Përshtati në shqip: Daniela Bardhi
Të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen se “flokët janë gjysma e bukurisë”. Kjo e bën mjaft të rëndësishëm faktin e të pasurit flokë të shëndetshëm e të shndritshëm.
Gjyshet tona na kanë thënë shpesh se flokët tona janë një filiz i çmuar. Ne duhet t’i “ujisim dhe ushqejmë” ato që të rriten si një pemë e shëndetshme, e fortë e plot gjallëri. Në këtë artikull do t’iu paraqesim disa maska që mund t’i përgatisim lehtësisht në shtëpi dhe që janë mjaft të efektshme.
Maskë flokësh me vezë
Vezët janë të mbushura me vlera ushqyese të shumta, nga vitaminat D, B, A me hekur e proteina të shumta. Në fakt, proteinat që gjenden tek veza, i gjejmë në cilësinë më të lartë se në çdo ushqim tjetër. Këtu do të paraqesim një përmbledhje mbi vlerat ushqyese të vezës që ndikojnë tek flokët:
Proteinat – Ushqejnë rrënjët e flokëve, inkurajojnë rritjen
Acidet e ngopura – U japin flokëve një lustër me shkëlqim natyral
Kaliumi – Kuron flokët e thatë e të dëmtuar
Vitamina A – Ndalon djegien e flokëve.
Vitamina D – Ndalon rënien e flokëve
Vitamina B12 – Nxit rritjen e flokëve.
Kalciumi – Nxit rritjen e flokëve dhe është i rëndësishëm për thithjen e duhur të vitaminës D.
Përbërësit për maskën:
- 1 vezë (për flokë veçanërisht të gjatë apo të trashë përdorni 2 vezë)
- 1 filxhan qumësht (për flokët me gjatësi deri tek supi përdorni 1/2 filxhan)
- 1 limon të shtrydhur
- 2 lugë vaj ulliri
Së pari, duhet të ndani të bardhën e vezës nga e verdha, sepse do të përdoren në varësi të llojit të flokut tuaj. Për flokët e yndyrshëm duhet të përdorni vetëm të bardhën e vezës në këtë recetë, për flokët e thatë përdorni vetëm të verdhën e vezës, për flokët normale përdorni të gjithë vezën.
Vendosni njërën nga pjesët e vezës (në varësi të llojit të flokut) në një tas të pastër dhe rrihini me një rrahës veze. Shtoni qumështin dhe vajin e ullirit dhe përziejini mirë. Më pas shtoni lëngun e limonit të shtrydhur dhe vazhdoni t’i përzieni, kjo do t’i japë kokës një ndjenjë freskie.
Masazhojeni përbërjen në lëkurën e kokës duke filluar nga rrënjët dhe duke përfunduar në majat e flokëve. Mbajeni maskën për 15 minuta. Mund të përdorni dhe një qese plastike në kokë, në mënyrë që mos të bëni pis ambientin me pikat e vezës.
Pasi e keni mbajtur maskën për 15 minuta, shpëlajeni kokën me ujë të vakët duke eliminuar të gjitha papastërtitë që mund t’ju ketë lënë veza në flokë.
Përdorni një shampo organike frutash për një pastrim përfundimtar.
Këshilla të shpejta:
- Sigurohuni që i keni larë shumë shumë mirë flokët, veçanërisht nëse keni flokë shumë të gjatë.
- Mos i lani flokët me ujë të nxehtë, sepse do të duket sikur po e gatuani vezën e maskës që keni përdorur në flokë.
- Shpëlajini flokët me ujë të ftohtë dhe bëjeni këtë veprim sa herë të jetë e nevojshme.
- Për të hequr erën e vezës, shpëlajini flokët me ndonjë shampo me aromë të mirë frutash (si luleshtrydhe) dhe në këtë mënyrë era e vezës do të zhduket.
- Në rast se lëngu i limonit ju jep ndjesi djegie në lëkurën e kokës, atëherë përdorni raportin 1:2 e lëngut të limonit për vezë
- Përdoreni këtë maskë 1 herë në muaj
Burimi: healthmunsta.hubpages.com


