Sipas një studimi të publikuar në gazetën “Neurologjia”, njerëzit të cilët kanë probleme me frymëmarrjen ndërsa flenë, kanë më shumë mundësi të preken herët nga humbja e kujtesës.
Shkencëtarët amerikanë kanë studiuar raportet mjekësore të 2400 pacientëve mbi 54 vjeç dhe kanë vënë re se ata që kishin probleme me gjumin, problemet lidhur me kujtesën dhe të menduarit u shfaqeshin një dekadë më parë krahasuar me njerëzit të cilët bënin gjumë të qetë.
Studiuesit përfshinë një grup vullnetarësh të prekur nga ky problem në një studim rreth kësaj çështje dhe vunë re segjatë gjumit muskujt rreth fytit mund të bllokojnë rrugët e frymëmarrjes duke vështirësuar procesin e frymëmarjes.
Shpeshherë pacientët gërhisnin dhe zgjoheshin disa herë gjatë natës. Hulumtuesit u shqetësuan duke menduar se mosmarrja e oksigjenit të mjaftueshëm mund të prekte organet vitale duke përfshirë edhe trurin.
Këta njerëz, sipas studimit, humbnin kujtesën 10 vjet më përpara krahasuar me ata që bënin gjumë të qetë.
Pacientët të cilët iu nënshtruan terapisë së nevojshme, nuk raportuan probleme me kujtesën. Furnizimi mjaftueshëm i trurit me oksigjen, është jetik për ta mbajtur atë të shëndetshëm. Përshtati në shqip: Elena Beta
