Për gazetën “Shëndet+”, mjeku Vaso Vasili, gjinekolog
Si gjithë infeksionet e tjera, edhe kandida (myku) ka arsyet e veta të shfaqjes që bazohet kryesisht në prishjen e ph (pehashit) të
vaginës në drejtim bazik. Në prishjen e pehashit ndikojnë një sërë faktorësh që më pas çojnë në krijimin e infeksionit:
- Infeksionet akute ose kronike
- Përdorimi i kontraceptivëve vaginalë
- Faktorët që kanë të bëjnë me metabolizmin (shfaqet tepër te diabetikët).
- Përdorimi i rrobave sintetike ose i pantallonave të ngushta. Kjo sepse pantallonat e ngushta nuk lejojnë të hyjë ajër.
- Përdorimi i solucioneve larës të vaginës që kanë përqendrim të lartë kimikatesh
- Higjiena personale
- Njëanshmëria në trajtimin ushqimor (kequshqyerja).
- Rënia e imunitetit të organizmit
- Moskujdesi në plazh
Cilat janë shenjat klinike me të cilat shoqërohet kjo patologji?
Infeksionet mykotike në sipërfaqe të vaginës shfaqen me: skuqje, kruarje, rrjepje, edemë (enjtje).
Infeksionet mykotike në brendësi shoqërohen me shenjat klinike të sipërpërmendura, si dhe me shtim të sekrecioneve të bardha dhe dhimbje në fund të barkut.
Shpesh myku mund të mos jetë i specifikuar në rrugët vaginale, por mund të jetë i gjeneralizuar në pjesë të ndryshme të trupit, që tregon për një stad të avancuar të sëmundjes.


