tyre? Sa vlerë kanë kreditet e një kirurgu në një konferencë farmaceutike?
Në këtë drejtim, shigjetat e para duhet të kthehen nga stafi pedagogjik dhe struktura e departamenteve shkencore, që janë në pararojë të evoluimit dhe studimit shkencor.
QKEV nuk është llogaritare e krediteve (siç është katandisur), por është truri organizativ i mënyrave të ngritjes dhe edukimit shkencor. Si e tillë, ajo duhet të jetë në avangardë.
Syri juaj kritik dhe progresist, zoti ministër së bashku me zonjën ministre të Arsimit, duhet të kuptoni se ngritja bëhet nëpërmjet programeve të qarta në tavolina të rrumbullakëta të ngushta, të ngritura nga departamentet në mënyrë selektive për problemet e vendit, në përputhje jo vetëm me shkencën e klasit futurist, por me nevojat praktike të spitaleve rajonale. Këto “tavolina të rrumbullakëta” nuk zhvillohen vetëm pranë qendrës, por dhe në periferi me pak shpenzime; dhe në to pjesëmarrësit nuk do të blinin kredite, por do të ballafaqonin njohuri.
Së fundi: zoti ministër, në emër të një shtrese intelektuale, ju bëj thirrje për një moment të vini këmbët në tokë dhe të punojmë bashkarisht për të kthyer erën e bukur dhe krenare të një mjekësie të emrave të ndritur të profesorëve të dikurshëm që, edhe të izoluar, ditën të dëshmojnë se madhështia e shkencës lind nga pasioni. Do të ishte e rëndë nga ana ime t’ju mësoja politikë, ashtu siç është e rëndë nga ana juaj të na mësoni mjekësi. Është mirë të jemi partnerë, dhe jo kundërshtarë. Ndoshta ka ardhur koha të kuptoni se mjekësia mund të ndreqet nga profesionistë, dhe jo nga organizata sociale dhe politike.


