Për gazetën “Shëndet+”, mjeku obstetër-gjinekolog Rustem Celami
Infeksionet vaginale janë infeksione që prekin organet gjenitale femërore, përkatësisht vaginën. Por këto mund të jenë të shoqëruara edhe me prekje të pjesës së jashtme të organeve gjenitale, vulvës, që marrin edhe termin vulvovaginite.
Ato kanë karakteristikë shenjat dhe simptomat përkatëse, si: sekrecione vaginale, era e keqe e këtyre sekrecioneve, irritimi, kruarja, ndjesi djegie, skuqje përreth vaginës, deri në djegie urine dhe urinim të shpeshtë.
Vaginoza bakteriale është infeksioni më i shpeshtë vaginal në femrat e moshës 15 – 45 vjeç. Sipas të dhënave nga Qendra e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), rreth 30% e femrave të kësaj grup moshe në SHBA preken nga vaginoza bakteriale.
Çfarë i shkakton?
Si shkaktarë mund të jenë të ndryshme, si: baktere, funguse dhe nga viruse. Por mund të kemi edhe procese inflamatore ose e thënë më thjesht irritime nga kimikate, kremra, dordorante, parfume, si dhe disa lloj rrobash, që bien në kontakt me organet gjenitale. Dushi ose sikurse njihet ndryshe lavazhi vaginal me përbërës nga më të ndryshmit, si: uthull, sodë buke, jod, etj, që shpesh e praktikojnë femrat deri në mënyrë të ekzagjeruar shumë herë në ditë, është një tjetër shkak për infeksione vaginale, që mund të prekin edhe qafën e mitrës dhe mitrën duke shtyrë infeksionet vaginale më lart. Gjithashtu, prishin edhe florën normale vaginale ose sikurse njihet ndryshe ekosistemi vaginal, si dhe prishin Ph në vaginë.


