Njerëzit me dhimbje shpine të cilët nuk përmirësohen pas trajtimit mjekësor, mund të kenë një lloj infeksioni të rrallë të shtyllës kurrizore, sugjerojnë studimet më të fundit. Infeksioni, i quajtur osteomieliti vertebral, mund të çojë në paralizë ose vdekje nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet siç duhet.
Gjendja zakonisht nuk vihet re pasi shkakton dhimbje shpine, një dhimbje e zakonshme edhe kur keni një tërheqje muskulare apo një dëmtim të shpinës.
“Dhimbja e shpinës është shumë e zakonshme dhe zakonisht nuk shkaktohet nga një infeksion, ndaj diagnoza nuk përcaktohet saktë ose keqpërcaktohet”, u shpreh drejtuesi i studimit dr. Elie Berbari, në një njoftim të shpërndarë nga Shoqata e Sëmundjeve Infektive të Amerikës.
Osteomeliti Vertebral prek 2-6 persona në 100 000 njerëz çdo vit. Kjo gjendje zhvillohet kur bakteret hyjnë në gjak dhe prekin disqet e shtyllës kurrizore. Infeksioni është më i zakonshëm tek të moshuarit.
“Infeksioni shkakton një gjendje të rëndë dhe shpesh e çon pacientin gjatë natës dhe nuk largohet as pas trajtimit apo pushimit. Në këtë rast doktorët duhet të konsiderojnë faktin se diçka tjetër po ndodh me pacientin, sidomos nëse ai ka edhe temperaturë”, shprehet Berbari.
Një test i thjeshtë gjaku mund ta orientojë doktorin për një osteomelit vertebral, ndërsa rezonanca dhe biopsia mund ta konfirmojë. Trajtimi zakonisht nënkupton 6 javë me antibiotikë intravenozë. Gjithsesi, rreth gjysma e pacientëve mund ta kenë të nevojshme kirurgjinë për largimin e infeksionit./ Përgatiti për “Shëndet+”: Arlinda Gjypi


