Ku po shkon sistemi shëndetësor publik i vendit tonë?!

Nga dr. shk. Rustem Celami, mjek obstetër-gjinekolog, lektor universitar

Sistemi shëndetësor publik është në kuotat më negative të mundshme në këto 25 vite. Abuzimi sistematik që i është bërë duke e përdorur për interesa të ngushta, edhe pse të mos themi fitimprurëse marramendëse, sepse në tërë këto vite shumë shumë fonde, grante, kredi etj. janë shpenzuar në emër të reformave.

Diçka edhe është bërë për të qenë të sinqertë, por me hapa breshke. Investimet në burime njerëzore, ku meritokracia, konkurrenca, ku motivimi profesional për të aplikuar njohuritë bashkëkohore në klinikën praktike të përditshme nuk kanë qenë aspak përparësi këto vite. Në fakt disa “pashallarë” të mjekësisë kanë zaptuar karriget sa me nepotizëm, sa me punë spiunazhi, sa me komandime politike, sa duke e blerë dhe shitur atë karrige dhe personalitet të tyre qe vetëm i tillë nuk mund të quhet për interesa personale.

ministria e shendetesiseKjo nuk përfshin një pjesë të vogël të eminencave të mjekësisë që me dijet e tyre bashkëkohore, me dinjitetin e tyre dhe në duart e tyre të arta kanë qenë shembull, por edhe këto pak profesionistë të nderuar janë luftuar deri në maksimumin e mundshëm nga oligarkët e pangopur në mjekësi dhe politike.

Investimet në infrastrukturë, në ambiente bashkëkohore (ku vetëm për lyerje muresh dhe riparime kanë shkuar “dëm” shumë shumë miliona që nga dollari, euro deri te paund apo jen japonez, që në fakt po të miradministroheshin do të ndërtoheshin nga e para qendra dinjitoze shëndetësore) pajisje bashkëkohore diagnostike dhe terapeutike dhe aq më keq për të ardhur turp që të spitalet tona të mos kenë mjete bazë përdorimi të përditshëm, investime reale që kanë qenë në nivel shumë mjerane. Sepse shumica e këtyre investimeve janë bërë thjesht për sy e faqe dhe në realitet, është bërë shumë shumë pak përveçse shfaqjeve mediatike.

Tashmë në dekadën e fundit dhe sidomos vitet e fundit ka filluar eksodi i bluzave të bardha në vendet e zhvilluara, sepse studentët që mbarojnë mjekësinë në vendin tonë nuk e gjejnë veten në konkurrencën e lirë, nuk u jepet asnjë hapësirë meritokracie, sepse “pashallarët” e mjekësisë vazhdojnë ta mbajnë të zaptuar mjekësinë publike.

Institucionet shëndetësore private janë një risi këto vitet e fundit, ku po ofrojnë disa procedura bashkëkohore që në perëndim janë rutinë të përditshme në nivel spitali rrethi dhe rajoni dhe jo më në spitale terciare ku bëhet aplikimi i fjalës së fundit të shkencës në mjekësi. Në fakt, këto institucione shëndetësore private kanë arritur të bëjnë një kontrast të madh me spitalet e sistemit publik (megjithëse pjesa më e madhe e stafit të këtyre institucioneve shëndetësore private janë po bluzat e bardha shqiptare), duke ofruar shërbim shëndetësor cilësor ose më mirë të vetmin shërbim shëndetësor cilësor me parametrat perëndimore, ku për fat të keq kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës që shërbimi privat të dominojë në total shërbimin shëndetësor publik!

Sistemi shëndetësor publik ose më mirë ata që bëjnë politikat shëndetësore në vend as duan që t’ia dinë, ata janë aty për të marrë hisën e radhës që nuk paska të sosur dhe nuk kanë as ndjeshmëri njerëzore aq të tepër shtetari, duke e mjeruar çdo ditë e më shumë këtë shëndetësi publike.

Tashmë të paktën edhe për profesionistët e mjekësisë në vendin tonë që nuk e gjejnë veten në aplikimin e dijeve të tyre, eksperiencës së tyre në kushtet skandaloze të spitaleve publike, ku përveçse nuk ka asnjë mundësi reale për të aplikuar një metodë të re diagnostikuese apo trajtuese, sepse nuk ka asgjë përveç disa ambienteve/sallave të ftohta dhe pa asnjë infrastrukturë, pajisje, mjeti, por për fat të keq edhe stafi mjekësor në sistemin publik i punësuar çdo ditë e më shumë këto vitet e fundit në mënyrë nepotike dhe aspak konkurruese nuk të lejon që të bashkëpunosh në grup për të bërë diçka inovative që të përmirsojë kujdesin shëndetësor që merr popullata çdo ditë nëpër këto institucione shëndetësore.

Në mjekësi punohet në grup, përveçse të zotërosh njohuri bashkëkohore teorike dhe praktike, kërkon edhe intuitë, punë kërkimore që të aplikohen të rejat e fundit ne klinikën praktike të përditshme, por këto të tëra bëhen në grup, jo si një individ i izoluar.

Edukimi mjekësor në vazhdim që është thelbësor në çdo vend të botës për profesionistët e mjekësisë, në vendin tonë është shumë i sipërfaqësor dhe nuk ka asnjë platformë nga ekspertë të mirëfilltë për ta rimodeluar në nivelet e merituara që të japë edhe efekte reale në përditësimin e njohurive mjekësore. Aq më keq që nuk ka asnjë “zë” shteti për kualifikime, specializime, subspecialitete në disiplinat e ndryshme mjekësore duke dhënë impakt afatmesëm dhe afatgjatë në përmirësimin direkt të kujdesit shëndetësor në popullatë në profesionalizëm dhe cilësi.

Si përfundim, bluzat e bardha në vendin tonë po e gjejnë veten ose në largimin nga vendi, ose në institucionet shëndetësore private që ofrojnë ambiente pune bashkëkohore, vlerësim të punës së tyre të kënaqshme, dhe në këtë mënyrë ofrojnë edhe kujdes mjekësor cilësor ndaj popullatës që zgjedh për shërbim mjekësor këto institucione shëndetësore private.

Të paktën ka një alternativë. Fundja, të kesh një plan B është më mirë se të jesh pa plan fare.

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit