Denisa Canameti
Para disa muajsh bordi i Fondit në Ministrisë e Shëndetësisë zbuloi skandalin e skemës së rimbursimit. Ky skandal vuri në pranga drejtorin rajonal të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Xhuvanin, si dhe u zbatuan 7 urdhër arreste
të tjera, për një dëm që shkonte deri në vlerën e 56 milionë lekëve të reja.
Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se janë edhe 28 farmaci të tjera vetëm në Tiranë që janë të përfshirë në skandal. Në valën e arrestimeve do të përfshihen gjithashtu edhe persona të tjerë nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Në prokurori vazhdojnë hetimet për çështjen në fjalë, e ku deri tani janë faktuar vetëm 4 farmaci me 700 fatura të mjekëve për medikamente të shtrenjta që trajtonin sëmundje kancerogjene.
Sipas burimeve, hetimet janë shtrirë edhe ndaj infermierëve të QSUT-së dhe poliklinikave të Tiranës, pasi dyshohet se ata kanë siguruar blloqet e recetave për pronarët e farmacive. Nëse faktohet që edhe 28 farmacitë në Tiranë kanë qenë pjesë e këtij skandali, dëmi i shkaktuar mund të përllogaritet në rreth 5 milionë euro.


