Kongresi II Ballkanik i Anestezi Reanimacionit, Shehu: Zgjidh sfidat

Denisa Canameti

Shërbimi i Anestezi – Reanimacionit organizoi për katër ditë radhazi një aktivitet shkencor në bashkëpunim me Turqinë. Të pranishëm në këtë konferencë ishin ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidajet Bajraktar, si dhe të ftuar nga shumë vende të Ballkanit, si: Mali i Zi, Greqia, Maqedonia, Kosova, si dhe Italia. Ky event u konsiderua si shumë i rëndësishëm për vendin tonë, jo vetëm sepse ishte i pari i një niveli të tillë, por edhe sepse u arrit vendosja e një partneriteti midis vendit tonë dhe vendeve të tjera ballaknike.

Tritan Shehu Ilir BeqajNdërkohë, në një intervistë për “Shëndet+”, Tritan Shehu, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Anestezi Reanimacionit, gjithashtu pohoi këtë partneritet të rëndësishëm midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shoqatës.

I pyetur rreth konferencës së organizuar, Tritan Shehu u shpreh se kjo konferencë e një niveli ballkanik është shumë e rëndësishme për vendin tonë.

“Është një konferencë ku janë të përfshirë gjithë shtetet e Ballkanit, me profesorët më të mëdhenj të Ballkanit për fushën e anestezisë.

“Ka pasur tema shumë të rëndësishme shkencore që janë referuar nga profesorët më të njohur. Ka pasur një pjesëmarrje shumë të madhe, ku numërohen rreth 250 pjesmarrës si dhe rreth 130 referues.  Aktiviteti është organizuar në formën e grupeve të diskutimit, ku pati jo vetëm referime teorike, por edhe demonstrime praktike duke i dhënë larmi, si dhe duke e bërë më interesant aktivitetin”.

Shehu gjithashtu foli për rëndësinë e këtij aktiviteti në kuadër të vendosjes së një bashkëpunimi midis vendeve, si dhe për ta çuar vendin tonë në nivel të vendeve ballkanike.

“Ky kongres ka rëndësi sepse vendos disa elemente të rëndësishme të bashkëpunimit për përballimin dhe zgjidhjen e sfidave të mëtejshme të anestezisë.

“Ne jemi mjaft larg nga Ballkani në nivelet financiare. Një bashkëpunim midis vendeve tona është në të mirën e të sëmurit. Ky kongres ishte jo vetëm një ballafaqim mendimesh dhe idesh, por vë edhe bazat e bashkëpunimit të ardhshëm.

Lidhur me debatet e zhvilluara në këtë kongres, Shehu u shpreh se “pati shumë debate për çështje të ndryshme shkencore ku mjekët tanë në nivel të përgatitjes ishin krejt të barabartë me mjekët e tjerë. Ishin diskutime teorike dhe praktike, lidhur me trajtimin e rasteve të veçanta, si dhe mënyrën e trajtimit të komplikacioneve të mëdha.

“Pati një debat lidhur me mënyrën e trajtimit të detresit respirator, sesi duhet të mjekohet. Është temë e rëndësishme, sepse është shkak për vdekshmëri të lartë në reanimacion. Një kongres që tregoi konsistencën e tij teknike, shkencore dhe gjërësinë e debatit” e mbylli fjalën e tij Kreu i Shoqatës, Shehu.

Kongresi i anestezise (2)Në një pronocim për “Shëndet+”, Kryetarja e Shoqatës Turke të Anestezi- Reanimacionit, prof. Meral Kanbak, u shpreh entuziaste për këtë event duke vënë gjithashtu theksin tek rëndësia e bashkëpunimit. Kanbak nuk la pa përmendur nivelin shumë të lartë të mjekësisë në Turqi, si ndër më të lartat në Evropë. Gjithashtu Kabak u shpreh se duke u nisur nga ky nivel i lartë edukimi mjekësor që ka Turqia është e gatshme që të trajnojë dhe të presë edhe profesionistët Shqiptarë për ti bërë pjesë të programeve të tyre të edukimit.

Me sa duket, ky kongres do të bëhet traditë, si dhe do të mbahet në vite të ndryshme në vende të ndryshme. Dhe sipas fjalës së Kanbakut, konferenca e radhës pritet të mbahet në Maqedoni.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se “jemi të vetëdijshëm që kemi nevojë për të rritur kapacitetet në burime njerëzore në të gjitha fushat e mjekësisë”. Përveç të tjerash, Beqaj falënderoi shoqatën e anestezistëve shqiptarë për ndihmën dhe kontributin profesional që ka dhënë, si dhe pohoi faktin se Ministria ka arritur të miratojë punën shkencore të bërë nga shoqata për të përgatitur fletë-ndjekjet e anestezisë, fletë-ndjekjet e reanimacionit, fletë-mjekimin në reanimacion dhe fletën konsensuale të të sëmurit.

“Janë 4 instrumente shumë të nevojshme, që sigurisht e bëjnë edhe punën tuaj, në një kuadër profesional më rregullativ, por edhe na ndihmojnë ne që në raste të veçanta të mund të jemi më transparentë jo vetëm në mënyrën se si administrojmë shërbimet tona, për mënyrën si financojmë dhe sigurisht edhe me qytetarët”, tha Beqaj.

Postime të ngjashme

Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë