Denisa Canameti
Departamenti i Promocionit të Shëndetit pranë Institutit të Shëndetit Publik ka organizuar sot një tryezë të rrumbullakët për të shqyrtuar draftin me tematikë “Vlerësimi i strategjisë së Shëndetit Publik dhe Promocionit të Shëndetit”. Në këtë aktivitet u prezantuan qëllimi, objektivat dhe metodologjia e vlerësimit. Pjesë e këtij aktiviteti ishin jo vetëm specialitet e ISHP-së por edhe përfaqësues nga shoqëria civile. Këta të fundit gjithashtu patën mundësinë e ndërhyrjes në çështjet e plotësimit të draftit duke shprehur mendimet e tyre nisur nga eksperienca e punës në terren.
Në pjesën e parë të aktivitetit pati një prezantim të përgjithshëm të draftit dhe kërkesat që parashtroheshin para tryezës. Sipas planit të parashikuar në axhendë në pjesën e dytë të diskutimit tavolina u nda në tre grupe ku do të përcaktoheshin ndryshimet/sugjerimet për plotësimin e draftit. Ndërkohë që në pjesën e tretë moderatorët e secilit grup u mblodhën për të prezantuar pikat dhe sugjerimet e nxjerra.
Kështu, qëllimi i vlerësimit ishte shqyrtimi në mënyrë kritike e progresit të bërë në zbatimin e synimeve dhe masave të parashikuara në Strategjinë e Shëndetit Publik dhe të Promocionit të Shëndetit 2002-2012, dhe sigurimi i mendimeve praktike mbi politikat dhe rekomandimeve për formulimin e strategjisë së re të Promocionit të Shëndetit 2016-2020. Vlerësimi u krye gjatë periudhës maj-qershor 2015 dhe u fokusua në një vlerësim të shpejtë të aktiviteteve të parashikuara në planin e veprimit të SSHPPSH-së kundrejt synimeve dhe objektivave të propozuara.
Strategjia e Shëndetit Publik dhe Promocionit të Shëndetit kishte për synimtë ndihmonte në përmirësimin e shëndetit të popullit shqiptar drejt standardeve më të mira evropiane sa më shpejt që të ishte e mundur.
Sipas barrës së sëmundjeve, problemet themelore me të cilat përballej Shqipëria ishin:
- Sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri
- Aksidentet në shtëpi, punë dhe trafik
- Shëndeti riprodhues/shëndeti seksual-kanceri i qafës së mitrës, HIV/AIDS.
- Sëmundjet respiratore
- Shëndeti mendor-ndryshimet sociale, vetëvrasjet, abuzimi me drogën
- Sëmundjet diarretike
Në përgjithësi, Strategjia e Promocionit të Shëndetit është zbatur kryesisht nga profesionistët e shëndetit publik. Fushat prioriatre në të cilat ka patur më shumë ndërhyrje janë: ushqyerja, shëndeti riprodhues. Fushat prioritare me më pak ndërhyrje në fushën e promocionit lidhen me shëndetin mendor dhe aksidentet rrugore. Si dhe konstatohet një mungesë e planifikimit nga strukturat e promocionit të shëndetit në aktivitete vjetore, duke u bazuar në planin e aktiviteteve të SSHPPSH-së.


