Mark Brunga
Spitali i Durrësit, më i madhi në vend pas atij të kryeqytetit, ka mbi 4 muaj e gjysmë që nuk e ofron shërbimin e mamografisë. Defekti që nuk është mundur të riparohet prej gati 4 muajsh ka bërë që pacientet të orientohen në Tiranë ose në klinika private.
Sipas informacioneve të marra, aparatura që shërben për të kryer kontrollin e gjirit te gratë, ka pësuar defekt dhe për pasojë pacientët detyrohen t’u drejtohen klinikave private ose spitaleve te Tiranës për të marrë këtë shërbim.
Drejtuesit e Spitalit Rajonal të Durrësit shprehen se kanë bërë kërkesë pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanive të cilat kanë mundësi për të riparuar defektin në aparaturë, por deri më tani nuk i është dhënë zgjidhje këtij këtij problemi.
Natyrshëm lind pyetja: Përse kaq shumë kohë për të riparuar dhe kur pritet të rregullohet aparatura? Vitin e kaluar me qindra gra durrsake iu përgjigjen thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për të kryer mamografinë falas në muajin tetor. Ishte vërtet një përvojë për t’u vlerësuar. Pati edhe nga ato gra që zbuluan se vuanin nga kanceri i gjirit dhe analiza u shtoi shanset për ta kuruar sëmundjen.
Sipas drejtoreshës së spitalit, Ardiola Frashëri, aparati i mamografisë në spitalin e Durrësit ka qenë donacion i projektit Interreg III dhe është aparaturë e prodhuar në SHBA. Deri tani riparimi i defektit në bllokun e ushqimit dhe lexuesin e imazheve ka rezultuar i pamundur për arsye të mosekzistencës në treg të operatorëve të aftë për riparimin e kësaj pajisje.
SRD po vazhdon kontaktet me specialistë të ndryshëm për realizimin e riparimit. Gjithsesi, në bashkëpunim me ISHP-në do të vihet në dispozicion të SRD një mamografi e lëvizshme, që do të realizojë kryerjen e ekzaminimeve.



