Dhimbja e gjoksit te gratë, ç’duhet të dimë

Nevila Rexha, onkologe pranë Poliklinikës Qendrore, Tiranë

dhimbje gjoksiMegjithëse shqetësimi kryesor i femrave që ndiejnë dhimbje në gjoks, është lidhja e saj me kancerin, mund të themi që dhimbja NUK është simptomë e zakonshme në kancerin e gjirit

Dhimbja e gjoksit (mastalgia) është ndjenja e diskomfortit ose e ndjeshmërisë së shtuar në gjoks. Është ankesa më e shpeshtë në lidhje me gjoksin tek femrat. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, por në përgjithësi dhimbja e gjoksit, nuk është shenjë e kancerit të gjirit.

Pra, megjithëse shqetësimi kryesor i femrave që ndiejnë dhimbje në gjoks, është lidhja e saj me kancerin, mund të themi që dhimbja NUK është simptomë e zakonshme në kancerin e gjirit.

Shkaqet e dhimbjes janë:

Ndryshimet hormonale

  • puberteti
  • sindromi premenstrual
  • shtatzënia
  • menopauza

Ndryshimet hormonale janë shkaqet kryesore të dhimbjeve të gjoksit, sidomos në moshat e reja deri në 30-35 vjeç. Zakonisht kjo është dhimbje që ndihet në të dy gjokset dhe është ciklike, domethënë  shfaqet para menstruacioneve dhe qetësohet pas ciklit. Kjo dhimbje lidhet me veprimin hormonal që shkakton zgjerim të glandulave dhe duktuseve laktifere dhe mbajtje të likideve në gjoks.

Sëmundja fibrocistike e gjoksit

Ka të bëjë me praninë e gjoksit të dendur, i cili gjatë prekjes të jep idenë e gjendrave të shumta. Mund të jenë të pranishëm cistet, të cilat janë në formën e fluskave ose qeskave të mbushura me likid. Dhimbja e shkaktuar nga cistet zakonisht është dhimbje jociklike, pra nuk varet nga cikli menstrual dhe ndihet vetëm në njërin gjoks. Kjo dhimbje është në formën e shpimeve ose therjes dhe mund të rrezatohet në sqetull dhe krah. Disa medikamente si:

  • Methyldopa
  • Spironolactone
  • Chlorpromazine
  • Anadrol
  •  Mastitis

Është infeksion i gjendrave dhe kanaleve të qumështit. Në këtë rast dhimbja shoqërohet me skuqje, enjtje, nxehtësi të gjoksit të prekur dhe temperaturë të lartë.

Kanceri inflamator i gjoksit

Është formë e rrallë e kancerit të gjirit. Simptomat shfaqen shumë shpejt dhe gjoksi paraqitet i enjtur, i skuqur, i nxehtë dhe me dhimbje therëse. Për shkak të këtyre shenjave, mund të ngatërrohet me mastitis, por ndërsa mastitis përmirësohet nga antibiotikët, kanceri inflamator nuk ndikohet nga to.

Megjithëse thamë që dhimbja në vetvete nuk është simptomë karakteristike e kancerit të gjirit, në rastet kur kemi një dhimbje të shoqëruar me një masë në gjoks ose rrjedhje hemorragjike nga gjoksi, duhet të paraqitemi menjëherë tek mjeku.

Trajtimi i dhimbjes bëhet sipas shkaqeve. Në rastin e dhimbjeve nga ndryshime hormonale rekomandohet marrja e reduktuar e kripës, reduktimi i kafeinës, aktiviteti fizik, dietë e pasur me fruta perime dhe e varfër me yndyrna shtazore. Në rastin e cisteve, zakonisht nuk ka nevojë për trajtim por nëse janë ciste të mëdhenj, bëhet aspirimi nën Echo. Në rast infeksioni përdoren antibiotikë dhe antiinflamatorë.

Postime të ngjashme

Si ndikon vaji i ullirit në ngopje dhe kontroll të oreksit
A na hidraton vërtet çaji i ftohtë? Çfarë thonë ekspertët
Kafeja e mëngjesit: Çfarë i ndodh vërtet trupit tuaj kur e pini?
Noti në det: 7 gabime që duhet t’i shmangni për shëndetin tuaj
34, 60 dhe 78 vjeç! Moshat kur organizmi ndryshon më shumë
Çfarë duhet të bëni nëse sytë tuaj thahen nga kondicioneri?
Çfarë i ndodh trupit tonë kur kalojmë shumë orë në diell?
Shalqiri: 8 përfitime shëndetësore që mund të mos i keni ditur